Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bën apel publik për të mos zgjedhur kompaninë hungareze të fluturimeve Wizzair, siç thekson ai, “Never ever again! Kurrë më! Asnjëherë!”
Advertisements
Manjani ilustron apelin me përvojë të hidhur familjare të natës duke gdhirë e premtja e sotme dhe në vijim të publikimit të tij në rrjete sociale, shumë njerëz, përfshirë personazhe të njohur publikë, kanë ndarë përvoja të tjera negative dhe kanë apeluar që qytetarët të bojkotojnë këtë kompani.
Advertisements
“Mbrëmë, avioni i linjës Athinë-Tiranë nuk u nis. Që fluturimet anulohen kjo ndodh, por që pasagjerët të trajtohen çnjerëzisht, kjo është e papranueshme!
Pasi kishin njoftuar dy herë shtyrjen e orarit të fluturimit, që do të thotë pritje në aeroport te gate, diku rreth orës 12:00 të natës avioni imbarkohet, por nuk niset, megjithse me pasagjerë në bord. Për më shumë se 2 orë kështu… Tmerr. As në qiell e as në tokë. Pengmarrje😡”, shkruan Manjani dhe shton:
Advertisements
“Pas 2 orë e kacafiu kujtohen të thonë se avioni nuk niset. Pasagjerët dalin nga avioni, rihyjnë në aeroport dhe lihen aty praktikisht në mes të katër rrugëve. Asnjë mundësi akomodimi!!! “Flini ku të mundeni”.
Nuk dihet do niset apo jo sot një avion tjetër!!!
Kjo i ka ndodhur familjes time mbrëmë.”
Ish deputeti dhe eksperti i njohur i çështjeve ligjore, avokat prej vitesh, tregon edhe se “disa muaj më parë na ndodhi thuajse e njëjta gjë në linjën Eindhoven-Tiranë. Im bir pati të një përvojë shumë të keqe prej 6 orësh pritje dhe pa informacion.”
Në këtë pikë, Manjani pohon se “asnjë mirëkuptim nuk mund të tregojmë ndaj kësaj kompanie që ofron shërbim çnjerëzor. Na janë shtyrë e madje edhe anuluar fluturime edhe të linjave të tjera, por na kanë trajtuar njerëzisht. Na është prishur terezia, por kemi thënë “ndodhin këto gjëra”.
Wizzair jo! Trajtimi çnjerëzor është krim, jo shërbim. E sigurtë është që nuk do t’i blejmë më shërbim këtyre palaçove të papërgjegjshëm! Ptu!”, përfundon ish ministri.
Duke u pajtuar me të, disa ndjekës sjellin përvoja të ngjashme.
Gazetari Agim Xhafka shkruan: “Ngushëllime! Të rroni vetë se Wizzair ka vite që na ka lënë. As ta shqiptoj nuk guxoj, jo më të udhëtoj”.
Aktivistja Adriana Kalaja sugjeron se nuk duhet të mjaftohemi vetëm me bojkot: “Jo vetem refuzim udhëtimi, por unë mendoj se duhet të bësh padi për shpërblim dëmi”.
Një qytetar tjetër denoncon: “E njëjta gjë dje me linjën Pescara- Tiranë e anasjelltas. Avioni duhet të nisej nga Pescara në ora 14:00 dhe është nisur në ora 20:00, 6 orë me vonesë”.
Redaksia e noa.al u përpoq të kontaktojë me kompaninë, por kjo nuk u bë e mundur deri në publikimin e këtij raporti.
Nëse keni dhe ju përvoja të hidhura me fluturimet me këtë kompani apo të tjera, shkruani më poshtë te Komento!