Eksperti i Ekonomisë Zef Preçi, i ftuar në një studio televizive, foli mbi rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë në lidhje me mikrokreditë.
Advertisements
Preçi thekson se dhënia përgjigje ndaj skandalit nuk mbulohet dot me një rregullore.
Advertisements
Sipas ekspertit rregullorja po anashkalon përgjegjësinë institucionale të Bankës së Shqipërisë dhe Parlamentit. Ai shton se një pjesë e institucioneve financiare jo bankare duhet të dalin nga tregu.
“Skandali i mikrofinancës që ka prekur 100-150 mijë familje shqiptare është një problem miks, është problem institucional, që prek licensimin, problem menaxherial që prek përzgjedhjen e klientëve dhe respektimin e rregulloreve ekzistuese, juridik dhe penal, që lidhet me kontratat, mënyra si janë ekzekutuar nga përmbaruesit, si janë marrë vendimet pa njoftim gjykate dhe problemi i edukimit financiar të qytetarëve. Po synohet të bëhet një rregullore që konfirmon ato gjëra që dihet dhe po anashkalohet përgjegjësia institucionale e BSH dhe Parlamentit në mbrojtje të interesit publik të klientëve. Si model biznesi kanë ardhur nga vendet e Europës Lindore, ofrojnë një klientelë që është pjesa më e varfër e shoqërisë. Dhënia përgjigje e këtij skandali nuk mbulohet dot me një rregullore. Kthehemi te rregullorja. Fjala kredi do të thotë besim, është fjalë latine.
Advertisements
Kjo rregullore që po diskutohet nuk bën gjë tjetër, veç shfaq ato rregulla të njohura që çdo bankë në botë ka. Që është transparente për paratë që qarkullon, që s’është ky rasti për Shqipërinë. Nga ana tjetër, kush i merr këto para. Të përmendësh që do kërkosh analizë risku, do të thotë që të thuash atë që është thënë që kur është krijuar banka e parë, të kesh siguri që ai që merr para do t’i kthejë përsëri. Vendosja e kufizimeve që s’mund të marrësh më shumë se dy kredi konsumatore. Praktikisht konfirmon se janë dhënë shumë më tepër se kaq, ka dalë nga fokusi dhe janë shkelur të gjithë normat e shkruara. Po synohet me vendos rregull për atë që vjen, por pa dhënë përgjigje për atë që iku. Unë shoh nevojën për të shtrënguar më shumë jo si jepet kredia, por se kush e jep kredinë, dhe në çfarë kriteresh vepron. Një pjesë e institucioneve financiare jo bankare duhen nxjerrë nga tregu. Vendi ka nevojë të ristrukurojë tregun”.