I FUNDIT! SPAK reagon për herë të parë për Veliajn dhe zbulon se…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka konfirmuar për herë të parë hetimet në lidhje me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke zbuluar se po hetohen katër akuza të rëndësishme për këtë çështje. Hetimet përfshijnë dyshime për korrupsion, shpërdorim detyre dhe përfshirje në tendera të dyshimtë, çka ka shkaktuar një shpërthim të reagimeve nga avokatët e Veliajt. Ata kanë kritikuar ashpër prokurorët specialë, duke i akuzuar për tentativë për të manipuluar procesin dhe për të krijuar një komplot politik kundër kryebashkiakut. Sipas mbrojtësve të tij, këto akuza janë të pabaza dhe synojnë vetëm dëmtimin e imazhit të Veliajt në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ndërkohë që kryebashkiaku nëse i ngrihen akuzat nga prokurorët specialë rrezikon deri në 20 vite burg.

Advertisements

Reagimi i SPAK

Advertisements

Konkretisht SPAK ka reaguar dje lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. SPAK bën me dije se nga denoncimi i një qytetari të vetëidentifikuar si Nesti Angoni ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje; korrupsion, pastrim parash, fshehje e pasurisë dhe deklarimi i rremë. Veliaj dëshmoi dje për më shumë se 5 orë në SPAK. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak dje e cilësoi thirrjen në SPAK si një “kurth të sajuar”, duke thënë se është denoncuar nga një person i quajtur Nesti Angoni, që sipas tij nuk ekziston. Por Sali Berisha tha sot se Nesti Angoni është vetë Edi Rama që i ka përgatitur dosjen. “Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojmë: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u çregjistrua procedimi penal i mësipërm.

Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njoftoi dje SPAK.

Reagojnë avokatët e Veliajt

Ndërkohë avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë reaguar dje për mediat mbi marrjen në pyetje nga SPAK dhe mënyrën sesi është menaxhuar informacioni i shpërndarë ndaj këtij hetimi. Mbrojtja e Veliajt, në tetë pika, e konsideron hetimin si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin. SPAK reagoi dje në një media ku bënte me dije se kryebashkiaku po hetohet për 4 vepra penale, por sipas avokatëve SPAK ka nisur një hetim për 4 vepra penale, por çështja është regjistruar ende pa një emrin e një personi nën hetim. Sipas tyre, kryebashkiaku u thërrit në SPAK si person që ka dijeni rreth çështjes në hetim dhe ndaj tij nuk ka një akuzë.

Argumentet e Mbrojtjes së Erion Veliajt:

Hetim keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin

Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet EV.
Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të EV, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit.
Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të EV dhe familjes
EV dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj EV (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status.
Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar.
Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për EV dhe AX
Edhe pse EV dhe AX janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës.
Tejkalimi i afateve hetimore
Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj EV dhe AX kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë.
“Fishing expedition”
Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (EV), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
Dalja në media e informacioneve mbi hetimin
Informacione të ndryshme lidhur me hetimin janë transmetuar në media, duke krijuar hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese ndaj figurës së kryetarit të bashkisë. Kjo ka nxitur një perceptim publik të fajësisë së EV, duke dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke cenuar barazinë e palëve në proces.
Një veprim i tillë mund të përbëjë shkelje të rënda, qoftë përmes dashjes apo neglizhencës, pasi përbën keqadministrim të hetimit dhe dëmton integritetin e procedurës penale.
Ja sa vite burg rrezikon Veliaj

Por kjo që po ndodh me Erjon Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është ndoshta rasti më unik në botë. Ai akuzohet për katër vepra penale, ku minimumi i dënimit është nga 15 vjet burg dhe me një maksimum që mund të shkojë deri në 20 apo 25 vjet dhe ndërkohë SPAK, (Struktura e Posaçme Antikorrupsionit dhe Krimit të Organizuar) e lejon të qëndrojë në zyrë. Ndoshta SPAK pret një ndërgjegje të lartë nga Veliaj ose e ngatërron me ndonjë kryebashkiak të ndonjë vendi perëndimor, si fjala vjen ish kryebashkiaku Romës, i cili dha dorëheqjen në vitin 2015, se akuzohej për një faturë 20 mijë eurosh në një darkë pune.

Neni 260 i kodit penal

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 245

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 287

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet: a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; – dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim .

Neni 257/a

Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.