Ish-kryeministri, Sali Berisha ka dalë në dritaren e ballkonit të tij për natën e tetë me radhë dhe i është drejtuar simpatizantëve të tij që janë mbledhur poshtë godinës me një fjalim.
Advertisements
Berisha iu drejtua simpatizantëve duke i thënë se ata janë simboli i shpresës që rrezaton në katër anët e vendit.
Advertisements
Ai shton se përpjekja e tyre, beteja që ata kanë nisur po zgjon çdo ditë e më tepër luanët e fjetur në zemrat e opozitarëve të Shqipërisë.
Berisha: Çdo natë, ju mblidheni këtu dhe ngrini zërin tuaj të fuqishëm kundër kësaj diktature, kundër këtij pushtimi shkatërrimtar që është vendosur në Shqipëri.
Por ju garantoj se jeni sot simboli më i ndritur i shpresës për shqiptarët.
Se jeni sot, simboli që rrezaton sot në të katër anët e vendit shpresë.
Jeni sot drita që ndriçon rrugën e mendjes për çdo shqiptar.
Përpjekja juaj, beteja që ju nisët, zgjon çdo ditë e më shumë luanin e fjetur në zemrat e demokratëve, në zemrat e opozitarëve të Shqipërisë.
Drita që ju lëshoni, era e shpresës dhe ndryshimit, tmerron çdo ditë, struk çdo ditë Edi Ramën, aleancën e krimit dhe nxjerr para shqiptarëve të gjithë shëmtinë e tij.
Miqtë e mi, një president i madh amerikan, Abraham Linkoln, ka thënë njëherë se një njeri mund të jetë shumica, ndaj dhe ju garantoj se ju sot këtu jeni shumica.
Ju jeni shumica sepse guximi juaj i jep guximit mbarë qytetarëve.
Sepse shpresa që mbillni është jetike për shumicën e shqiptarëve.
Ju jeni shumica sepse shumica nuk e do kurrë këtë pushtim të aleancës së krimit me pushtetin.
Ju jeni shumica sepse duhet një shesh për t’u përballur për një kauzë të drejtë. Duhet një shesh për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’u dalë zot të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Duhet një shesh për t’u thënë shqiptarëve se Shqipëria nuk do jetë kurrë pa opozitë.
Se ëndrra e Edi Ramës për një Shqipëri pa opozitë, do bëhet pluhur nga ju.
Një thirrje kam për mbarë qytetarët shqiptarë: të mos harrojmë se sot nga thellësitë e tokës së këtij vendi, sot mbarë shoqëria shqiptare gjëmon një zë, kumbon një zë, kumbon një thirrje, çfarë po bën ti për Shqipërinë?
Kjo thirrje, të cilën Xhon Kenedi e formuloi aq bukur, është një thirrje e përjetshme për të gjithë qytetarët që shohin veten e tyre në lëngim, në vuajtje, në mjerim.