URGJENTE! LETRA E HAPUR! Vatoci: Mungesa e mjekëve po shkakton një numër alarmant vdekjesh, Tropoja nuk mund të mbetet më në harresë

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Eva Vatoci sjell një denoncim të fortë të siituatës shëndetësore me të cilën po përballet Tropoja në këto kohë si pasojë e mosfunksionimit, sipas e spitalit bashkiak të Tropojës dhe mungesa e mjekëve specialistë, veçanërisht e kardiologëve.

Advertisements

Nisur nga kjo, Vatoci i drejtohet me një letër publike kryeministrit Edi Rama dhe ministres Albana Koçiu.

Advertisements

LETRA nga Eva Vatoci

I nderuar Kryeministër Z. Edi Rama.

E nderuar Ministre e Shëndetësisë Znj. Albana Koçiu.

Në vitet e fundit, Tropoja po përballet me një numër alarmant vdekjesh, pa dallim moshe. Këto humbje nuk mund të shpjegohen thjesht si fatkeqësi apo si diçka e natyrshme. Problemi është serioz dhe lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve mjekësore, duke shkaktuar pasoja tragjike për jetën e banorëve.

Nuk mund ta justifikojmë këtë situatë duke thënë se vdekjet janë të shkruara nga natyra. Në të vërtetë, shumë prej tyre janë pasojë e kushteve të papërshtatshme dhe mungesës së ndihmës mjekësore të specializuar. Një nga problemet më të mëdha mbetet mosfunksionimi i spitalit bashkiak të Tropojës dhe mungesa e mjekëve specialistë, veçanërisht e kardiologëve. Prej vitesh, qyteti ynë është lënë pa mbështetje mjekësore të avancuar, duke e bërë shëndetin e banorëve të pambrojtur.

Çdo ditë, lajmet për vdekje të të rinjve dhe të moshuarve na tronditin dhe na bëjnë të ndiejmë pasiguri të përhershme. Shëndeti dhe jeta janë kthyer në një betejë të përditshme për mbijetesë, ndërsa mungesa e ndihmës së duhur shëndetësore na bën të ndihemi të braktisur.

Një tjetër problem i madh është vështirësia në thirrjen e urgjencës. Shërbimi kombëtar i urgjencës, i menaxhuar nga Tirana, has vështirësi në komunikim dhe koordinim. Dialekti gegnisht dhe pasaktësia në përcaktimin e vendndodhjes shpesh shkaktojnë vonesa të rrezikshme në mbërritjen e ambulancave. Në rastet kur çdo minutë është jetike, këto vonesa mund të jenë fatale.

Pyetjet tona janë të drejtpërdrejta:

1. Përse Tropoja nuk ka një sistem shëndetësor të plotë?

2. Pse mungojnë mjekët specialistë, sidomos kardiologët dhe mjekët e emergjencës?

3. Përse banorët e Tropojës detyrohen të udhëtojnë orë të tëra drejt Gjakovës apo qyteteve të tjera për të marrë trajtim mjekësor?

4. Pse investimet në shëndetësinë e Tropojës janë të pamjaftueshme dhe shpërndarja e burimeve nuk është e drejtë?

5. Pse mungon një sistem efikas koordinimi për shërbimet e urgjencës, duke përfshirë njohjen dhe kuptimin e dialekteve lokale?

Kërkesat tona janë urgjente:

• Funksionalizimi i plotë i spitalit bashkiak të Tropojës me staf të specializuar dhe pajisje të nevojshme mjekësore.

• Sigurimi i mjekëve specialistë, veçanërisht kardiologë, në mënyrë që pacientët të mos detyrohen të udhëtojnë për shërbime bazë shëndetësore.

• Përmirësimi i shërbimit të urgjencës, duke siguruar një sistem më efikas komunikimi dhe koordinimi, i cili të eliminojë vonesat dhe keqkuptimet.

Situata është alarmante dhe kërkon veprim të menjëhershëm. Tropoja nuk mund të mbetet më në harresë. Nëse nuk ndërmerren masa urgjente, po rrezikojmë të humbasim jetë të pafajshme për shkak të mungesës së një sistemi shëndetësor funksional.

Kjo nuk është thjesht një kërkesë, kjo është një thirrje për ndihmë!