Trishtuese/ Ndarja nga jeta e gjeneralmajor Kostaq Karolit, Vengu: Humbje e madhe për FA dhe për Shqipërinë

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gjeneralmajorit Kostaq Karoli.

Advertisements

“Largimi nga jeta i gjeneralmajorit (R) Kostaq Karoli është një humbje e madhe për Forcat e Armatosura dhe për Shqipërinë”, u shpreh Vengu në një postim në rrjetet sociale.

Advertisements

Vengu theksoi se gjeneralmajor ishte një “njeri me dimensione kombëtare, gjenerali shërbeu me përkushtim për atdheun, sigurinë dhe për vlerat më të larta të shoqërisë sonë”.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes, për njeriun e rrallë, bashkëshortin dhe babain e përkushtuar, mikun dhe ushtarakun shembullor. Lamtumirë, gjeneralmajor Kostaq Karoli!”, u shpreh ministri Vengu.

Gjeneral major Kostaq Karoli ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.

Një ndër figurat më të njohura të forcave të armatosura shqiptare, Karoli ka mbajtur detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare përgjatë viteve 1991-1992, e një sërë postesh të tjera të rëndësishme, ndërsa është nderuar me disa tituj e medalje për shërbimin e tij të dalluar.

Gjeneral Karoli ka shërbyer me përkushtim të lartë për dekada në mbrojtjen e sovranitetit të vendit, ndërsa në vitin 2013, gjeneralmajor Kostaq Karoli është nderuar me “Certifikatën e Mirënjohjes” me motivacionin “Për përkushtimin dhe kontributin e shquar të dhënë gjatë karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të RSH-së”.

I nderuar më gradën shkencore “Doktor” dhe titulli “Profesor”, Kostaq Karoli është gjithashtu autor i dy librave dhe bashkautor në dhjetëra tekste, metodika e artikuj të ndryshëm.

Gjeneral Kostaq Karoli do të kujtohet gjithmonësi një njeri i shquar dhe fisnik që ia kushtoi Atdheut jetën dhe karrierën.