“Jemi i vetmi vend në botë që s’kemi pritje, 2-3 javë nuk quhet radhë”- Shefja e Onkologjikut: Të sëmuresh me kancer s’do të thotë që je e paaftë për punë, nëse je duke vdekur ndryshon

by editor

Shefja e Onkologjisë, Silvana Çeliku, gjatë raportimit në Komisionin e Shëndetësisë, pas skandalit ku mjekët bënin “pazar” me jetët e pacientëve me kancer duke mos u ofruar shërbimin në QSUT, por duke i drejtuar tek klinika private e mjekut Edmond Gashi, është shprehur Shqipëria është i vetmi vend në botë që s’ka pritje, teksa theksoi se 2 deri në 3 javë nuk quhet radhë.

Advertisements

“Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi radhë pritje. 2 javë apo 3 tre javë nuk quhen radhë pritje, jo. Të shkosh në vende të zhvilluara, në Gustav Rusi që është një nga qendrat më të mëdha të trajtimit të kancerit, ka pritur 3 muaj për të bërë takim me Onkologun. Radhë janë radhë”, u shpreh shefja e Onkologjikut.

Advertisements

Silvana Çeliku u shpreh gjithashtu se të sëmuresh me kancer s’do të thotë që je e paaftë për punë, duke shtuar “nëse je duke vdekur pastaj ndryshon”.

“Në Onkologji çdo pacient që vjen, edhe pse nuk është i siguruar, edhe pse s’ka punuar asnjë ditë pajiset me kartë shëndeti dhe merr të gjithë trajtimin falas, nuk paguan atë që i siguron shteti. Sa kohë është gjallë, merr shërbim dhe përkrahje sociale, i paguhet nga shteti sepse nuk ka punuar që të marrë Kemp.

Për problemin me Kemp-in, unë kam opsionin tim të kësaj gjëje. Të sëmuresh me kancer nuk do të thotë që je e paaftë për punë. A në je duke vdekur ky pastaj ndryshon. Por, se ke hequr mitrën dhe ke pasur një kancer dhe ke bërë radioterapi, kjo s’do të thotë që do të marrësh Kemp të përhershëm”, deklaroi ajo.

Gjithashtu shefja e Onkologjikut theksoi se në spital ka mungesa ilaçesh dhe do të vazhdojë të ketë.

“A ka mungesa ilaçesh? Ka pasur dhe do të ketë, nuk kemi pse ta fshehim fare. Nëse doni të themi, po ka mungesa dhe që ka munguar irinotecan 2-3 javë, që ka munguar erlotinib, i cili ka ardhur donacion dhe që është bërë e mundur dhënia e pacientit çdo 10 ditë, jo se nuk e ka marrë të plotë por çdo 10 ditë por ti sigurojmë të gjithëve mundësi të barabartë.

Mundohemi të arrijmë më të mirën e mundshme, jam këtu për të mbajtur përgjegjësi. Nuk pranoj përbaltjen e personelit”, tha Silvana Çeliku.

You may also like