Gazetarja e njohur, Klodiana Lala foli për ndërhyrjet në sistemin TIMS. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, gazetarja Lala zbuloi se ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, që kopjoi të dhënat ishte pa certifikatë sigurie, ndërsa sipas saj, ai u katapultua në këtë detyrë me financim të personave të pushtetshëm. Madje zonja Klodiana Lala theksoi se ka qenë një punonjës që nuk ka pranuar të japë kodet dhe ai u largua nga puna. Sipas saj, Ervin Muça sapo mori detyrën ka larguar shumë punonjës, duke i zëvendësuar ata me të tjerë. “Drejtori i Policisë së Shtetit ia ka propozuar ministrit të Brendshëm, Çuçi. Me të ardhur në detyrë, Ervin Muça ka larguar të gjithë punonjësit dhe janë zëvendësuar me të tjerë. Besjan Tanuzi ka qëndruar vetëm një muaj në detyrë për të marrë të dhënat në sistemin TIMS. Muça ka përdorur kartën e një punonjëse për të hyrë në institucion. Ka bërë back-up pa lajmëruar eprorët. Prokuroria e Tiranës thotë se nuk ka nevojë për back-up, pasi e bën automatikisht sistemi. Duhet t’i themi faleminderit Ardit Muços (sot është papunë). Nuk ka pranuar të hyjë në sistem dhe u ka kërkuar vartësve të mos dorëzonin kodet. Zyrtarët kanë deklaruar se nëse nuk do dorëzonim kodet do të shkonim në Prokurori. Në momentet që Ardit Muço, që është djali i një zyrtari të lartë policie, ka refuzuar të japë kodet, Ervin Muça ka urdhëruar t’i ndërpritet aksesi në sistem. Aty shkon edhe një zonjë pa asnjë lidhje me sistemin TIMS. Denoncimi ka vajtur pesë ditë më vonë. Për pesë ditë, policia ka lejuar që aty të bëhet një masakër nëse mund ta them kështu. Ervin Muça nuk kishte certifikatë sigurie. Ndërkohë që ministri i Brendshëm na thotë se deputetët nuk kishin certifikatë sigurie, në fakt vetë Ministria dhe policia i kishte dhënë të gjithë “minierën e arit” një njeriu që nuk kishte certifikatë sigurie. Ky personazh kishte rekorde jashtë. E treta, ky personazh jo vetëm kishte ardhur si kandidat i vetëm dhe i financuar nga persona të pushtetshëm nga Durrësi dhe kam prova për këtë. Certifikata e sigurisë i mungonte. Në momentin që ka ndërprerë aksesin për të tjerët. Pasi kishte nisur komisioni hetimor, ata u kujtuan se i duhet refuzuar certifikata e sigurisë”, deklaroi ajo.
Advertisements
Reforma në drejtësi
Advertisements
Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala theksoi se qeveria synon të kontrollojë Prokurorinë e Posaçme (SPAK) nëpërmjet një komisioni që drejtohet nga Fatmir Xhafaj. “Zonja Balluku ishte në SPAK për aferën e inceneratorëve dhe SPAK duhet të na e thotë se kush është ‘shapi dhe sheqeri’. Kryeministrit i ka vajtur SPAK te pragu i shtëpisë dhe e vetmja mënyrë për ta vënë nën kontroll është komisioni i posaçëm dhe ka vënë Fatmir Xhafën aty. Është tentativë e pastër për ta vënë nën kontroll SPAK-un dhe Shqipëria do të shkojë 30 vite mbrapsht. Pse ka vënë Fatmir Xhafën? Sepse ai e qepi reformën dhe tani synon ta shqepë. Ai shkon te amerikanët dhe ai u thotë se ju më besuat reformën dhe me këtë nuk do t’u zhgënjejë. Partnerët ndërkombëtarët duhet që kanë derdhur miliona duhet të jenë vigjilentë”, u shpreh ajo.
Megaoperacioni i SPAK
Nga ana tjetër, gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje sa i përket operacionit me 50-urdhër arreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Gazetarja Klodiana Lala tregon se përplasjet mes grupeve kriminale vijnë kryesisht për dy arsye, lojërat e fatit dhe ndarja e territoreve për trafikun e drogës. Më tej, gazetarja Lala shtoi se SPAK ende nuk ka reaguar për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë, analizimin e provave edhe fakteve, por edhe dyshimeve se të përfshirë ka edhe efektivë e zyrtarë policie. Madje Lala theksoi se nga burimet e saj ka informacione për përfshirje të zyrtarëve të lartë aktual të policisë, por SPAK dhe Policia ende nuk e konfirmojnë. Sa i përket emrave, të cilët janë me peshë në botën e krimit, gazetarja Lala tha se ata kanë një lloj mllefi ndaj medias e ndaj atyre që i ekspozojnë, por SPAK ka bërë një goditje dhe ka prova edhe për emra të tjerë të cilët operojnë jashtë vendit, përfshirë edhe Dubain. Ndërkaq gazetarja Klodiana Lala tha se ka emra të tjerë që pritet të goditen në kuadër të hetimeve që po kryen nga Prokuroria. Një tjetër detaj që thekson Lala është se hetimet që po kryhen për grupet e Vlorës, janë të dhëna për grupet kriminale që operojnë në zonën e Elbasanit, si kundër edhe për ato të qytetit të Fierit dhe të Durrësit. “Dy grupimet më të rrezikshme në Elbasan janë dy, një është Erion Alibej, i cili është i arrestuar. Kush janë kundërshtarët e tyre? Janë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Hetimet për dy grupimet shumë të rrezikshme kriminale, të përfshira në trafikun e drogës, po kryen nga SPAK”, nënvizoi gazetarja Klodiana Lala.