“Rinohet” Policia e Shtetit, ata mbi 55 vjeç do marrin pagë speciale dhe mund të punojnë edhe në privat deri në pensionin e plotë, zbardhet projektligji

by editor

Punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë 30 vite shërbim, do të mund të mbyllin karrierën e tyre në moshën 55 vjeçare kundrejt një skemë te re shpërblimi financiar. Kjo parashikohet në ligjin e ri për Policinë e Shtetit që ndodhet në proces konsultimi publik.

Advertisements

Referuar projektligjit, punonjësit e policisë që plotësojnë këto kritere do të mund të përfitojnë trajtim të veçantë financiar për periudhën e mbetur, deri në arritjen e moshës për pensionin e plotë të pleqërisë. Po ashtu, skema e trajtimit financiar, nuk cenon të drejtën e dypunësimit, çka do të thotë se krahas përfitimit të trajtimit të veçantë financiar, gjatë kësaj periudhe ata njëkohësisht mund të punojnë në punë të tjera. Kjo skemë, sipas relacionit të projektligjit, do të garantojë një rifreskim të trupës policore.

Advertisements

“Punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi, kur ka plotësuar 30 vite vjetërsi shërbimi vetëm në strukturat e Policisë së Shtetit dhe ka mbushur moshën 55 vjeç. Punonjësi i policisë?, në momentin që përfiton trajtim të veçantë shërbimi, merr shpërblim menjëhershëm në masën e 6 (gjashtë) pagave, sipas pagës bruto të muajit të fundit. Masa e trajtimit të veçantë të shërbimit është 70% të pagës neto të muajit të fundit dhe për çdo vit shërbimi mbi 30 vjet masa e trajtimit rritet me 1% të pagës, por nuk duhet të kalojë 80% të saj” parashikohet në nismën e re ligjore.

Po ashtu, ligji i ri për Policinë e Shtetit propozon një sistem më favorizues për trajtimin financiar të punonjësit të policisë, ku komponentët e këtij trajtimi janë paga për gradë, shtesa për funksion e natyrë të veçantë pune, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi, ku vjetërsia e shërbimit bazohet jo vetëm në një pagë referuese për të gjitha nivelet, por mbi pagën për gradën më të ulët të rolit përkatës, duke mundësuar një trajtim financiar të shkallëzuar. Një tjetër aspekt i trajtimit financiar të propozuar është edhe shpërblimi i menjëhershëm në masën e 6 (gjashtë) pagave kur punonjësi i policisë përfiton trajtim të veçantë shërbimi ose del në pension pleqërie. Ofrimi i kredisë me interesa të butë për strehim për punonjësit e policisë, sigurimit shëndetësor të veçantë dhe kompensimit në rastet e plagosjes dhe dëmtimit të shëndetit të punonjësve të policisë janë një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtimit të punonjësit të policisë. Ligji në fuqi për Policinë e Shtetit është miratuar 10 vite më parë.

You may also like