U arrestua në Dubai, Ministria e Drejtësisë nis kërkesën për ekstradimin e Durim Bamit

Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Durim Bami tek autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe. Mësohet se kjo kërkesë është dërguar në rrugë shkresore dhe elektronike.

Advertisements

Ministria e Drejtësisë ka marrë njoftim nga Ministria e Jashtme se kërkesa dhe dosja për Bamin janë marrë në dorëzim nga pala arabe.

Advertisements

Më datën 2 qershor të këtij viti, Durim Bami u shoqërua nga Policia në Dubai, pasi ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revansh’’.

Çfarë ndodhi në operacionin Revansh?

Sipas SPAK, në qendër të grupeve kriminale ishte ai i të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, i cili ishte në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputet Arben Ndoka. Bëhet me dije se në zonën e Fushë-Krujës vepronte grupi i Durim Bamit i cili ishte në konflikt të hapur me grupin e Martinajt dhe Ndokës. Grupi i Bamit bëri aleancë me një grup kundërshtar të Martinajt që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Martinajt dhe Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.

Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, që edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë në realizimin e vrasjes së Durim Bamit. Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga Edison Reçi. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e Preng Gjinit. Nga njoftimi i SPAK është evidentuar dhe përfshirja në ngjarjet kriminale edhe një ish-deputeti, Arben Ndoka, katër punonjës policie; drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri, efektivët e RENEA-S, Altin Morina dhe efektivi me iniciale A.P,.

Sipas SPAK, Mitri së bashku me ish-punonjësin e policisë kufitare Klodjan Shahini dhe persona të tjerë drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve në qarkun e Lezhës. Gjithashtu së bashku me Preng Gjinin, aktualisht në arrest për një hetim tjetër, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në Lezhë. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të GJKKO janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3 milionë euro cash vetëm në banesën e Ervis Doçit i njohur ndryshe me pseudonimin Visi i Pojës.