Dy makina u përfshinë në një aksident të rëndë këtë të premte në Balldre, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.
Advertisements
Gazetarja Vera Deda, nga vendi i ngjarjes mëson paraprakisht se nga ngjarja ka humbur jetën shoferi i një prej automjeteve, i cili mësohet se ishte efektiv policie. Viktima është identifikuar si Gazmir Zhuka, 46 vjeç, punonjës policie në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Në momentin e ngjarjes, sipas Dedës, ai ishte jashtë shërbimi.
Advertisements
Siç duket edhe në këto pamje që përcjell gazetarja, përplasja ka qenë mjaft e fortë. Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat policore, ashtu sikurse edhe zjarrfikësit që bënë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës nga mjeti. Hetimet për ngjarjen e rëndë vijojnë.
“Rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në Balldre, janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin G. Zh., 46 vjeç, banues në Tiranë (punonjës policie, jashtë orarit të shërbimit ) dhe automjeti me drejtues shtetasin serb D. P., 30 vjeç.
Si pasojë, ka marrë dëmtime të rënda fizike, shtetasi G. Zh. i cili është transportuar në spitalin rajonal të Lezhës, për të marrë ndihmë mjekësore, por ka humbur jetën. Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij aksidenti“, thuhet në një njoftim të policisë së Lezhës. /tvklan.al