Pothuaj i gjithë territori i vendit është përfshirë nga reshjet e shiut, si pasojë e stuhisë Ciaran. Edhe pse gjatë mbrëmjes së djeshme pati një përmirësim të situatës së krijuar nga reshjet e dendura, ato kanë vijuar përgjatë gjithë natës.
Advertisements
Më të shumta këto reshje kanë qenë në zonën e Shqipërisë së Mesme, në Tiranë e Durrës, ku rrugët u mbuluan nga uji, gjatë ditës së djeshme. Por si paraqitet situata në vendin tonë? Më poshtë keni një pasqyrim të qarqeve kryesore në vend.
Advertisements
Tirana – Krahasuar me dje, kryeqyteti është sot më i lehtësuar. Gjatë gjithë natës dhe sot vijojnë reshjet edhe pse me intensitet më të ulët se dje. Po punohet për pastrimin e rrugëve, pastrimin e kanalizimeve dhe heqjen e pemëve të shkulura pas stuhisë së fuqishme. Lumi Lana doli nga shtrati një ditë më parë, në zonën e Pallatit me Shigjeta. Sot situata është më e normalizuar. Kujtojmë se si pasojë e reshjeve, një pjesë e suvasë së një pallati u shkëput dhe u dëmtua në kokë një 37 vjeçar, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore.
Durrës – Në Durrës si pasojë e motit me erë të fortë në port është ndaluar lundrimi i anijeve të peshkimit dhe anijeve të tonazhit të ulët. Tragetet dhe sektorët e tjerë vijojnë punën normalisht. Në qytet si dhe në zonat periferike si pasojë e reshjeve gjatë natës ka pasur disa probleme në disa rrugë, të cilat janë mbuluar nga uji, por aktualisht situata është drejt përmirësimit dhe pa probleme.
Elbasan – Në Elbasan vazhdojnë reshjet e shiut. Situata në qark paraqitet pa shumë problematika. Akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Stëblevë kanë pasur rënie inertesh e gurësh. Po punohet për largimin e tyre. Sipas gazetarit Fatos Salliu pavarësisht kësaj problematika nuk bëhet fjalë për mbyllje të akseve rrugore. Disa akse rurale të Bashkisë Librazhd dhe të bashkive Gramsh e Cërrik kanë pasur inerte dhe depërtim të ujërave në rrugë. Po ashtu ka pasur ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në një pjesë të qytetit të Peqinit, rrethinat e Cërrikut, në Njësinë Administrative Labinot Mal, Funarë të Bashkisë Elbasan, Njësia Administrative Shalës e Mollas të Bashkisë Cërrik, Njësia Administratve Orenjë e Stëblevë të Bashkisë Librazhd dhe Njësia Administrative Poroçan të Bashkisë Gramsh. Po punohet për riparimin e defekteve.
Dibër – Reshje me intensitet të lartë ka pasur në Qarkun e Dibrës. Situata deri tani paraqitet pa probleme të mëdha. Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit ka pasur rënie inertesh në bypassin e Qafës së Murrizit dhe kalimi është bërë në njërin kah pjesërisht. Probleme nga gurët dhe inertet edhe në segmentin që lidh qytetin e Klosit me Rrugën e Arbrit, ndaj policia ka devijuar kalimin e mjeteve që vijnë nga Mati dhe Klosi në rrugën e vjetër. Raportohet se po punohet për pastrimin e rrugës.
Lezhë – Prej 24 orëve të fundit i gjithë qarku është përfshirë nga reshje intensive. Deri më tani nuk raportohet për shumë problematika. Gazetari Martin Marku raportoi për bllokimin e një familje në fshatin Rraboshtë, por me ndërhyrjen e Emergjencave Civile, situata u rregullua. Deri më tani nuk flitet për toka bujqësore të përmbytura. Kujtojmë që më herët Bashkia e Lezhës njoftoi banorët se sipas parashikimeve pritet reshje të dendura shiu dhe përmbytje. Po ashtu, gazetari Marku mëson se në disa akse ka rënie intertesh dhe gurësh, por nuk raportohet për mbyllje të rrugëve.
Vlorë – Edhe në Vlorë kanë nisur reshje me intensitet shumë të lartë, erëra të forta, dallgë të larta dhe ulje të temperaturave. Megjithatë situata atje është e qetë dhe nuk ka problematika. Dje ka pasur rrugë të qytetit të mbushura me ujë, por situata është qetësuar pas disa orësh. Sipas gazetares Pamela Dhimaj, në akset kryesore të qytetit bregdetar pati shtim të trafikut, por situata u normalizua.
Shkodër – Ndërsa në Shkodër u bllokua rruga Theth-Ndërlysaj, e cila u arrit të lirohej nga inertet pas disa orësh punë.
Gjirokastër – 23 turistë francezë, gjermanë e polakë u bllokuan në hyrje të Kanionit të Langaricës, për shkak të daljes nga shtrati të lumit, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë. Ndërhyrja e forcave pjesëmarrëse në operacion bëri të mundur shpëtimin dhe nxjerrjen e turistëve dhe të mjeteve në parkun e përmbytur. Gjatë kryerjes së operacionit të kërkim-shpëtimit nuk pati asnjë të lënduar. Turistët u evakuuan dhe u transportuan me mjetet e bashkisë e të policisë për t’u strehuar në hotelet e qytetit.
Korçë – Gazetarja Daniela Zisi raporton se si pasojë e reshjeve është dëmtuar ura e fshatit Panarit në njësinë administrative Vithkuq të Bashkisë së Korçës. Deri më tani në këtë qark raportohen problematika në lidhje me furnizimin me energji elektrike.
Nisur nga situata autoritetet njoftuan se ekipet e Emergjencave Civile janë në terren për të garantuar rikthimin në normalitet, ndërsa sinoptikanët parashikojnë që stuhia të arrijë kulmin në orët në vijim. /tvklan.al