Si u shpik shqiponja me duar që “çmendi” shqiptarët e trazoi Ballkanin

by editor

U bënë vite që simboli që identifikon shqiptarët në evente dhe mbledhje publike është shqiponja me duar. Një gjest që sa ka “çmendur” njerëzit, të cilët shfrejnë patriotizmin e tyre viral në rrjete, por që nuk lënë prapa politikanët dhe personazhet publike që duan të fitojnë pikë për tu treguar si patriotë.

Advertisements

Nuk ka më asnjë event apo zijafet që të mos përdoret shqiponja me dy duar. Simbol që ka çmendur fqinjët tanë, sidomos serbët e grekët, që kanë marrë tmerr nga ajo.

Advertisements

Nuk lënë rast pa e sharë në rrjete, apo edhe protestuar institucionalisht kur e konsiderojnë “provokacia”. Edhe pse serbët shqiponjën e kanë në flamur, por edhe grekët e kanë futur në të ashtuquajturin “Flamur të Vorio-Epirit”.

Përfundimisht mund të thuhet qartësisht se shqiponja me duar, është betonuar si një symbol kult, përkatësisht një totem popullor që përfaqëson shqiptarët.

Por si lindi, kush e nxori për herë të parë publikisht shqiponjën me duar, e që më pas u kthye në një fenomen që e përdorin e dhe VIP-a botërorë, që për arsye të ndryshme, duan të tregojnë simpatinë ndaj shqiptarëve.

Kush ka lindur në fund të viteve 60 të shekullit të shkuar, apo kryesisht në vitet 70, mban mend një fenomen gati viral që praktikohej në plazhet me rërë të Detit Adriatik kryesisht, që ishin edhe më të mbipopulluarit. Në atë kohë nuk kishte Chers-long apo shezllonë në plazhe. Të gjithë shtriheshin në rërë gjërë e gjatë, e vetëm ndonjë tip “mikroborgjez” kishte sajuar nga jashtë ndonjë karrike portative apo një peshqir të ardhur prej Europe.

Fëmijët, si një nga lojrat më popullore mes tyre, apo gara të vogla, bënin shqiponjën me duar e vendosnin në gjoks, e më pas shtriheshin në rërë, duke konkuruar kush e bën më të bukur.

Më pas fëmijët e viteve 80 apo 90, që quhet përgjithësisht “brezi i çokokremit”, jo vetëm që nuk e bënë këtë, po rata nuk ndoteshin në rërën e plazhit. Dolën shezllonet, dysheqet e peshqirat, ku rëra quhej e tmerrshme edhe po të ngjitej në këmbë, ku hiqej si të ishte pisllëk. Kështu ai gjesti i shqiponjës humbi e u tret si fenomen cool. Fëmijët e viteve 70 ishin bërë burra, ku plazhi për ta nuk ishte plandosja në rërë, por përqafimi apo gili vilit nëpër ujë me vajza.

Rikthimi në publik

Shqiponjën me duar për herë të parë në publik e ka bërë Kreshnik Spahiu në vitin 2011, në një aktivitet të Aleancës Kuqezi që sapo themeloi, ku tha “shqiptarët nuk duhet të bëjnë dy gishtat apo grushtin, por shqiponjën”.

Pas Kreshnikut, këtë symbol e bënë kapiteni i atëhershëm i kombëtares kuqezi, Lorik Cana dhe një grup artistësh që bënë edhe një videoklip për llogari të Aleancës Kuqezi. Madje u kthye edhe element parodie e kabareje në Portokalli

Më pas, shqiponja u kthye në “provokacion nacionalist”, pasi shkaktoi polemika, që në vend ta ndalnin e bënë një gjest mbarëpopullor. Madje, Ilir Meta, njeriu që bëri gjithçka te Edi Rama në vitin 2013 që Aleanca Kuqezi të mos hyjë në koalicion kundër Berishës, e ktheu në gjestin më të dashur kur ishte President me “popullin e 2 marsit”. Natyrisht e ktheu në parodi. Por në aspektin politik, shqiponja hapi aq probleme, sa Berisha ngriti një komision Hetimor për të ndëshkuar Kreshnik Spahiun, asokohë Nënkryetar i KLD, se “po na prish marrëdhëniet me fqinjët.

Megjithatë ujrat rrodhën, bashkë me politikën dhe lëvizjet e saj, e sot shqiponja me duar është një gjest kult, ku mitomanë pellazgjikë rrjetesh kanë nisur ta kërkojnë edhe në shkrimet apo skulpturat antike. Megjithatë, autori, pra Kreshnik Spahiu, sipas gjasave nuk e ka regjistruar si patent që të marrë të paktën të drejtën e autorit. Ndoshta jo kur ajo kthehet në gëzim popullor, por në një pamflet politik…

You may also like