BIRN: Vëllai i kryeministrit, Olsi Rama akuzohet për lidhje me të dënuarit e dosjes “Xibraka”

by editor

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi akuzoi të enjten Olsi Ramën, vëllai i kryeministrit Edi Rama, për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014 dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë hetimet për të verifikuar rolin e tij në dosjen e njohur të laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Advertisements

Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.

Advertisements

“Prokuroria hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës,” tha Bardhi, duke theksuar se Olsi Rama ishte në atë kohë 45 vjeç. Ai shtoi gjithashtu se “vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë”.

Zyra e shtypit e kryeministrit nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN për koment mbi akuzat e ngritura ndaj vëllait të Ramës deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa Olsi Rama ishte i paaritshëm.

Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës.

E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014. BIRN nuk arriti të verifikojë në mënyrë të pavarur dokumentet e vëna në dispozicion nga Bardhi.

Sipas Bardhit, prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, por një hetim për personat e paidentifikuar është mbyllur më tej.

Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.

Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.

Sipas kreut të grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, nuk dihet çfarë fati ka pësuar dosja e veçuar sekrete me personin e paidentifikuar nga policia. Bardhi i kërkon Prokurorisë së Posaçme që të japë një përgjigje për këtë.

“Janë kaq shumë fakte, rrethana dhe indicie në dosjen e hetuar keq të prokurorisë, saqë drejtësia ka për detyrë të rihapë dosjen menjëherë,” tha Bardhi duke i bërë thirje kreut të SPAk./BIRN

You may also like