Zvicër/ Tre shqiptarë në akuzë për trafikimin e 500 kg kokainë të fshehur në kontejner me kafe

Prokuroria publike e Bazelit ka ngritur akuza penale ndaj tre shtetasve shqiptarë, të moshave 20, 31 dhe 34 vjeç, të cilët akuzohen për trafikimin e një sasie rekord prej 500 kilogramësh kokainë.

Advertisements

Sipas mediave ndërkombëtare, droga ishte porositur në Brazil dhe kishte mbërritur në Bazel në fillim të majit 2022 e fshehur në një kontejner me thasë kafeje.

Advertisements

Ngarkesa përbëhej nga 300 thasë me kafe dhe 20 thasë me kokainë, të cilat mbërritën në një pikë logjistike ku punonjësit u habitën kur zbuluan substancën e bardhë mes thasëve të kafesë. Hetimet zbuluan se tre shqiptarët po kërkonin nëpër kontejnerë për të gjetur drogën, por nuk arritën ta identifikonin në kohë. Si pasojë, ajo përfundoi te kompania përpunuese legjitime, Nespresso.

Kompania deklaroi se kokaina nuk kishte hyrë në kontakt me asnjë nga produktet e saj. Sipas autoriteteve, droga ishte e një cilësie shumë të pastër — nga 97% deri në 100% — dhe kishte një vlerë të përllogaritur shitjeje prej 60 milionë franga zvicerane.