Sulm me armë në Suedi, të paktën tre viktima dhe disa të plagosur

Një ngjarje tragjike tronditi pasditen e së martës qytetin universitar të Uppsalës në Suedi, ku një person i armatosur hapi zjarr në një zonë të populluar pranë qendrës. Sipas mediave lokale suedeze, të paktën tre persona kanë humbur jetën nga të shtënat.

Advertisements

Incidenti ndodhi rreth orës 17:00 në një shesh qendror, afër një berberhaneje dhe jo shumë larg stacionit të trenit të qytetit. Sulmi shkaktoi panik të menjëhershëm dhe reagim të gjerë të forcave të rendit, të cilat vazhdojnë një operacion të madh në vendngjarje.

Advertisements

Dëshmitarë okularë për radion shtetërore Sveriges Radio thanë se dëgjuan disa të shtëna me armë, ndërsa qytetarët u përfshinë nga frika dhe u përpoqën të largoheshin me shpejtësi nga zona. Policia ka konfirmuar edhe disa persona të plagosur, por ende nuk janë dhënë detaje mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Autoritetet nuk kanë zbuluar ende identitetin e autorit të dyshuar, as motivet e mundshme të këtij akti të dhunshëm. Zona përreth ngjarjes mbetet e izoluar, ndërsa hetimet janë në fazë intensive.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën dhe të ndihmojnë me çdo informacion të mundshëm. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik suedez, sidomos në një qytet si Uppsala, i njohur për qetësinë, sigurinë dhe jetën studentore.