Ekzekutimi me 4 plumba pas koke, i dy vëllezërve Martin dhe Andrea Olldashi dhe më pas groposja e tyre në një kanal vaditës, ka hapur një tjetër pistë hetimi, duke detyruar prokurorinë e Korçës të kryejë veprime hetimore në Maqedoninë e Veriut.
Advertisements
Ngjarja e rëndë kriminale, ka ndodhur në dhjetor 2020 në fshatin Shqitas të bashkisë Maliq, ku besohet se vëllezërit Olldashi janë rrëmbyer dhe më pas vrarë me goditje pas koke nga një pistoletë “Zastava”. Në vendngjarje policia gjeti 4 gëzhoja të qitura nga arma e krimit, por ato rezultuan se nuk ishin të regjistruara në listën e sistemit “Arsenal” të Policisë së Shtetit. Mes dhjetëra veprimeve hetimore, tashmë prokuroria e Korçës me shpresën se do arrijë të zbardhë këtë ngjarje kriminale dhe arrestojë autorët e vrasjes makabre të dy vëllezërve Olldashi, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit policisë maqedonase.
Advertisements
Grupi i hetimit në muajin Prill 2022, i është drejtuar me një letër-porosi Ministrisë së Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, lidhur me verifikimin e një personi të quajtur Flamur Dauti, i arrestuar për drogë në fshatin Prilep të këtij shteti. Përmes informacioneve operative është mësuar se dy vëllezërit e vrarë Martin dhe Andrea Olldashi, kryenin aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve, dhënies së parave me fajde, vjedhjes dhe shkatërrim prone me eksploziv si dhe dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë hetimeve të kryera janë kryer disa verifikime duke ngritur dyshime të forta se dy vëllezërit e vrarë kishin lidhje dhe bashkëpunim me personin e arrestuar në 8 dhjetor 2020 në Maqedoninë e Veriut. Ky person është arrestuar me 53 kg marijuanë, të cilën e kishte futur nga Shqipëria. Ndalimi i tij u krye pikërisht mbrëmjen 8 dhjetorit, kur në Shqipëri, janë vrarë me 4 plumba dy vëllezërit Olldashi.
Dauti ka pasur njohje me Andrea Olldashin dhe besohet se së bashku kanë bashkëpunuar për shitjen dhe trafikimin në Maqedoni të sasisë prej 53 kg marjuanë. Nisur nga këto të dhëna, prokuroria e Korçës ka kërkuar bashkëpunim me policinë maqedonase, duke ofruar mundësinë e pyetjes të arrestuarit Flamur Dauti, verifikimin e tij si dhe kopjen e dosjes hetimore ku ai akuzohet për trafik droge nga prokuroria maqedonase. Deri në këtë fazë ku ndodhet çështja penale, prokuroria ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete nga zyrtarët maqedonas, ndërkohë prej datës 18 mars 2024, hetimet për dy vrasjet e bujshme janë pezulluar, deri në pritje të një përgjigje zyrtare nga drejtësia e Maqedonisë së Veriut.