Vritet me armë zjarri babai i Roan Brahimit. Rivali i Ervis Martinajt u ekzekutua një vit më parë në Athinë

Është vrarë me armë zjarri në një atentat në fshatin Pllanë të Lezhës, Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit i cili u ekzekutua në Athinë rreth një vit më parë.

Advertisements

64-vjeçari është qëlluar me armë zjarri rreth orës 20:00 të mbrëmjes së sotme nga persona ende të paidentifikuar.

Advertisements

Viktima Gjovalin Prendi

Raportohet se viktima ka qenë duke konsumuar kafe në lokal dhe disa persona kanë ndaluar para tij dhe e kanë qëlluar. Familjarët e kanë dërguar më pas në spital por s’ka mundur dot t’i shpëtojë plagëve të marra.

Vendngjarja

Njoftimi i policisë

Në fshatin Pllanë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Gj. P. 64 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë.

Forca të shumta të Policisë kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes.

Vrasja e Roan Brahimit në Athinë
Roan Brahimi alias Sidorel Prend u ekzekutua mbrëmjen e 9 majit të vitit 2024 në një atentat mafioz në rrugën “Messolongiou” të Athinës në Greqi.

Ai ndodhej në automjet së bashku me bashkëshorten e tij, Katerina Beqo, 37-vjeçe, të cilët ndaluan automjetin për të marrë djalin e tyre, i cili po luante në një park.

Sipas mediave greke, autorët ishin të maskuar dhe me një motor, teksa dyshohet se kanë ndjekur lëvizjet e viktimës. Ata po prisnin momentin që ai të ndalonte dhe iu afruan me motor duke hapur zjarr me breshëri.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi mbeti i vdekur në vend, teksa e plagosur lehtë mbeti edhe bashkëshortja e tij.

Roan Brahimi dhe partnerja e tij raportohet se jetonin pranë vendit të ngjarjes. Ndërkohë dëshmitar okular ka qenë edhe fëmija i çiftit që po luante aty pranë.

“Vajza ime e vogël po luante me fëmijën e tij, dëgjuam të shtënat dhe vrapova për të parë nëse kishte ndodhur diçka apo ishte thjesht një lojë. Vogëlushja qante dhe thoshte “babai im, babi im”, tregoi një dëshmitare.

“Dëgjuam të shtënat. E kuptuam që diçka ndodhi, vrapuam, pamë makinën të parkuar në cep dhe gruaja e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Erdhën për të marrë fëmijën e tyre që po luante”, tha një dëshmitar okular, duke shtuar se çifti ishte vetëm në makinë.

Ndërsa një tjetër: “Ishin si dinamit. E pashë djalin të mbuluar me gjak”.

Mediat greke kanë publikuar edhe foton e Roan Brahimit alias Sidorel Prendit, të ekzekutuar brenda automjetit të tij.

Skenat e panikut që pasuan vrasjen mizore përshkruhen nga një biznesmen, dyqani i të cilit ndodhet pak metra larg vendit të ekzekutimit. Sipas tij, fillimisht ka dëgjuar tre të shtëna dhe sapo ka dalë nga dyqani i tij për të parë se çfarë ka ndodhur ka parë një grua në gjendje shoku duke bërtitur “e hëngrëm”.

“Kam dëgjuar tre të shtëna. Në atë moment dëgjova në radio se lojtarët e Olimpiakosit po hynin në stadium dhe pyeta veten ‘a filluan fishekzjarret tani?’ Unë dal në hyrje të dyqanit tim dhe shoh një grua që hap derën e makinës dhe bërtet ‘po e vranë, po e vranë’, diçka e tillë. Nuk e vura re nëse kishte gjak. Pas makinës, dhjetë metra më tutje ndodheshin dy fëmijë të mitur të cilët i larguan. Nuk e di nëse ishin fëmijët e viktimës. Mirëpo, e mora vesh që ishte në shesh”, shpjegon biznesmeni, ndërsa përmend se kur xhelatët po vrisnin 32-vjeçarin, në shesh kishte dhjetëra fëmijë.”, tha ai.

Roan Brahimi nuk jetonte në Greqi në atë kohë, por në Emiratet e Bashkuara Arabe, vend ku strehoen edhe shumë persozhe të tjerë të krimit, për t”iu shpëtuar prangave të Policisë dhe plumbave të rivalëve.

Ai kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Greqi, për të vizituar bashkëshorten Katerina Beqo dhe djalin e vogël 7 vjeç, të cilët jetonin në Virona të Athinës, pranë vendit ku ndodhi atentati. Ata kishin festuar Pashkën ortodokse së bashku.

Kush ishte Roan Brahimi dhe saga e vrasjeve në fisin e tyre

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, i cili për miqtë dhe të afërmit njihej si “Sidi”, nuk ishte një emër i panjohur për Policinë e Shtetit, teksa njihej dhe si rival i njerëzve të afërt të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Në vitin 2014, Roan Brahimit ju vranë në atentat dy djem xhaxhallarësh dhe u plagos një tjetër. Konkretisht mbetën të vrarë Klodian Ndreca e Taulant Prendi dhe u plagos Aurel Prendi.

Katër vite më vonë, ai u arrestua në Lezhë, ku iu sekuestruan municione, euro dhe bizhuteri të dyshuara nga veprimtaria kriminale e vjedhjes.

Ndërkohë në dhjetor të vitit 2020, lokali në pronësi të Gjovalin Prendit, babai i Roan Brahimit alias Sidore Prendit, u qëllua me breshëri plumbash, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Ndërsa, në vitin 2021, Roan Brahimi u shpall në kërkim nga Policia, pasi së bashku me dy persona të tjerë shkaktuan terror në një lokal në Zejmen të Lezhës. Bashkë me Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozi, ata u futën të armatosur me kallashnikov duke kërkuar pronarin, ngjarje e ndodhur në vitin 2021.

Roan Brahimi alias Sidorel Prendi dyshohet si i përfshirë dhe në dy atentatet që tronditën vendin në verën e vitit 2022. Më konkretisht atë të 17 korrikut 2022 tek mbikalimi i Fushë Krujës, ku u ekzekutua djali i xhaxhait të Ervis Martinajt, Brilant Martinaj, bashkë me dy shokët e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Po ashtu, dyshohet si i përfshirë edhe në atentatin e regjistruar ndaj krahut të djathtë të Ervis Martinajt, Ylli Brahimi alias Ylli Brahja, i cili mbeti i plagosur dhe u ekzekutua Klisman Preçi.

Për të dyja ngjarjet, ai ka qenë në kërkim, ku Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e tij në fshatin Pllanë të Lezhës, por nuk u gjet në banesë si në atentatin e parë, po ashtu edhe në të dytin.

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti vetëm babain e tij, Gjovalin Prendi, i cili u shoqërua në komisariat për të dhënë deklarimet e tij. Gjovalin Prendi tha se nuk kishte asnjë dijeni se ku ndodhej djali i tij, të paktën prej një viti, teksa mohoi që djali i tij të kisjhte probleme me Ylli Brahimin (Brahjan).

“Nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e rëndë. Gjithçka e mësova nga televizori. Klisman Preçin nuk e njoh fare. Kurse Ylli Brahimin e njoh pasi kam lidhje miqësore. Kjo, pasi nusja e djalit tim, Roan Brahimi (Sidorela Prendi) është kushërirë e afërt e Ylli Brahimit. Me sa di unë, babain e nuses së djalit tim, Ylli e ka djalë xhaxhai.

Djali im Roan Brahimi ndodhet jashtë shtetit. Se në cilin shtet nuk e di, pasi nuk kam asnjë komunikim me të prej kohësh, prej më tepër se një vit. Nuk i kam as numër telefoni dhe asnjë adresë në rrjetet sociale.

Nuk kam asnjë dijeni që djali im të ketë pasur apo ka konflikte me Ylli Brahimin dhe njerëzit e tij. Marrëdhëniet e mia me miqtë janë normale dhe korrekte. Ashtu kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë. Lidhur me ngjarjen e ndodhur dua të them se më ka ardhur shumë keq, pasi i kam miq shtëpie.” – ka deklaruar në atë kohë Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit alias Sidorel Prendit.

Por pse grupi hetues po investohej kaq shumë në emrin e Roan Brahimit, si një nga personat më të mundshëm të dyshuar për atentatin ndaj Ylli Brahjas dhe mikut të tij tashmë të ndjerë, Klisman Preçit. Sipas dokumentave sekrete të policisë, gjithçka thuhet se lind pas një konflikti që Roan Brahimi kishte me Ylli Brahjan.

Ku ky i fundit, sipas dokumentave të prokurorisë, mendohet se e ka çuar Roan Brahimin në një nga bazat ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar. Bazë që ndodhet në afërsi të Fushë Kuqes, ku mendohet se Roan Brahimi është dhunuar në mënyrë barbare. E gjitha kjo, për borxhet që lidheshin me lojërat e fatit. Me daljen e tij gjallë nga aty, ai thuhet se ka paralajmëruar Ylli Brahjan se “nuk ja falte kurrë atë që i kishte bërë”.