Vrasja në 2 qershor 2021 e Fridman Xhaferaj në Korçë, ka qenë më ekstremja dhe torturuesja, që ka kryer grupi i djemve i drejtuar nga Laert Haxhiu, i cili tashmë është arrestuar në Greqi dhe është në pritje të procedurave të ekstradimit në Shqipëri.
Advertisements
Krimi i rëndë ka ndodhur vetëm 24 orë pasi i njëjti grup kriminal kishte ekzekutuar tregtarin Çajup Selimin në Tepelenë dhe brenda kësaj nate, anëtarët e grupit të udhëhequr nga Laert Haxhiu, kanë udhëtuar drejt Korçës, me qëllimin e vetëm për të ekzekutuar mikun e tyre, Fridman Xhaferaj.
Advertisements
Fridman Xhaferaj, që thirrej me nofkën “Kushëriri” i kishte dalë nga dëshira Laert Haxhiut, pasi sipas tij ishte një anëtar grupi që sillte vetëm probleme dhe bënte gabime.
Në një rast Fridmani, i kishte prishur paratë e drogës Laert Haxhiut pa e vënë në dijeni atë, ndërsa në një rast të dytë i kishte kërkuar drogë hapur në telefon Ligor Romançkës, dhe ky gabim ishte i pafalshëm për anëtar grupi kriminal që fliste hapur në telefon.
“…e kam marrë kot në grup Fridmanin, sepse asnjë punë nuk më ka bërë…”-shprehej Laert Haxhiu, sipas dëshmisë së Tafanit.
Ndërsa raste më i rëndë dhe që mbushi kupën ishte presioni që Fridman Xhaferaj nga brenda burgut të Peqinit, i kishte bërë Laert Haxhiut, se nëse nuk e lironte nga burgu, ai do fliste për punët kriminale të Haxhiut, lidhur me djegien e disa makinave në qytetin e Lushnjës.
Për këto gabime, Fridman Xhaferaj u dënua me vdekje nga drejtuesi i grupit Laert Haxhiu, i cili vrasjen e kreu së bashku me Artan alias Marjus Tafanin tashmë i arrestuar dhe bashkëpunëtor i SPAK, Ligor Romançkën me nofkën “Golja”, Lulzim Arapin dhe shkodranin Idriz Manej me nofkën “Gjyshka”.
Bashkëpunëtori i prokurorisë Artan Tafani, tregon se vrasja e Fridman Xhaferaj, është kryer dhe për reputacion, pasi vinte në dyshim rolin drejtues dhe ndikimin që kishte Laert Haxhiu brenda grupit.
Në dëshminë e tij, Tafani sqaron se:
”…një ditë pas ngjarjes së Tepelenës, pra në 2 qershor 2021, unë isha tek motel “Deluxe” te Delijorgji në Tiranë me Lulëzim Arapin alis Spahiu që i thërrasin Luli dhe me Laert Haxhiun. Laerti, në këtë ditë merr një telefonatë nga Ligor Romacka me nofkën “Golja” i cili ndodhej në Korçë.
“Golja”, i thotë Laertit që Fridman Xhaferaj, të cilit i thërrisnim “Kushëriri”, kishte bërë sërish gabim dhe kishte porositur drogë duke folur shqeto në celular.
Mirëpo këta e kishin porositur disa herë “Kushëririn” që të mos fliste më në celular për drogë. Laerti, u nxeh shumë kur mori vesh këtë gjë. Por Laerti me Fridmanin kishte edhe pakënaqësi të tjera në dijeninë time…”.
Kjo sepse sipas Tafanit, kur Fridmani kishte qenë në burg, i kishte thënë avokatit të tij Adriatik Guri alias Doga, që t’i thoshte Laertit ta nxirrnin nga burgu Fridmanin ose përndryshe ai do fliste për punët kriminale që kishte bërë për logari të Laertit, si djegien e disa makinave te qendra tregtare në Lushnjë dhe një djegie makine jetër tek “Ypsiloni” në Lushnjë.
Laerti ishte nxehur për këtë presion të kushëririt (Fridmanit).
Gjithashtu “Kushëriri” njëherë kishte marrë drogë dhe lekët që duhej t’ia jepte Laertit, kishte fikur telefonin dhe i kishte prishur vetë lekët dhe drogën.
Pra Laerti kishte shumë pakënaqësi ndaj “kushëririt” dhe sipas Tafanit ai shprehej: “…E kam marrë kot në grup Fridmanin, sepse asnjë punë nuk më ka bërë…”.
Dhe menjëherë pas telefonatës me “Golen”, i cili e vuri në dijeni se Fridmani kishte kërkuar drogë hapur në telefon, Laerti i nxehur i thotë Lulit: “…u mbush kupa, shko merr armën dhe një litar dhe hajde se do nisemi për në Korçë…”.
Luli, shkoi mori një armë model “TT” me silenciator me 2 fishekë brenda, por litar nuk gjeti dot. Armën nuk e di ku e mori por zakonisht armët i linim në ndonjë makinë të parkuar nëpër garazhe të ndryshme.
Pasi erdhi Luli me armën, të tre, Tafani, Luli dhe Laerti, u nisëm për në Korçë. Kemi shkuar me automjetin “Ford” me portobagazh ngjyrë jeshile në gri. Makinës i jepte Laerti, unë isha ulur para, kurse Luli mbrapa.
Rrugës për në Korçë Laerti tha që: “…Fridmanin, do ta vrasim dhe më pas do e hedhim në ndonjë lumë dhe po kontrollonim për një vend të sigurt që dukej më i përshtatshëm.
Gjatë rrugës drejt Korçës, në Pogradec takuam Mariglen Topuzin dhe Bledar Berberin, të cilët hipën në makinë me ne dhe u ulën mbrapa me Lulin. Por duke qenë se ishin nga zona do na tregonim për ndonjë vend me ujë, ku mund ta hidhnim Fridmanin, pasi ta kishim vrarë.
Artan Tafani në dëshminë e tij tregon se:
”…kemi bërë xhiro me “Fordin” që të pestë dhe Laerti i tregoi Maringlenit dhe Bledarit që donim një lumë, ku të hidhnim Fridmanin sepse atë natë do vritej.
Marigleni dhe Bledi, na treguan disa vende por Laerti, nuk i pëlqente. Më pas lamë Mariglenin dhe Bledin dhe shkuam morëm “Golen”, me qëllim mos na tregonte ai për ndonjë lumë apo vend ku ta hidhnim.
“Golja”, ishte ai që na tregoi një si rezervuar a Liqen të Vogël në dalje të Korçës, që Laertit i pëlqeu si vend dhe aty u bë vrasja…”.
Sipas bashkëpuntorit të prokurorisë së posaçme SPAK, Lulzim Arapin e kanë lënë aty buzë rezervuarit, kurse Tafani, “Golja” dhe Laerti, u kthyem tek shtëpia e “Goles”.
“…aty morëm një gomë makine të shfryrë, e cila ishte së bashku me diskun dhe një litar i cili ishte si litar i gjerë nga ata që shërben për të mbajtur paletat e tullave dhe kishte ngjyrë si gri. Unë i thashë mos ta merrnin gomën, se nuk na bënte punë.
Laerti, fillimisht tha të merrnim ndonjë bombël gazi, por më pas vendosëm për gomë makine.
Pasi futëm këto sende në bagazhin e “Fordit”, Golja telefonoi kushëririn e tij që jeton në Amerikë, por që atëherë ndodhej në Korçë dhe ishte mbi 20 vjeç, të cilit nuk ia kujtoj emrin.
“Golja”, e porositi kushëririn që të shkonte e të lajmëronte Fridmanin dhe Idriz Manej, i cili ishte nga veriu dhe i thërrisnim “Gjyshka”, që të vinin të dy afër banesës së “Goles”.
Në atë kohë kur u planifikua vrasja dhe u krye krimi, “Gjyshka” dhe kushëriri (Fridmani) jetonin të tre në një banesë me qëra brenda në Korçë, afër shtëpisë së “Goles” dhe kjo banesë shërbente si bazë, ku këta mblidheshin, mbanin armët dhe bënin planet. Unë nuk kam qënë ndonjëherë te kjo banesë.
Laerti vendosi që të vinte dhe “Gjyshka” me ne, në mënyrë që ta shikonte kur Fridmani do vritej dhe t’i hynte frika, që mos bënte edhe ai gabime pasi po atë fund do kishte dhe ai…”-ka treguar Artan Tafani.
Pasi “Gjyshka” dhe “kushëriri” kishin ardhur jashtë banesës së “Goles”, ata së bashku kanë hipur të gjithë tek makina tip “Ford”. Laerti ka qënë shofer, “Gjyshka” në sediljen e parë, Artan Tafani, “Golja” dhe Fridman Xhaferaj, që do vritej janë ulur mbrapa.
“…Ishte pasdite duke u errësuar. Laerti na porositi më parë që ta merrnim “kushëririn” me të mira, që mos dyshonte.
Fridmani, pyeti se ku po shkonim, dhe unë i thashë që do shkojmë për të gjetur bar.
Shkuam tek vendi, ku na priste Luli dhe mbaj mend që vendi ishte me pisha dhe gurë. Parkuam makinën dhe ecëm pak në këmbë, aty na u bashkua edhe Luli.
Në momentin që ishim në këmbë, Laerti e ka kapur Fridmanin nga qafa dhe i tha: “…si ishte ai muhabeti i avokatit, do të tregosh ti çfarë kemi bërë ne…?”. Fridmani, ia mohonte këtë gjë dhe i tha disa herë: “…jo jo…”.
Në atë moment Laerti, i thotë Lulit: ”…nxirre armën dhe futja…. Fridmani, filloi të bërtiste dhe kërkonte falje dhe i lutej duke i thënë: “…mos më vrit …mos më vrit…”.-tregon Tafani.
“…Golja”, Luli dhe Laerti, e mbanin Fridmanin nga krahët sepse ai lëvizte dhe tentonte të ikte. Laerti dhe “Golja”, e ulën Fridmanin në gjunjë dhe Luli ishte pas tyre. Laerti, i tha Lulit: “…futja tani…”.
Luli kishte 2 fishekë në armë dhe qëlloi njëherë drejt kokës së Fridmanit me drejtim nga pas kokës përpara, por Fridmani e lëvizi kokën dhe plumbi nuk e kapi.
Luli, po mundohej t’ia vendoste armën në kokë, ta puthiste por Fridmani, e lëvizte kokën.
Luli, ishte ngjitur me Fridmanin nga pas tij, ndërsa “Golja” dhe “Laerti”, secili anash Fridmanit, kurse unë dhe “Gjyshka” përballë Fridmanit.
Pasi shtiu Luli, Laerti i tha Fridmanit, të mos lëvizte më. E mbaj mend shumë mirë këtë moment. Fridmani ishte i gjunjëzuar, më shikonte në sy dhe duke qarë thoshte: “…o Marjus… o Marjus të lutem, mos më vrisni…”.
Më pas Fridmani, u dorëzua si të thuash dhe i tha Laertit, “…nëse do të më vrasësh, jepi…”.
Në dosjen hetimore thuhet se aty Lulzim Arapi ia puthiti përsëri armën dhe qëlloi nga pas koke, ku plumbi i ka dalë në pjesën e sipërme.
Trupi i Fridmanit, është shembur në tokë i cili edhe pse ishte ende gjall, është hedhur në ujërat e rezervuarit të Gjançit në Korçë, pasi ishte lidhur me litar dhe një gomë.
Sipas dëshmisë së Tafanit, trupi u fundos për pak çaste dhe doli sërish mbi ujë. Në këtë moment “Luli” dhe “Golja”, hynë brenda në rezervuar dhe uji i vinte deri afër qafës dhe të dy e nxorrën Fridmanin nga uji.
“…mbaj mend kur e nxorrën, Fridmani bëri një rënkim të fundit dhe aty besoj, ka vdekur. Luli dhe “Golja” e zgjidhën dhe e hoqën gomën. Gjetën aty disa gurë të mëdhenj dhe lidhën litarin me to dhe e shtynë trupin e Fridmanit për në rezervuar.
Trupi i tij, nuk po shtyhej dot dhe mbaj mend që i kam dhënë një të shtyrë me shkelm sepse kishte ngecur në disa gurë.
Trupi, filloi të zhytej dhe ne pritëm aty derisa u zhyt plotësisht dhe u siguruam që nuk doli më.
Pastaj, jemi larguar. E gjitha kjo gjë ka zgjatur 20-30 minuta. Armën e ngjarjes me aq sa kujtoj e ka hedhur Luli ose “Golja”, po aty tek rezervuari por pak më lartë vendit ku hodhëm trupin e Fridmanit…”-ka treguar Artan alias Marjus Tafani.
Nga aty i gjithë grupi, Laert Haxhiu, Idriz Manes alias “Gjyshka”, Ligor Romançka alias “Golja”, Artan Tafani, Lulzim Arapi, janë larguar në drejtim të Korçës, në shtëpinë e Romançkës.
Më pas Luli, është larguar në drejtim të Lushnjës, pasi kishte për të çuar në këtë qytet makinën tip “Ford” të përdorur në vrasje.
“Gjyshka” iku në punë të tij, kurse Tafani, “Golja” dhe Laerti qëndruan tek shtëpia e “Goles” dhe hëngrën bukë. Më pas me makinën tip “Benz Evo” që kishin me qëra, “Golja” ka çuar Laert Haxhiun dhe Artan Tafanin, tek një shtëpi në Korçë që kishte Laerti si bazë dhe i thonin “Shtëpia Vip”.
“…jemi ngjitur në këmbë, “Golja” qendroi 5 minuta dhe më pas iku. Hyrja kishte dy dhoma dhe një kuzhinë. Në kuzhinë kishte një oxhak dhe kolltukët kanë qenë në ngjyrë si kafe e hapur.
Aty kemi qëndruar për afro 1 javë dhe më pas së bashku kemi ikur në Tiranë, ku kam marrë dhe pagesën për ngjarjen e vrasjes së Çajup Selimit në Tepelenë…”-ka treguar në dëshminë e tij Artan Tafani.