Prapaskenat me kufijtë e Shqipërisë: A e shiti Zogu Shën Naumin?

by editor

Shqipëria është vetëm 28 mijë kilometra katrorë, por shqiptaria natyrale shtrihet në mbi 90 mijë kilometra katrorë…

Advertisements

Serbët dhe malazezët, u panë me lente zmadhuese dhe arritën që të zhvasnin një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë që me Traktatin e Shën Stefanit, më 1878-ën.

Advertisements

Më 1913-ën, grekët, serbët dhe malazezët gllabëruan troje të rëndësishme të shqiptarisë, duke e zvogëluar sipërfaqen e saj në vetëm 1/3.

Dyshime për tradhti, dhe betejat për Vermoshin dhe Shën Naumin deri në Hagë.

Advertisements

A e shiti Ahmet Zogu Shën Naumin? Çfarë dokumentesh ekzistojnë për një marrëveshje të debatuar sekrete për shkëmbim territoresh?

Emisionin “Inside Story” sjell një mori dokumentesh të rralla nga arkivat rrëfejnë prapaskenat dhe lojërat me kufijtë e Shqipërisë.

***

Beteja për Shën Naumin, që do të zgjaste plot 13 vite luftë diplomatike, por edhe me ushtri e dëbim të shqiptarëve, nisi vetëm nga një togfjalësh që përdori Konferenca e Londrës.

‘Zyrtarisht fuqitë e mëdha nuk ta kishin dhënë Shën Naumin dhe pyllin e Vermoshit. Ata kishin thënë “j’asqui a Shën Naum”, pra deri në Shën Naum. E kishin lënë në mënyrë pak dinake të hapur çështjen, por ishte Shqipëria që do të vendoste me vullnetin e saj të lirë nëse do t’ia linte Serbisë’ u shpreh Monika Stafa, studiuese

Fqinjët tanë të etur për territore shqiptare, përfituan nga ky përcaktim i paqartë duke pretenduar Shën Naumin dhe pyllin e Vermoshit në veri.

Kaliopi Naska, historiane dhe ish drejtoreshë e arkivit qëndror shtetëror ka mbledhur mbi 400 dokumete historike, diplomatike dhe politike. Nga arkivat shqiptare, franceze, tek ato të gjykatës së Hagës dhe të konferencës së ambasadorëve për të hedhur dritë mbi këtë shkëmbim territori.

‘Që nga protokolli i Londrës, në relacionin që bëri të tetorit të vitit 21, i lidhjes së kombeve, vendimi i nentorit 21 i konferencës së ambasadorëve, vendimi 6 dhjetorit 1922 ia kishin përcaktuar dhe ia kishin dhënë Shqipërisë’ u shpreh Prof. Dr. Kaliopi Naska, historiane

Pas vendimeve të konferencës së Londrës më 1913, nisi pjesa më e vështirë e punës që ishte shkelje me këmbë e çdo terreni.

Lojrat e Fuqive të Mëdha dhe dokumentet që konfirmojnë përkatësinë shqiptare të Shën Naumit

Pra, qartësisht ai territor i takonte Shqipërisë dhe po mbahej padrejtësisht i pushtuar. Në arenë po luheshin interesa të ndryshme dhe Shqipëria pak aletë kishte.

‘Duke filluar nga 20-26 do të vësh re se Fuqitë e Mëdha aleatë që ishin pjesë e konferencës së ambasadorëve në momente të caktuara ranë dakord me vijën kufitare, në momente të tjera ku mplekseshin interesa të tyre dhe politike dhe ekonomike do të ishin kundër’ u shpreh Prof. dr. Kaliopi Naska, historiane

Ky dokument tregon se zvarritja e kufijve shqiptarë acaroi edhe fuqitë e mëdha. Nëpërmjet një note, në tetor 1922, katër fuqitë e mëdha, Anglia, Franca, Italia dhe Japonia, kërkojnë shqyrtimin e çështjes së Shën Naumit në komisionin e kufijve

Në vitin 1922 komisioni i kryesuar nga Enrico Telini shkoi në Strugë dhe në Shën Naum për ndarjen në terren. Në dhjetor të atij viti, konferenca e ambasadorëve shprehet zyrtarisht për Shën Naumin si territor brenda kufijve të Shqipërisë.

‘Vetë konferenca e ambasadorëve, pasi e mori në shqyrtim në vitin 1922 deklaroi se shprehja “deri në manastirin e Shën Naumit” nënkupton që ky manastir i takon Shqipërisë. Dhe u mendua që u mbyll, por serbët e kundërshtuan dhe interesat e Francës që në atë kohë donte ta bënte aleat ndryshoi qëndroi, dhe bëri çmos, lëvizi të gjitha letrat, bindi edhe Britaninë e Madhe për ta parë edhe njëherë çështjen e Shën Naumit’ u shpreh Prof. Dr. Paskal Milo, historian

Për serbët kjo ishte e papranueshme. Ata e kundërshtuan vendimin dhe u shprehën se nuk do ta njihnin asnjëherë si territor shqiptar. Madje, serbët dërguan përforcime në zonën përreth dhe përzunë me forcë priftërinjtë shqiptarë. Këtu fillon një piruetë e fuqive të mëdha.

‘Përfaqësuesit e qeverisë franceze filluan ta kundërshtojë, të mos bien dakord megjithë se në vendimmarrje ishte dakord. Madje më 1923 qeveria Serbo-kroate-Sllovene hoqën priftërinjtë shqiptare dhe filluan të vinin forca të armatosura për të qenë në gatishmëri madje filluan ta zbehin këtë vendim duke futur edhe fuqitë aleate. Me ndërhyrjen edhe të Anglisë iu drejtua përsëri Lidhjes së Kombeve’ u shpreh Prof. Dr Kaliopi Naska, historiane

***

A e shiti Zogu Shën Naumin?

Fitorja e radhës ishte vendimi i gjykatës së Hagës në favor të Shqipërisë në vitin 1924, duke ia njohur si territor Shën Naumin.

“Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vendos që Shën Naumi si manastir do t’i lihet Shqipërisë, ndërsa kufiri serb do të afrohet deri në 750 metra deri në hyrje të Shën Naumit. Ndërsa fshatrat si Lubanishta, Tërpeca ose Lagadini dhe disa kullota të tjera në drejtim të malit të Galicicës ti takojnë Serbisë”– u shpreh dr.Nebi Dervishi, historian.

Por, e linte çështjen sërish të hapur pasi përcaktimi në terren i kufirit duhej të arrihej me marrëveshje mes dy vendeve. Në momentin kur çështja mendohej se u mbyll, pas këtij vendimi konsultativ të Hagës del në skenë influenca e fuqive të mëdha në lidhjen e Kombeve. Përmes një rezolute ia përcjell çështjen e rigjykimit të pretendimeve Jugosllave, konferencës së ambasadorëve.

‘Qëllimisht e çuan tek Konferenca e Ambasadorëve pasi e kishin më të lehtë të manipulonin çështjen, sepse ishte më mirë ta diskutonin tre fuqi të mëdha Evropiane, se sa ta diskutonin 30 vende anëtare të Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Dhe ushtruan presion tek Zogu se ai do të kishte nevojë për mbështetjen e tyre’- u shpreh Prof. Dr. Paskal Milo, historian.

Në të njëjtën kohë me këtë vendim shumë të rëndësishëm, në arenën politike shqiptare kishin ndodhur shumë ngjarje. Shqipëria kishte përjetuar dy grushte shteti radhazi. Me revolucionin e qershorit 1924, Fan Noli rrëzoi nga pushteti Ahmet Zogun, i cili erdhi sërish në pushtet më forcë 6 muaj më pas.

Arratisja e tij në Beograd dhe nënshkrimi i një marrëveshje të supozuar me një nga figurat më të forta të mbretërisë së asaj kohe serbe, Nikolla Pashiç, janë pika e vlimit që sipas historisë vendosi fatin e Shën Naumit.

You may also like