Policia greke ka arritur të zbardhë atentatin ndaj 34-vjeçarit shqiptar Renis Fejzolli nga Korça, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit më 2 shkurt në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë. Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim Marios Tralo, 20 vjeç nga Durrësi, Anastasios Dushku, 18 vjeç dhe Dhimitrios Zisis, 20 vjeç. Sipas policisë greke, ka qenë Tralo ai që ka qëlluar me armë zjarri ndaj Fejzollit dhe pas ngjarjes është arratisur në Shqipëri e më pas në Angli.
Advertisements
Rreth orës 03:30 të 2 shkurtit, nga një automjet është hapur zjarr në mënyrë të vazhdueshme ndaj Renis Fejzollit, i cili ndodhej në një park në rrugën “Sidhirokastro” në Athinë. 34-vjeçari u transportua në spital i plagosur me dy plagë armë zjarri, ndërsa policia gjeti në vendngjarje 3 gëzhoja, 1 fishek dhe 1 thikë. Hetimet e policisë zbuluan se Fejzolli i kishte borxh një shumë prej 1000 euro Marios Tralo me të cilin ishin shokë, ndërsa ky i fundit kishte përhapur thashetheme në rrethin e tyre, të cilat e kishin prekur Fejzollin.
Advertisements
Ata kanë komunikuar në telefon pasditen e 1 shkurtit dhe e kishin lënë të takoheshin për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa Fejzolli e priste Tralon në parkun ku ndodhi ngjarja, ky i fundit është shfaqur me një automjet “Toyota Yaris” dhe pasi ka hapur xhamin, ka shtënë me armë drejt tij.
Bashkë më Tralon në automjet kanë qenë edhe Dushku e Zisis. Në 15 shkurt, policia greke ka zbuluar të parkuar në rrugen “Iraklideon 69” në Athinë motorrin e markës “Kymco Agility City” në pronësi të Marios Tralo dhe brenda tij është gjetur 1 pistoletë tip “Glock” me një krehër me dy fishekë. Policia greke nisi kërkimet për Tralon, Dushkun e Zisis por nuk ka arritur ende t’i gjejë ata e për rrjedhojë i ka shpallur në kërkim. Nga hetimet e deritanishme rezulton se pas ngjarjes Tralo është larguar drejt Shqipërisë e më pas drejt Anglisë.
Marios Tralo rezulton me precedentë penalë për “drejtim mjeti në mënyrë të rrezikshme”, “fyerje”, “dëmtim pasurie”, “shkeljë të ligjit mbi armët”, “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” dhe “shkelje të kodit të qarkullimit rrugor”. Zisis rezulton me precedentë për “shkelje të ligjit për lëndët e varësisë dhe dispozitave të tjera” ndërsa Dushku për “dëmtim pasurie”.