Kujt i trembet Putin? Presidenti rus shton sigurinë personale, shfaqet me jelek antiplumb

by editor

Shërbimet speciale të Rusisë kanë rritur masat tashmë të rrepta të sigurisë që rrethojnë presidentin, Vladimir Putin në një shkallë të paprecedentë, thanë për The Moscow Times dy zyrtarë rusë që kanë qenë të pranishëm në shumë paraqitje publike të 71-vjeçarit.

Advertisements

Kremlini-tashmë në gatishmëri të shtuar të sigurisë për shkak të pushtimit të Ukrainës – është tronditur nga sulmet e fundit ndaj politikanëve të rangut të lartë në Evropë dhe Azi dhe ka rritur sigurinë e Putinit.

Advertisements

“Kremlini e merr shumë seriozisht sigurinë e Vladimir Putinit. Ai mbrohet nga një ushtri e tërë rojesh të dukshme dhe të padukshme. Ndër faktorët e rrezikut për Kremlinin janë urdhri i arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për Putinin me akuza për krime lufte, si dhe rreziku i sulmeve me dron, sabotazhi ukrainas dhe sulmeve nga radikalët islamikë.”, tha një zyrtar rus që mori pjesë në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj për “The Moscow Times”.

Ai shtoi se Kremlini ishte në gatishmëri veçanërisht të lartë pas vrasjes së ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe në vitin 2022 dhe tentativës së muajit të kaluar për të vrarë kryeministrin sllovak, Robert Fico. Kremlini ka thënë publikisht se nuk kishte nevojë të rriste sigurinë e tij.

Advertisements

“Masat e sigurisë janë në nivel standard. Ne po bëjmë gjithçka që duhet bërë për të garantuar sigurinë e presidentit”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pas atentatit ndaj Ficos.

Në realitet, shërbimet speciale kontrollojnë pothuajse çdo aspekt të jetës së Putinit, deri në testimin e të gjitha vakteve ushqimore duke përdorur një laborator portativ, tha një burim pranë Kremlinit.

“Presidenti ka kuzhinierë personalë që udhëtojnë gjithmonë me të. Edhe sendet ushqimore sillen me të, por edhe atëherë, ka gjithmonë një grup të veçantë oficerësh që udhëtojnë me Putinin, të cilët kontrollojnë të gjitha vaktet para se Putini të arrijë tek ata”, tha burimi.

Putini ka veshur jelekë anti-plumb në ngjarje publike në natyrë, duke përfshirë Moskën, të paktën që nga viti 2023. Ai e ka bërë këtë me rekomandimin e fortë të Shërbimit të Sigurisë Presidenciale (SBP), një njësi brenda Shërbimit Federal të Gardës (FSO) që mbron presidentin, tha një nga dy zyrtarët e njohur me këtë çështje. Putin madje kishte veshur parzmore poshtë palltos për ngjarjet e këtij viti që shënojnë Ditën e Fitores, e cila feston fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, tha një nga dy zyrtarët rusë.

Sakaq, ‘Dita e Fitores’ është një nga festat më të rëndësishme dhe simbolike të vitit për Kremlinin, me masa të rrepta sigurie dhe përgatitje për paradën masive ushtarake në Sheshin e Kuq duke filluar shumë përpara.

You may also like