Sali Berisha dhe Edi Rama po e luajnë lojën shumë mirë për të mbajtur njëri-tjetrin në pushtet, në mënyrë që të mbretërojnë të qetë dhe askush të mos ua prekë pasurinë, madje kujdesen që të dy ta shtojnë dita-ditës.
Advertisements
Berisha akuzon shpesh herë se Ramën se iu shërben oligarkëve, por asnjëherë nuk përmend emra oligarkësh, të cilët privilegjohen nga pushteti politik me qëllim që të shërbejnë për të shërbyer si kanale për të kaluar një pjesë të madhe të parave dhe pasurisë publike, domethënë atë që iu përket të gjithë shqiptarëve tek politikanët në pushtet.
Advertisements
Në këtë proces oligarkët pasurohen, duke u privilegjuar nga pushteti politik me ndërtimin e gjithëfarlloj skemave për t’ i vjedhur shqiptarët, si koncesione, ndërtime në zona turistike, investime në tregti e shërbime që kreditohen nga Bashkimi Europian, si dhe me një numër të madh ligjesh që në fakt janë privilegje në dobi të oligarkëve. Pse Berisha dhe Rama nuk përmendin asnjëherë emra oligarkësh? Arsyeja është fare e thjeshtë. Kreu i PD dhe Edi Rama financohen nga këto biznese që marrin miliona euro nga shteti. Një nga këta oligarkë që furnizon me para“non gratën” dhe kryeministrin është Samir Mane. Shkëlzen Berisha financohet nga oligarku Samir Mane, madje ky i fundit ishte dhe i ftuar në dasmën e tij.
Pasuria e Manes
Advertisements
Kur e dëgjon historinë nga goja e Samir Manes se si e ka vendosur pasurinë dëshiron ta ndjekësh si shembull. Por nga ato që do të rendisim më poshtë, do të shihni se si Rama dhe Berisha gjatë viteve të tyre në pushtet kanë krijuar një personazh që ka marrë nën kontroll gjithçka që prodhon para në Shqipëri. Në një intervistë të publikuar disa kohë më parë, Samir Mane ndau me publikun disa detaje se si ka arritur këtu ku është sot. Diskursi i komunikimit të tij i mëshonte një pike: jam pasuruar në Austri dhe kam ardhur në Shqipëri me disa milion euro në xhep të investoj pasurinë që bëra andej. Në fakt po të dëgjoje intervistën kuptoje se Mane nuk është pasuruar nga austriakët, por nga shqiptarët dhe politika. Vetë ai rrëfeu se tregtinë e nisi duke blerë lirë televizorë në Austri dhe më pas ia shiste shqiptarëve 3-4 herë më shtrenjtë. Erdhi pastaj në Shqipëri dhe të ardhurat e tij vetëm janë shumëfishuar. Po si ia shumëfishoi politika? Po e nisim me vendimet e Sali Berishës në favor të oligarkut.
Vendimet
Qeveria e Sali Berishës miratoi me dhjetëra vendime, në fshehtësi dhe publikisht, kryekëput në shërbim të Samir Manes. Seria e ligjeve klienteliste starton me ligjin për elektroshtëpiaket për të favorizuar biznesin e tij. Ky ligj eliminonte pajisjet e përdoruara me gjoba dhe taksa të larta, për t’i rritur xhiron biznesit të Manes me pajisjet e reja. Vendimi më skandaloz ka të bëjë me koncesionin e ngjyrosjes së karburanteve, ku Samir Mane fiton 200 milionë euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Një tjetër vendim për interesa të Samir Manes është edhe vendimi për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku te qendra tregtare e Samir Manes, Teg. Berisha ndryshoi projektin e Unazës së Madhe dhe akordoi një fond prej 12 miliardë lekë për të zgjedhur rrugën nga Filologjiku te qendra tregtare.
Koncensioni për ngjyrosjen e naftës
Është një nga aferat më të zeza të qeverisë Berisha. Bëhet fjalë për koncesionin e ngjyrosjes së naftës për konsum nga tregu masiv. Nga ky koncesion Samir Mane mori 200 milionë euro. Dy kompani private markuan naftën në Shqipëri. Tregtarëve të naftës iu shtua një kosto, e cila u transferua tek konsumatorët. Vendimi u mor nga Berisha, e cila ia dha me koncesion për 10 vjet shoqërive “Global Fluids International”, s. a., dhe “Petroleum Consulting Partners”, A. G, kontrollin e naftës.
Samir Mane futet në tregun e telekomunikacionit
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Samir Mane u fut edhe në tregun e komunikimit. Ai mori kompaninë“Plus”. Falë lidhjeve dhe mbështetjes së qeverisë “Berisha”, ku në dosjen e SPAK dilte se e ka favorizuar dhe Ilir Meta, Mane ishte aksioneri kryesor tek operatori “Plus”. Pavarësisht luftës së vazhdueshme nga tre kompanitë e tjera në vend, “Plus” arriti të futej në treg duke nënshkruar marrëveshjen e interkonjeksionit me operatorët e tjerë celulare dhe me Albtelecom. Çështja shkoi për zgjidhje në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. AKEP mori në shqyrtim kërkesën për zgjidhjen mosmarrëveshjes të interkonjeksionit me operatorët Albtelecom, AMC, Eagle Mobile dhe Vodafone Albania.
Futja në sektorin e minierave
Falë lidhjeve me qeverinë Berisha, Samir Mane, hyri edhe në sektorin e minierave. Autoriteti i Konkurrencës lajmëroi se kompania “Balfin” në pronësi të Manes, bleu shoqërinë koncesionare të shfrytëzimit të kromit, “Albanian Chrome” (ACR), e cila operonte në minierën e Bulqizës, si dhe kishte fabrikat e pasurimit dhe përpunimit të ferrokromit në Burrel e Elbasan. Austriakët e DCM-së, të cilët kishin në pronësi koncesionin e minierës dhe fabrikave, përmes shoqërisë ACR, prej kohësh deklaronin se njëri variant ishte shitja e aksioneve, nisur nga problemet e shumta të shkaktuara në galeritë e minierës dhe skandalit me ministrin Genc Ruli për favorizime me taksat dhe investimet. “Albanian Chrome” ishte kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011-n, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi një vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj.
Braçe: Minierat, në duart e klientit të Berishës
Sot të vjen të qeshësh, kur lexon reagimin e Erion Braçes për Samir Manen, të cilin e quante atëherë klientin e Berishës. “Mënyra si është menaxhuar kjo minierë është treguesi i një korrupsioni te shumëfishte. Kontrata koncesionare ne 12 vite nuk është zbatuar. Kjo, kur po konsumohet gjysma e afatit te koncesionit”, ka pohuar Braçe. Në vijim të komentit për këtë çështje deputeti socialist deklaronte se tashmë Bulqizës i ka ardhur radha të përfundojë në duart e një klienti të Berishës, siç e quante ai biznesmenin Samir Mane, të cilit i drejton disa pyetje. “Sa para e bleve ACR, shoqërinë që thotë se zotëron kontratën koncesionare? Si e bleve? Me detyrime apo pa to? Domethënë me detyrimet e saj ndaj Qeverise dhe me detyrimet e Qeverise ndaj saj? Cili është çmimi i blerjes? 13 milionë euro? Nëse është ky, atëherë është skandal”, deklaronte Braçe në atë kohë, duke theksuar se i gjithë koncesioni nga njëra dore në tjetrën, ka arkëtuar në 12 vite qindra milionë euro.
Ligji i ri për pajisjet elektroshtëpiake
Berisha miratoi një ligj special për elektroshtëpiaket, për të favorizuar Saimir Manen. Ligji i ri “Për pajisjet elektroshtëpiake dhe ato nën presion”, eliminonte me gjoba dhe taksa të lartë pajisjes e përdoruara, për t’i rritur gjiron biznesit të Manes me pajisjet e reja. Sipas ligjit çdo pajisje elektronike, elektroshtëpiake ose nën-presion që ka një vlerë mbi 5 mijë lekë duhet të jetë e shoqëruar me një garanci minimalisht 2 vjeçare. Pajisjet e tjera që janë nën këtë shumë, duhet të kenë garanci 1 vit nga afati i futjes në punë.
Vendimi për pajisjet në miniera
Samir Mane u ndihmua nga Berisha me një vendim klientelist, me anë të të cilit Berisha i hiqte taksën për makineritë që do të sillte Mane për shfrytëzimin e minierave. “Vendim nr. 671, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa në vendimin nr. 180, datë 13.2.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e listës së makinerive e të pajisjeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe të procedurave të përjashtimeve e të kritereve përkatëse”, thuhet në vendim. Por çfarë parashikonte më konkretisht akti në fjalë, i miratuar me aq ngut nga Sali Berisha në atë kohë? Akti në fjalë listonte një sërë makinerish dhe pajisjes të cilat përjashtoheshin nga taksa. Por të gjitha makineritë dhe pajisjet e listuara kanë lidhje me bindet e Samir Manes. Kështu, akti parashikonte të gjitha makineritë dhe pajisjet që nevojiten për shfrytëzimin e minierave të Bulqizës.
Vendimi për rrugën nga Filologjiku te TEG
Vendimi për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku te qendra tregtare e Samir Manes, Teg, ishte një tjetër vendim klientelist i miratuar nga qeveria Berisha. Pasi ndryshoi projektin e unazës së madhe dhe projektin e rrugës së Elbasanit për të favorizuar TEG-un e Manes, Berisha akordoi gjatë pushtetit të tij një fond prej 12 miliardë lekë për të zgjedhur rrugën nga Filologjiku te qendra tregtare.
Devijimi i rrugës së Elbasanit
Autostrada Tiranë-Elbasan dhe Unaza e Madhe e Tiranës, dy projektet të qeverisë Berisha që u përfunduan nga Edi Rama, janë vënë në dispozicion dhe në funksion të qendrës tregtare “Teg”, me pronar Samir Manen. Berisha devijoi më qëllim pranë qendrës tregtare “Teg Center”, autostradën Tiranë-Elbasan dhe Unazën e Madhe të Tiranës, për të favorizuar njeriun e tij. Pra, dy projektet më të rëndësishme kombëtare, qeveria Berisha dhe sot qeveria “Rama” vendosi në dispozicion të supemarketit të biznesmenit. Jo rastësisht autostrada në ndërtim Tiranë-Elbasan, lidhet me Unazën e Madhe të Tiranës, pikërisht pranë kompleksit të ndërtesave të qendrës tregtare Teg Center”. I gjithë projekti për këto dy vepra infrastrukturore është bërë duket pasur si pikë referimit pikërisht ndërtesën “Teg Center”, të biznesmenit në fjalë. Kushdo që bën rrugën Tiranë-Elbasan, pas kodrave të Saukut, konstaton lehtësisht se si qendra tregtare është e rrethuar nga kryqëzimi që krijon Unaza e Madhe me autostradën Tiranë-Elbasan. Atëherë doli edhe shprehja e famshme. “Të gjitha rrugët të çojnë në Teg”.
Vendimi për plazhin e shërbimit
Me një vendim të thjeshtë që mban datën 1 gusht të 2012, qeveria Berisha i dha me koncesion Samir Manes plazhin e Dhërmiut dhe Plazhin e Perivollit, duke diktuar paraprakisht kompaninë e tij si fituese. Si subjekt kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, Këshilli i Ministrave përzgjodhi kompaninë “Eurokontakt”, sh.p.k, pas të cilës fshiheshinn klientët kryesor të Berishës. Kompania e “Eurokontakt”, sh.p.k. ishte pjesë e bashkimit të kompanive “Neptun” sh.p.k dhe “AE Distribution” sh.p.k., pas të cilave fshihej Samir Mane. “Vendim nr. 591, datë 1.8.2012 për përcaktimin e autoritetit kontraktues për zhvillimin e një projekti koncesionar në zonat plazh Dhërmi dhe plazh Perivoll, me karakter turistik, panoramik dhe informues, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë “Eurokontakt”, sh.p.k”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Vendimi për blerjen e autobusëve
Kompania e “Eurokontakt”, sh.p.k. “Neptun” sh.p.k dhe “AE Distribution” sh.p.k., u bashkuan në një kompani. Pas tyre qëndron Samir Mane. Ky bashkim kompanish fitoi në kohën e Berishës edhe një tender nga Drejtoria e Përgjithshme e RTSH, për “Blerje pajisjesh për autobusët TV”, zhvilluar më datë 23.05.2008. Madje Avokati i Prokurimeve nisi edhe një hetim administrativ ndaj këtyre kompanive për pazaret me RTSH. Gjithçka është bërë në mënyrë të dyshimtë dhe abuzive.
Kompani për mbledhjen e borxheve
Nuk ka sektor dhe vend që prodhon para ku mos të shfaqej Mane. Ai u fut edhe tek mbledhja e borxheve. Mane krijoi në atë kohë një kompani për të mbledhur borxhet e qeverisë, duke marrë një pjesë të tyre.
Vendimi për pullat fiskale
Sërish shfaqet Samir Mane. Koncesioni i pullave fiskale të produkteve të tregut ishte tjetër koncesion që kishte në kontroll biznesmeni i familjes dhe i qeverisë Berisha, miku dhe ortaku i ministrit Ridvan Bode. Nuk kishte të drejtë asnjë firmë tjetër të operojë me pulla fiskale në tregun shqiptar, përveç Samir Manes, i cili prej këtij koncesion biznesi përfitoi afro 15 milion euro në vit. Vendimi u mor nga Berisha dhe Bode vetëm për mikun e familjes Samir Mane. Pa dyshime që këto monopole do të shkatërrohen në fillim të vjeshtës dhe klientët e Berishës do të japin llogari për pasurinë që kanë bërë në kurriz të taksapaguesve dhe qytetarëve shqiptarë.
Favorizimet që i ka bërë Edi Rama
Por edhe sot që jemi në 2024, asgjë nuk ka ndryshuar. I vetmi ndryshim është se Samir Mane nga klient i Sali Berishës, kaloi te Edi Rama. Kryeministri është kujdesur që gjatë këtyre 11 viteve pushtet, njësoj si Berisha, të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të Samir Manes, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij. Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e tij të plotësohet dhe pronat e tij të shtoheshin. Samir Mane ka gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, ka përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, ka futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje është investitor strategjik me firmën e Ramës. Samir Mane është më i përkëdheluri nga ligjet e bëra apostafat nga kryeministri. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tij të lulëzonin edhe më shumë. Më poshtë gazeta “SOT” po rendit të gjitha shërbimet e Edi Ramës ndaj Samir Manes. Në faktet që do të tregojmë fshihen skandale të mëdha. Rama fal pasuritë e shqiptarëve për interesat e Samir Manes dhe në fund ata pasurohen, ndërsa populli varfërohet.
Tuneli i Llogarasë dhe Porti i Vlorës
Po e nisim me aferën e tunelit të Llogarasë, dosje e cila ndodhet në tryezën e SPAK. I gjatë afro 6 km, tuneli nis nga Ura e Shën Elizës dhe përfundon te Ura e Palasës, duke kaluar përmes Qafës së Llogarasë. Ky është një nga projektet më të debatuara, për shkak të mungesës së konsultimit publik si dhe për shërbimin që pritet t‘i ofrojë realisht shqiptarëve. Jo vetëm kaq, por ky është tuneli më i kushtueshëm në Evropë. 65 mijë euro për frymë të cilën nuk e ndërton as shteti më i pasur në botë. Fillimisht ndërtimi iu dha me tender kompanisë që kërkoi më shumë para, në garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës. Një bashkim i dy kompanive turke, përfituan 170 milion dollarë për këtë projekt, teksa më herët u shpenzuan 7.5 milionë euro për studimin e fizibilitetit.
Përveç se aty del se ka grabitje të madhe, ky tunel më shumë se shqiptarëve të varfër, do t‘i shërbejë oligarkut Samir Mane, për të dërguar në fshatin e tij turistik sa më shumë turistë. Në fund të majës së Llogarasë, pranë Urës së Palasës aty ku del edhe tuneli, Mane ka ndërtuar tashmë prej vitesh një seri vilash private. Fshati nuk quhet më Palasë, por fshati i Manes, pasi vilat po zgjerohen përgjatë vijës bregdetare. Gjithashtu, Rama me firmën e tij i ka dhënë oligarkut Samir Mane benefite shumë të mëdha, duke përdorur ligjin kontravers të miratuar me debate në vitin 2015, i cili i lejon qeverisë, përmes një komiteti që drejtohet nga kryeministri, që mund t’i japë çdokujt status investitori strategjik, duke i falur tokë private dhe shtetërore, me kushtin e vetëm që të investojë mbi 5 milionë euro dhe të punësojë 80 shtetas. Kompanitë e Samir Manes kanë marrë disa statuse investitori strategjik.
Janë 5 vendime që janë për kompanitë e Manes, si Green Coast, Green Coast 1 dhe 2, si dhe dy projekte në Gjirin e Lalzit, Neë Bord dhe ValaMare. Në të gjitha vendimet thuhet se pronësia e tokës është private dhe publike, si dhe janë vendosur nga shteti shqiptar për Samir Manen mijëra metra katrorë plazh në përdorim. Qeveria i transferoi kundrejt çmimit simbolik 57 mijë metra katrorë tokë në Gjirin e Vlorës oligarkut, pa përftime në dukje për publikun dhe shtetin, por kjo kontratë është e mbushur me favorizime për Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në rast konfliktesh.
Shteti në shërbim të Samir Manes
Jo vetëm kaq, Edi Rama investoi paratë publike, pra të taksapaguesve shqiptarë në ndërtimin e një piste helikopterësh, një moli jahtesh, hangar për avion privat dhe shërbimesh të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “GreenCoast” në Palasë dhe sipas investigimit që ata bënë institucionet shtetërore bënë një sy qorr ndaj dëmtimit të monumentit të natyrës. Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT), i drejtuar nga Rama, në mbledhjen e datës 28 Dhjetor 2022, miratoi vendimin për “Leje Ndërtimi për objektin: “Hangar për avion privat në Aeroportin “Nënë Tereza”, me vendndodhje në Bashkinë Krujë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Balfin-Balkan Finance Investment Group sh.p.k”. Kjo do të thotë se oligarku ka aq të ardhura sa t’i lejojë vetes edhe blerjen e një avioni privat. Por, për “parkimin” e avionit kërkohej një leje tejet specifike, të cilën mund ta jepte vetëm Edi Rama. E natyrisht, kryeministri nuk lëkundet asnjëherë në vendimmarrjet pro Samir Manes. Rama ka miratuar lejen përkatëse, që Mane të parkojë në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.
Ndryshimi i hartave dhe ligjeve
Një shembull edhe më flagrant i vendosjes së shtetit në shërbim të oligarkut mbërrin nga Tirana. Qeveria dy vite më parë është investuar për të ndryshuar hartën administrative territoriale në mënyrë që Samir Mane të shmangte taksat e Bashkisë së Tiranës për ndërtimet e reja. Bëhet fjalë për kompleksin e ndërtimeve që Samir Mane po ngre pranë QTU-së. Deri para nisjes së këtyre ndërtimeve, trualli ishte nën juridiksionin territorial të Bashkisë së Tiranës. Por, për të paguar më pak taksa në infrastrukturë dhe lejen e ndërtimit, përfshirë këtu edhe për të shmangur rregullin e detyrimit të garazheve dhe kateve nëntokë, Samir Mane siç duket ka lobuar në qeveri që këtë truall t’ia kalojë Bashkisë së Kamzës.
Kështu ka ndodhur. Edi Rama është vënën në lëvizje dhe me një seri shkresash e vendimesh ka kaluar këtë truall në varësinë e Bashkisë së Kamzës, duke i kursyer oligarkut Mane një shumë të mirë parash, që duhet të paguante si detyrime në rast se do të aplikonte për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, qeveria vuri shtetin në shërbim të Manes dhe në kohën kur ai mori në drejtim biznesin e minierave në Bulqizë. Njësoj si Berisha, Rama për Manen miratoi ligje që hoqën taksën për mineralet e përpunuara dhe në fund Mane shiti Albchrome tek grupi turk Yildirim, me një çmim më të mirë për faktin se kompania blerëse do të punonte dy vjet pa taksa vetëm nga favorizimi që bëri qeveria. Jo vetëm kaq, Edi Rama i ka hapur rrugë oligarkut të operojë dhe në tregjet bankare, shqiptare dhe të huaja, ku theksojmë së fundmi se ai ka marrë kredi për të investuar në fshatin e tij turistik duke ngritur të tjera vila.