Xherdan Shaqiri kthehet në Zvicër, firmos me klubin e femijërisë

by editor

Përfaqësuesja e Zvicrës ka pasur gjatë viteve të fundit një kontigjent të rëndësishëm lojtarësh me origjinë shqiptare, të cilët kanë pasur rol thuajse parësor në formacion, nisur nga cilësia e tyre më e mirë krahasuar me lojtarët e tjerë. Në këtë kontigjent, lojtarët që kanë lënë më shumë gjurmë janë Behrami, Shaqiri dhe Xhaka, me të cilët Zvicra ka pasur performancë shumë të mirë në garat ndërkombëtare. Duhet thënë se pjesë e kontigjentit në kohë të ndryshme kanë qenë edhe Rama, Mehmedi, Jashari etj, por askush nuk ka mundur të bëjë më shumë bujë se dyshja Xhaka-Shaqiri, që jo vetëm kanë luajtur shumë ndeshje me helvetët, por edhe kanë pasur rol përcaktues në shumë takime. Goli i fundit i Shaqirit shënuar për zviceranët ishte në Europianin e Gjermanisë, në ndeshjen ndaj Skocisë, ku ai realizoi një gol të rrallë. Në rang klubesh, Shaqiri ka braktisur Çikago Fajrs dhe është kthyer në Zvicër, tek skuadra e fëmijërisë së tij, Bazeli, ndoshta për të mbyllur aty karrierën e tij të gjatë e të suksesshme.

Advertisements

Transferimi dhe nënshkrimi

Advertisements

Sikurse shprehen vetë mediat sportive zvicerane, Xherdan Shaqiri është bërë me skuadër të re. Futbollisti nga Zhegra është rikthyer në Zvicër, ku ka nënshkruar me ish-klubin e tij, Bazelin. Në verën e vitit 2012, Xherdan Shaqiri la FC Bazelin për të kaluar te Bajerni i Mynihut. Aty fitoi Ligën e Kampionëve dhe më pas u transferua në Inter. Përmes Stoke Sitit, “Shaq” arriti te Liverpuli, ku fitoi edhe një herë tjetër Ligën e Kampionëve. Pas një kalimi te Olimpiku i Lionit, Shaqiri u transferua në Çikago. Tani, turneu i tij botëror ka marrë fund: Ish-ylli i Kombëtares së Zvicrës i bashkohet menjëherë FC Bazelit. Vetëm të mërkurën u bë e ditur se Xherdan Shaqiri ka përfunduar kontratën e tij me Çikagon me efekt të menjëhershëm. Të premten, FC Bazel bëri të ditur se ish-ylli i Kombëtares së Zvicrës po kthehet në shtëpi. Tani, 125 herë ndërkombëtari zviceran ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin e tij të zemrës, deri në verën e vitit 2027, dhe do të mbajë numrin 10.

Qëndrimi i Shaqirit

Advertisements

Xherdan Shaqiri ka dhënë komentet e para si lojtar i kthyer në radhët e Bazelit. “Jam i mbushur me krenari dhe jam shumë i kënaqur që jam kthyer në qytetin e Bazelit. Kam marrëdhënie të thella me klubin, të cilat nisën qëkur isha fëmijë. Si tifoz fillimisht e më pas edhe si lojtar”, ka thënë Shaqiri në komunikatën zyrtare të klubit zviceran. “Jam zhvilluar si futbollist te Bazeli, nga ku e nisa karrierën time ndërkombëtare. Tani dua që të sulmoj sërish me Bazelin dhe mezi pres që t’i shoh tifozët sërish”. Kthimi i tij te Bazeli është pritur mirë edhe nga klubi. “Të presim ngrohtësisht në Bazel, i dashuri Shaq!”, ka shkruar klubi. “Kemi folur me Xherdanin me javë të tëra dhe jemi jashtëzakonisht të lumtur që rikthimi i tij te Bazeli u bë i mundur. Fakti që lojtari i një kalibri të tij po luan sërish me fanellën ‘kuqeblu’ në Superligë, është sinjal i fortë për klubin, qytetin e Bazelit dhe rajonin, por edhe për futbollin e Zvicrës në përgjithësi”, tha drejtori sportiv i Bazelit, Daniel Stuki.

You may also like