Prokuroria e Posaçme ka mundur të dokumentojë një rrëfim të një tjetër të penduari që hedh dritë mbi një tjetër grup të fuqishëm kriminal që vepron në vendin tonë.
Advertisements
I arrestuar prej më shumë se 6 muajsh, pasi u kap me mina të telekomanduara teksa pinte kafe në Vlorë, Amarildo Nikolli është ‘dorëzuar’ duke treguar skemën se përse gjendej në atë ambient dhe përse ishte armatosur gjer në dhëmbë. Për pasojë, ai ka nxjerrë edhe emrat e personave me të cilët ka komunikuar dhe madje ka bërë edhe pazar për ekzekutimin e Inez Hajrulla.
Advertisements
SPAK dhe policia ndërhynë dy ditë më parë në një operacion, por sollën në pranga vetëm njërin nga tre emrat që dha shkodrani i penduar, ndërkohë që dy personat e shpallur në kërkim thuhet se janë kushërinj të parë me njëri-tjetrin.
ARRESTIMI I RADHËS
Një 35-vjeçar nga Shkodra u arrestua në Vlorë teksa lëvizte më me armë zjarri me silenciator dhe me fishek në fole, gati për qitje më 8 gusht të vitit që lamë pas. Plot 6 muaj më pas mësohet se objektiv i atentatit që u arrit të parandalohej me arrestimin e Amarildo Nikolli ishte Inez Hajrulla bëjnë me dije burimet.
Ky është atentati i tretë që Hajrulla i njohur si i forti i Vlorës arriti t’i shpëtojë. Arrestimi 35- vjeçarit Nikolla në gusht të 2023, çoi Prokurorinë e Posaçme në gjurmët e një tjetër të dyshuari dhe operacionit të koduar “Trekëndëshi’ për të cilin policia informoi dy ditë më parë. Me urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme, në Vlorë u vu në pranga Muharem Koroveshi i njohur dhe me mbiemrat Ismaili dhe Myftaraj, ndërsa u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, pasi dyshohet se kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasje ndërsa akuzohen për një sërë veprash të tjera penale si grup i strukturuar kriminal.
“Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, thuhet në njoftim.
Zyrtarisht nuk jepen të dhëna se kush ishte objektivi por burimet bëjnë me dije, se tentativa për vrasje ka ndodhur verën e kaluar, ku në atë kohë u arrestua Amarildo Nikolla me pistoletë me silenciator gati për qitje, ndërsa dosja iu referua SPAK për kompetencë pasi u gjetën elementë të grupit të strukturuar kriminal. Amarildo Nikolli dyshohet të jetë pajtuar si vrasës me pagesë, me precedentë të mëparshëm në Itali, ndërsa në Shqipëri nuk ishte i skeduar.
Ai është arrestuar në ambientet e një pastiçerie që ndodhet afër kompleksit “Oslo” në Vlorë, zonë kjo ku vepron grupi i Edison Harizajt, ndërsa në atë kohë dyshimet ishin se në shënjestër të atentatit ishte Inez Hajrulla.
POROSIA
Një rrëfim i dhënë pak muaj më parë nga një person i kapur në muajin Gusht 2023 në Vlorë, gati për të bërë vrasjen e Ines Hajrulla, ka çuar një ditë më parë në arrestimin e një personi i kamufluar me tri emra të ndryshëm si dhe shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë. Lidhur me këtë ngjarje pak javë më parë u bë me dije se shkodrani që ishte penduar dhe kishte folur në SPAK për vrasjen e Inez Hajrulla dhe disa personave të tjerë, është Amarildo Nikolli alias Xhanej.
Nikolli ka treguar se ishte kontraktuar nga dy djem xhaxhallarësh me inicialet L.Z dhe E.Z si dhe nga shtetasi i arrestuar me tre emra, Muharrem Koroveshi. Të tre personat i përkasin një grupi kriminal, i cili kishte premtuar një shumë financiare që besohet se është diku tek 300 mijë euro me qëllimin e vetëm vrasjen e Inez Hajrulla, në fillim të muajit gusht 2023 në Vlorë. Grupi kishte siguruar armët, mjetet e largimit dhe njëherësh garantuar strehimin e vrasësve me pagesë.
Në momentin e arrestimit nga policia e Vlorës, dy kushërinjtë ishin në ambientet e një pastiçerie në zonën e “Lungomares” në Vlorë. L.Z dhe E.Z, shoqëronin shkodranin Nikolli, duke e afruar pranë zonës së quajtur “Oslo”, territor ky që kontrollohet nga grupi i drejtuar nga Inez Hajrulla. Në momentin kur ka ndërhyrë policia dhe ka arrestuar Amarildo Nikollin, dy kushërinjtë kanë mundur të largohen me vrap duke mos u arrestuar nga policia.
Fillimisht çështja ndaj Nikollit u trajtua nga Gjykata e Vlorës për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit”, ndërsa informacionet paraprake tregonin se Amarildo Nikolli, kishte udhëtuar nga Italia në Shqipëri për të kryer një vrasje me pagesë në qytetin e Vlorës. Ditën e arrestimit Nikolli ndodhej i shoqëruar në ambientet e një Pastiçerie në “Lungomare” me dy persona të tjerë të cilët mundën ti shpëtojnë kapjes nga policia lokale. Por teksa ka qëndruar disa muaj në hetim në policinë dhe prokurorinë e Vlorës, kjo e fundit pak kohë më parë ka shpallur moskompetencën dhe rastin e Amarildo Nikollit, ja ka çuar për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.
Prokuroria ka nisur hetimet për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve të zjarrit”. Ai tashmë është kthyer në bashkëpunëtor i prokurorisë SPAK, duke treguar veprimtarinë kriminale që ka kryer në Vlorë dhe bisedat që kryenin me personat e shpallur në kërkim për vrasjet me pagesë.