Vrau 4 policët e Operacionales/ Gjykata e Lartë çel sot seancën e parë për Dritan Dajtin

by editor

Ditën e sotme, Gjykata e Lartë do çelë seancën e parë, për të marrë në shqyrtim dosjen penale kundër Dritan Dajtit, çështje kjo që është rekursuar disa vite më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Advertisements

Dosja “Dajti”, është një ndër çështjet që stopoi drejtësinë Shqiptare, duke kaluar në labirinte të ndryshme juridike, e tashmë kjo dosje është kthyer në provën e madhe për drejtësinë Shqiptare.

Advertisements

Kjo është drama e 4 familjeve të policëve të Operacionales të vrarë si Altin Dizdari, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feskaj, që vijon të endet dyerve të gjykatave, të cilët kërkojnë drejtësi.

Ky është rasti më tipik që tregon më së miri realitetin shqiptar, ku krimi është më i fortë se autoriteti i shtetit.

Pas 4 viteve qëndrim në pritje, Relatori Sandër Simoni dhe dy anëtarët Medi Bici, Ilir Panda, vendosën të marrin në shqyrtim çështjen penale të rekursuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në 4 Prill 2019, ku i pandehur është Dritan Dajti, për të cilin Krimet e Rënda kanë kërkuar burgim të përjetshëm.

Akuza në këtë seancë, nuk do përfaqësohet nga Prokuroria e Posaçme SPAK dhe as nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila tashmë është konvertuar në SPAK, por nga Prokuroria e Përgjithshme.

Do jetë një prokuror i kësaj prokurorie që do mbrojë rekursin e Krimeve të Rënda, të cilat kanë kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të 4 punonjësve të policisë së shtetit, mbajtjes pa leje të armëve dhe përdorim i simboleve të Policisë së Shtetit.

Për këto akuza, në vitin 2019, dy gjyqtarë të Vlorës Skënder Damini dhe Petrit Alia, të deleguar nga KLGJ-ja tek Apeli i Krimeve të Rënda për gjykimin e kësaj çështje, vendosën të prishin vendimin e Shkallës së Parë që dënonte Dajtin me burgim të përjetshëm, duke e dënuar atë me 25 vite burgim.

Për këtë vendimmarrje gjyqtarët u ndanë 2 me 1, ku gjyqtari i Shkodrës, Fuad Vjerdha vendosi të dalë me mendim kundër, duke i qëndruar argumentimit se Dajti duhet të dënohej me burgim të përjetshëm.

Pas këtij vendimi që dënoi Dajtin me 25 vite burgim, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, kryen 4 kontrolle banesash në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër, ku në fokus ishin shtëpitë e gjyqtarëve dhe njerëzve të afërm të Dajtit.

Një hetim u nis për akuzën e korrupsionit, por kaloi koha dhe hetimi u zbeh gjatë rrugës.

Tashmë është Kolegji i Gjykatës së Lartë që do vihet në provën e madhe për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Dritan Dajtit, që për vite me radhë stopoi drejtësinë, duke zëvendësuar dhjetëra gjyqtarë dhe dhjetëra avokatë mbrojtës.

You may also like