10 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë spanjolle pas zbulimit të disa magazinave dhe shtëpive ku ishte kultivuar kanabis.
Advertisements
Hetimet mësohet se kanë nisur një vit më parë kur policia katalanase zbuloi aktivitet të dyshimtë në një magazinë industriale në Cervera, në rajonin e Segarrës. Indikacionet fillestare tregonin për një kultivim të marijuanës në shkallë të gjerë.
Advertisements
Menjëherë më pas u zbulua një plantacion i dytë, ky i vendosur në një magazinë të ngjashme në komunën Manlleu, në Osona. Në të dyja rastet, instalimet elektrike janë manipuluar për të mashtruar furnizimin me energji elektrike, shembull klasik i këtij lloj krimi.
Në Cervera u bë bastisja e parë në një magazinë industriale, ku u arrestuan katër persona të dyshuar. Aty u çmontua një plantacion me 277 bimë marijuanë dhe u gjetën 600 vazo bosh, gati për të marrë një korrje të re. Hapësira ishte e pajisur plotësisht për kultivim intensiv, me ajrim, ndriçim industrial, ajër të kondicionuar dhe produkte fitosanitare.
Ambienti i dytë, i vendosur në Manlleu u kontrollua gjithashtu. Atje një anëtar i grupit u arrestua dhe u sekuestruan 567 bimë marihuanë. Vlera totale e drogës së sekuestruar mes dy plantacioneve arrin në qindra mijëra euro.
U kryen dhe tre kontrolle të tjera, në dy apartamente në komunën e Salou dhe një në Blanes. Gjatë këtyre bastisjeve, pesë persona të tjerë u arrestuan dhe u sekuestruan 75 kilogramë sytha marihuanë të gatshme për shpërndarje, së bashku me 10,900 euro para të gatshme dhe 25 gramë kokainë. Sipas burimeve policore, vlera e marihuanës së sekuestruar në tregun e zi llogaritet në 482.500 euro.
Të gjithë të arrestuarit, të akuzuar për krime kundër shëndetit publik, mashtrim me energjinë elektrike dhe anëtarësim në grup kriminal, u sollën të enjten para gjykatës hetimore të Cerverës . Duke pasur parasysh provat e shumta dhe natyrën e rrezikshme të grupit, gjyqtari urdhëroi burgosjen e të gjithëve.