Publikohet renditja e re e FIFA-s, ja ku renditet Shqipëria pas performancës në Europian

by editor

Me përfundimin e Europianit të futbollit në Gjermani dhe Kupës së Amerikës, ku Spanja dhe Argjentina triumfuan duke ngritur lart trofetë respektivë, FIFA ka publikuar edhe renditjen e re të ekipeve kombëtare.

Advertisements

Argjentina, kampione botë në fuqi, pas mbrojtjes së kurorës edhe në Amerikë me fitoren 1-0 në finalen kundër Kolumbisë, kanë konsoliduar pozitën e tyre në krye të renditjes së FIFA-s.

Advertisements

Por në dhjetëshen kryesore ka pasur ndryshime të rëndësishme. Rritjen më të madhe mes të mëdhenjve e ka Spanja, me “La Rojan” që ngjitet 5 vende duke u renditur tanimë e treta, pas Francës.

Anglia si finaliste e Europianit renditet e katërta duke parakaluar Brazilin, pasi Seleçao dështoi në Kupën e Amerikës duke u eleminuar në çerekfinale nga Uruguai.

Advertisements

Belgjika ka rënë me tre pozicione dhe tani gjendet jashtë pesëshes së parë. Pas “Djajve të Kuq” në vendin e 7 vjen Holanda që nuk ndryshon pozicion, ndërsa Portugalia humb dy vende duke u renditur e teta.

Kolumbia pasi arriti finalen e Kupës së Amerikës ka “fluturuar” me tre vende në renditjen e FIFA-s duke u katapultuar e nënta, ndërsa dhjetëshen më të mirë e mbyll Italia.

Në 50 e kombëtareve më të mira, dy skuadra kanë pasur një ngjitje spektakolare. Turqia, e cila arriti deri në fazën çerekfinale të Europianit, tashmë renditet e 26-ta duke fituar 16 vende, ndërsa Venezuela katapultohet e 37-ta duke u ngjitur me 17 vende.

Sakaq, Shqipëria edhe pse zhvilloi tre ndeshje pozitive përballë fuqive si Spanja e Italia dhe arriti një barazim historik me Kroacinë, nuk ka ndryshuar asnjë vend në renditje.

Kuqezinjtë mbeten të 66-tët në renditje, ndërsa Kosova ka humbur një vend duke u renditur e 106-ta.

You may also like