Prej më shumë se 48 orësh ekipe të shumta janë në terren në kërkim të 29-vjeçarit Ardit Beshiri nga fshatin Shëngjun në Klos.
Advertisements
I riu teksa ishte duke punuar në një stog fabrike të përpunimit të kromit është rrëmbyer nga uji dhe rëra si pasojë e çarjes së një rezervuari.
Advertisements
Me gjithë kërkimet e bëra deri tani, nuk është gjetur asnjë shenjë e 29-vjeçarit i cili dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e fortë që u krijua si pasojë e shembjes së rezervuarit me ujë dhe rërës së prodhuar nga përpunimi i materialit të kromit.
Babai i 29-vjeçarit, Nerim Beshiri u bën apel institucioneve që të shtojnë kërkimet me metoda të specializuara pasi kërkimet në këmbë janë të paefektshme për shkak të terrenit të thepisur malor dhe materialit që është shpërndarë kudo. Nerimi kërkon që të ketë një shenjë të djalit në mënyrë që të ketë mundësinë ku ta kujtojë.
“Kërkoj ndihmë nga shteti, t’i gjej njërin gisht dhe ta çoj te shtëpia, te familja se nuk ka gjë më të madhe në botë të humbësh djalin. I bëj thirrje shtetit të sjellin aparatura, qen të specializuar, mjete, të gjej djalin e ta çoj te shtëpia, të di ku të hedh një tufë lule. Ka tre ditë që vijmë kërkojmë këtu me lopatë, nuk ka asnjë lloj mjeti. Po patët mundësi, ndihmoni si shtet”, thotë ai me lot në sy.
Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ishte edhe prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu i cili tha se strukturat po bëjnë maksimumin për të gjetur të riun që dyshohet se u rrëmbye nga rrjedha e ujit dhe rërës mesditën e së shtunës.
Ekipeve të kërkimit në terren i është shtuar edhe një ekip i specializuar i cili po kontrollon terrenin nëpërmjet një aparture që identifikon njerëz nën tokë.