Zbardhet dosja: Si ndodhi tragjedia në Lushnjë ku vdiqën babë e bir. Magazina në pronësi të deputetit Çela në shkelje të lejes së ndërtimit

by editor

Është zbardhur dosja hetimore për shpërthimin e fuqishëm në 1 mars 2024 pranë magazinës në ndërtim ku për pasojë humbën jetën 2 persona dhe u plagosën shtatë të tjerë, mes tyre edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela.

Advertisements

Ekspertët e policisë së Lushnjës kanë dalë në përfundim se shpërthimi në kapanonin në pronësi të deputetit të Partisë Socialiste, Bujar Çela në lagjen e “Karbunarë e madhe”, ka ndodhur për shkak të një avarie në punë.

Advertisements

“Nga hetimet e kryera dhe nga konkluzionet paraprake të ekspertëve dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një avari që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Kjo avari ka bërë që një nga bombolat e cila dyshohet të këtë qenë më përmbajtje gazi acetilen ka shpërthyer duke shkaktuar dhe dëmet me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, plagosjen e shtate të tjerëve dhe dëmtimin e objektit, banesave dhe e bizneseve përreth”, thuhet në dosje.

Për ndërtimin që deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela po kryente në magazinat e tij në periferi të Lushnjes, nuk kishin dijeni asnjë nga institucionet lokale. Kjo ka dalë nga dëshmia e dhënë grupit të hetimit nga Robert Kola me detyrë drejtues në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Lushnje, i cili shpjegon se nuk ka pasur dijeni për ndërtimet deri në momentin e ngjarjes.

Në referimin që dy oficerë të policisë gjyqësore kanë bërë në prokurorinë e Fierit, ata evidentojnë se nisur nga hetimet paraprake ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi deputeti Çela kishin marrë një leje në shtator me afat një vit, por që pas aktit të konstatimit IVMT ka rezultuar se ai ka kryer punime ne objekt në tejkalim të lejes së ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje. Nga dëshmitë e marra rezulton se deputeti po e bënte magazinën në tokën e tij për të lëshuar dyqane me qira.

Një fakt tjetër i rëndësishëm që theksohet nga hetimet paraprake është se për të kryer punime pas lejes së ndërtimit, Çela kishte vetëm një kontratë me një ndërtues.

“Nisuar nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorise Prane Gjykates së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnje, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1 vjeçar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03,2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit bashkia Lushnje ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje”, sqarohet më tej në dosje.

Sipas dosjes ambienti në pronësi të deputetit të PS-së shfrytëzohej edhe nga Shaqir Kasapi dhe Saimir Korreshi.

“Nga kqyrja vihet re se ne ambientin e perbashket ne anen veriperndimore gjendet magazine ne ndertim e siper e shtetasit Bujar Çela, po kete ane verilindore gjendet magazine ne perdorim nga shtetasi Shaqir Kasapi dhe ne anen veri-lindore gjendet magaizna ne perdorim nga shtetasi Saimir Korreshi. Vendi i ngjarjes eshte me siperfaqe 10.000 m2 dhe ne anen veriore-jugore dhe perendimore eshte magazine ne ndertim e siper e shtetasit Bujar Çela, te cilat jane me mure betoni me lartesi 2 m, me pas me profile hekuri dhe te ndertuara me panele sanduiç.Në hyrje te vendit te ngjarjes eshte magazine ne perdorim nga shtetasi Saimir Korreshi , ne te cilen gjenden asortimente ushqimore dhe pas saj me drejtim veri-lindor gjendet magazine ne perdorim nga shtetasi Shaqir Kasapi dhe mbas saj shtrihet magazine ne ndertim e siper e shtetasit Bujar Çela, e cila eshte ne formen e germes “J “ ne krahe te kundert”, thuhet në dosje.

Deri ne këto momente prokuroria nuk e ka marrë ende në pyetje deputetin Bujar Çela, i cili ndodhet i shtruar për shkak të dëmtimeve ne spitalin e traumës në kryeqytet. Në fund hetuesit kanë referuar çështjen për vepra penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, shkatërrim i pronës nga pakujdesia, ndërtim i paligjshëm.

“Për sa më sipër nga tërësia e materialeve hetimore të deritanishme rezulton se jemi para veprave penale të Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal. U kryen te gjitha veprimet e para hetimore dhe materialet i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprat penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë parashikuar nga neni 289/2 të Kodit penal, Shkatërrim i pronës nga pakujdesia të parashikuar nga neni 161 i K.Penal dhe ndërtimit të paligjshëm të parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal.”

Nga shpërthimi mbetën të vdekur babë e bir Roland dhe Elidon Hoxha ka qenë i pranishëm edhe djali më i vogël Klejdi Hoxha, i cili ka parë ngjarjen. /albeu.com

You may also like