“T’i hapet rruga qeverisë teknike”- Agron Gjekmarkaj: Secilit prej nesh nëse ka një fije ndërgjegje duhet në heshtje të bëjë një ‘mea culpa’

by editor

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, njëherësh edhe nënkryetar i Kuvendit ka deklaruar se kjo qeveri duhet t’i hapë rrugë “qeverisë teknike”.

Advertisements

Nga foltorja e Kuvendit, ai nuk i ka kursyer ironitë dhe akuzat në drejtim të qeverisë ‘Rama’.

Advertisements

Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj teksa theksoi se besonte që PS-ja ishte një aset kombëtar, u ndal te akuzat e Arben Ahmetajt. Ai tha se Arben Ahmetaj ishte pikërisht personi që zgjodhi Rama si numrin dy të qeverisë.

Secilit prej nesh- tha ai- nëse ka një fije ndërgjegje duhet në heshtje të bëjë një ‘mea culpa’

Fjala në Kuvend e Agron Gjekmarkajt

Unë kam besuar dhe ende besoj që Partia Socialiste është një aset kombetar edhe pse kundershtarët e mi. Por unë, jam vetëm një individ përballë zërave të shumtë publikë dhe jo publikë, të cilët kërkojnë që e gjithë trupa juaj politike në qëndër dhe bazë të hetohet për lidhje me krimin e organizuar!

Ata pyesin !

Kush jeni ju ?! Kush ?!

Partia Socialiste që duhej të ishte sociale dhe socialiste me shqiptarët, apo një organizatë partnere dhe e tillë vetëm me banditët e cituar nga ish Zëvëndës Kryeministri juaj?

Kush jeni, partia që matet elektoralisht me kundërshtarët apo ajo që pret agimin e ”Fitoreve” pas natës së errët të kërcënimit të tyre nga të “fortet” me “thikat e tyre te gjata”.

Kush jeni, lokomativa apo vagonet ?

Kush jeni, partia e gjuhës politike apo ajo e enkroçatit ? Kush jeni, padronët apo Hyzmeqarët lepe peqe, administratoret e asaj qe konsiderohet “Res publica” apo grabitësit e saj ?

Kush jeni, ata që marrin urdhra natën për tu dridhur ditën, apo e dridhni ditën për të fjetur naten?

Kush jeni partia e qytetarve apo e investitorve strategjike të partisë? Kush jeni partia që i djeg plehrat në inceneratorë apo inceneratori që djeg paratë e lë plehrat ?

Duket sikur jetojmë në një moment ku gjithsecili bën një sakrificë, dikush ikën, dikush përshtatet, dikush hesht, dikush thyhet, ndonjë tjetër bindet, disa dorëzohen, të tjerë pranojnë kërcënimin e paguajnë, por dikush që qëndron si shembull emancipues mbetet gjithmonë!

Ata janë sot jashtë, përballë këtij Parlamenti.

Një ditë tjetër do jenë shumë më tepër. Sot është dita e ftesës ajo tjetra do jetë e pendesës!

E vetmja që ka hequr dorë nga sakrifica është Qeveria.

Asaj i kërkohet vetem një, më modestja e tyre, më e lehta, të ike, ti hapë rrugë “ Qeverisë teknike” sepse pas qeverisë që duket , anipse shumë e përfolur dhe e akuzuar, e pamjaftueshme në gjithçka e kudo, qëndron në hije, në terrin e natës dhe arrogancën e ditës, një tjetër Qeveri, e cila nuk ka asnjë besim vote dhe nuk ndien asnjë përgjegjësi ndaj popullit dhe kjo është ajo e vërteta. Qeveria e mafias e cila shtërgon qeverinë politike që rri këtu sipër të veprojë sipas ligjeve të saj.Ne jemi në piken që populli ka mbi krye dy qeveri, derivat i njëra tjetrës dhe duket se po shkojmë drejt tiranisë së korrupsionit dhe imponimit, profumosur nga shpërlarja e trurit si propogande.

Kjo është një tjeter rreshqitje Historike. Kjo ndodh se populli nuk konsiderohet më. Demokraci ka vetëm atëherë kur qeveria ka frikë nga populli. Një popull i ndaluar të zgjedhë, zgjedh të ikë, një opozite e ndaluar të vijë në pushtet nga një prej alenacave me të çuditshme të bashkohësisë vazhdon e kërcënohet ! Opozitës i tunden prangat, krimit i serviret me frak dhe tabaka çdo gjë në këtë vend !

Në plan personal edhe pse kjo nuk ka shumë domethënie, nuk kam patur kurrë respekt për Arben Ahmetajn dhe tipologjinë e tij, e nuk kam as tani për cektësinë e performancës publike, vanitetin e thelle adoloshencial, korrupsionin e përfolur, gëzimin afrodiziak nga pushteti, si dominim publik dhe jo shërbim publik, servilizmin si shtysë për karrierë. Po ndoshta pikërisht falë këtyre cilësive ai u bë numri dy i qeverisë së Edi Rames. Secili duhet të matet me hijen e Tigrushit të gjorë.

Për çdo deklaratë të tij, Edi Rama ka detyrim publik të marrë përgjegjësi morale, juridike politike e historike. Snobimi tregon përmasën e sikletit.

Këto cilësi që përmenda, gjuha mushk, lehtësia për ti atashuar fytyrën çdo paturpësie e gënjeshtre, gara për tu përdorur, janë sot virusi më vdekje prurës i dinjitetit njerzor në politikën shqiptare. Secilit prej nesh nëse ka një fije ndërgjegje duhet sëpaku në heshtje të bëjë një mea culpa teksa ketë rit kryen.

Dhe tani ai konfidenti, i përzgjedhuri, jetëgjati në karrige, po ju akuzon si dëshmitar i dores së parë! Tigrushi nuk kërkoi falje për veten e tij por na tregoi ç’ka parë, atë qe e mendojme të gjithë, atë që kemi ndeshur në fushen e betejes politike, ku nuk jemi përballur me koleget socialist po me bandat që mblidhnin vota per ta!

Tigrushi tha një gjë të rëndë, kobzezë, thjeshtë të tmerrshme që ata dinozaurët e krimit të organizuar uleshin në sallën e mbledhjeve të Qeverisë përreth Kryeministrit!

Ata të Dibrës në karrigen e Zv Kryeministrit, të Elbasanit në vend të Ministrit të Brendshëm, të Durresit në vend të ministrit të arsimit, të Lezhës si zonë poetike në vend të ministrit të kultures e kështu me rradhë.

Unë me keqardhje duhet ti pyes koleget, kush është shefi juaj, bosi lokal, apo Kryeministri global, kush?! Kush na qeveris ne, ai dhe Ju ? Apo thjeshte ata me atë, dhe Ju?!

Kush pra, kartelet, paraja e tyre që blen vota dhe vullneti i tjetërsuar i cili shpreh dominimin e kafshës brenda njeriut ndaj njeriut që nuk është shndërruar ende në kafshë, apo njeriu politik ?!

Nëse në Shqiperi ka mbetur një prokuror me dinjitet duhet të hetojë ! Duhet të hetojë krimin dhe partinë që bëhet fasade e saj.

Këta prokurore nuk duhet të shndërrojnë Opozitën në institucion të ndaluar, as Liderin e saj në të arrestuar politik por duhet të ndalojnë Qeverinë e cila i jep mikpritje e liçencë, Sinaloas dhe ushtarëve të saj në pushtet.

Mediat më prestigjioze të Europes ndaj të cilave nuk arrin as kërcënimi as joshja, nuk po nxijnë aspak Shqipërinë por thjesht faqen e zezë të një pushteti që ështę paraqitur në 2013 me një fytyrë politike dhe sot nuk ka më fytyrë por vetem maskën e skandaleve të korruptimit e korrupsionit !

Kjo është ndihma e madhe që liria e kontinentit të vjeter po përpiqet ti japë si oksigjen lirisë së re të Shqipërisë që të mos vdesë.

Jo thjesht Rai 3, dhe Bild se këto janë të fundit po para tyre shumë të tjera po kaq prestigjioze e dinjitoze e kanë bërë.

Këto janë bombat që Europa e së drejtës dhe demokracisë po hedh mbi fanarin ndriçues të Rilindjes suaj.

Unë jam qytetar i ketij vendi, me aftësi mesatare a nën, ktë sdi ta them se ndaj vetes mbetem subjektiv, shpesh herë bie në pesimizmin e atyre që thone asgjë nuk ndryshon duke i pranuar gjërat si fat, ndonëse e di shumë mirë që individi, shoqëria dhe shtetet fatin e ndërtojnë vetë në raport me objektivat që kanë, me horizontin e lirise që projektojnë.

Nuk jam aspak trim dhe as e kam qellim në vetvete, dua monotoninë dhe rutinën time, gjërat e vogla të së përditshmes në suazen e dinjitetit publik! Nuk jam njeri i kauzave të mëdha e sublime, thelle thelle jam një antihero, një njeri i zakonshëm, mëse i zakonshem, njeri prej tyre por me nje tager përfaqesimi që besimi i shumë të ngjashmeve te mi me ka dhene.

E zakonshme do të thote, drejtësi, rend, barazi në ligj, barazi në vote, barazi në pasurine publike, siguri në je i njohur apo anonim, indiferent apo i angazhuar, prosperitet ekonomik dhe standartet e të vërtetave demokratike, do te thote kriminelët në burg dhe qytetarët në qytet!

Por nuk kam bërë mjaftueshëm që kjo suazë publike të jetë e sigurtë, nuk jam rebeluar mjaftueshëm për të testuar kufirin e epërm të vetvetes në raport me të keqen! Nuk dua të gaboj por as ne, Opozita nuk e ka bërë, në gjykimin tim modest as shoqëria.

Në menyre mistike kemi besuar tek koha, si ilaçi më i mirë, tek logjika e saj. Kur koha e humbet logjikën dhe kuptimin, individi duhet të kërkojë të veten dhe ti jape kuptim qënjes së tij brenda saj. Sot qytetarët e zakonshëm po japin paralajmërimin se jemi në një situatë të jashtezakonshme, në emergjence kombëtare.

Kur Qeveria çmendet, bie në delir dhe përdor pushtetin për ti shërbyer krimit dhe korrupsionit e ky binom zë hapësirën publike e institucionale , per të penguar me çdo kusht rrotacionin, për të mbajtur këtë Qeveri, Opozita si e vetmja garanci morale e politike e mbetur po ndermjetëson që zemërimi të mos vejë në diskutim paqen sociale.

Qeveria teknike dhe harta e saj deri në zgjedhje mbetet zgjidhja rreth seciles mund te rindertohet besimi dhe bashkëjetesa !

Ajo nuk e zëvëndëson drejtësinë e cila duhet te zëvëndësoje vetveten

You may also like