Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi dhe skanimi në një hark kohor prej dy vitesh për mënyrën e funksionimit të kontratave nga autoriteti kontraktor AKSHI dhe Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka ngritur disa shqetësime për Policinë e Shtetit. Së pari KLSH në përfundimet e këtij auditimi, kërkon ndërhyrje sa më të shpejtë për funksionimin e sistemit të gjobës elektronike, pasi janë vërejtur disa problematika. Sipas raportit të KLSH, nga auditimi mbi procesverbalet e konstatimit të shkeljes, u vërejt se fotografimi nuk është bërë pjesë e formularit të miratuar për kundërvajtjen. Fotografimi është prova që vërteton shkeljen e konstatuar dhe mungesa e kësaj prove në informacionin që i vihet në dispozicion kundërvajtësit nëpërmjet shërbimeve online në eAlbania, bën që të ketë një numër të lartë ankesash në këtë drejtim, thotë KLSH.
Advertisements
Gjobat
Advertisements
Një tjetër problematikë e evidentuar nga ky raport, lidhet me gjobat për makinat me targa të huaja. Nga auditimi mbi funksionalitetet e sistemit eGjoba për kundravajtjet e konstatuara në mjetet me targa të huaja, u konstatua se nuk hidhen në sistemin gjoba, në mënyrë që këto të dhëna të jenë të vlefshme për t’u ekspozuar në sistemin TIMS për kontrolle në pikat kufitare. Përcjellja me rrugë shkresore për në pikat kufitare, tregon se lidhja ndërmjet sistemit TIMS dhe eGjoba nuk është bërë për njoftime automatike për këto raste të kundravajtjeve nga mjete me targa të huaja, megjithëse të dy sistemet janë në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hartimi shkresor i “Njoftimit në kufi” është joefektiv për sa i takon vjeljes së kundravajtjes për arsye se identifikimi i rasteve dhe komunikimi deri në njësitë kufitare bëhet për më shumë se 24 orë;
Në sistemin eGjoba nuk është ndërtuar një funksionalitet ku agjenti krahas kundravajtjes, të mund të plotësojë dhe arkëtimin duke e regjistruar rekordin në sistem dhe të gjenerojë një faturë arkëtimi sikurse gjeneron dhe printon një faturë kundravajtje, me qëllim ruajtjen e të dhënave në sistem dhe parandalimin e abuzimit në këto raste. Për këtë pikë, KLSH rekomandon se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit si Autoritet Përfitues për shërbimet e informatizuara në sistemin eGjoba, të përcjellë tek AKSHI procesin që nuk është realizuar nga OE për mundësimin e regjistrimit të të dhënave të kundravajtjes në sistemin eGjoba në mënyrë që këto të dhëna të jenë të ekspozueshme për sistemin TIMS.
Advertisements
Zbritja e pikëve
Ndërkohë, vërehet se probleme ka edhe me zbritjen e pikëve për drejtuesit e mjeteve. Sipas KLSH, agjenti i policisë nuk ka një mënyrë se si të përllogarisë zbritjen e pikëve mbi një leje drejtimi në rast se diferenca ndërmjet datës së konstatimit me datën e lëshimit të lejes tregon se ai/ajo është një drejtues i ri ndërkohë që leja e drejtimit është e rinovuar. Vetë punonjësit e policisë rrugore në terren u shprehen se kanë marrë vërejtje për vendosjen e masave plotësuese jo të sakta. Më tej, nga auditimi u konstatua se njoftimi i shkelësit jo prezent për kundërvajtjen duhet të bëhet dhe me shkresë në adresën e tij, dhe për të realizuar këtë detyrë, punonjësit e policisë që kanë konstatuar dhe regjistruar shkeljen në sistem, detyrohen t’i njoftojnë me shkresë shkelësit që nuk janë konstatuar prezentë. Por KLSH vëren se në shumë raste, kjo procedurë rezulton e paefektshme për shkak të adresave të gabuara apo të paplota në sistemin e adresave, të dhëna këto që lexohen nga regjistri i adresave në DPGJC.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, të marrë masa për shtimin e fotos së kundravajtjes për mjetin e konstatuar pa prezencë të shkelësit e cila aktualisht nuk është pjesë e formularit të miratuar për kundërvajtjen, me qëllim minimizimin e ankesave, minimizimin e kohës së trajtimit dhe përgjigjes së tyre, nisur nga fakti që fotografimi i shkeljes është një nga provat që vërteton kundravajtjen”, rekomandon KLSH. E po ashtu, për sistemin eGjoba nuk është hartuar dhe dokumentuar Strategjia e Backup e dedikuar dhe Strategjia e Rikuperimit e dedikuar me elementët që duhet të përfshihen sipas manualit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet se nuk dokumentohet procesi i hartimit të planit të testimeve, i realizimit të testimeve dhe i rezultateve të dala nga testimet e kryera të backup-it të të dhënave të sistemit të gjobave elektronike, si dhe ruajtja e kopjes rezervë në një tjetër ambient. Ajo që KLSH rekomandon në këtë rast, i drejtohet strukturave drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që të marrin masa për hartimin dhe dokumentimin e Strategjisë së Backup të të dhënave të sistemit.
Policët në dietë, kartat e “tollonave” janë ende bosh
Përveç raportit të KLSH, problematikat për policët nuk kanë fund. Ata shërbejnë 12 orë nën temperatura përvëluese, kilometrat e makinave të shërbimit i kanë me limit, u duhet të jenë në çdo protestë, koncert apo ndeshje. Këta janë efektivët e Policisë së shtetit, punonjësit më të keqtrajtuar në vendin tonë. Pasi pritën me muaj të tërë që të merrnin paratë e ushqimit, Ministria e Brendshme vendosi që të mos ua jepte bashkë me pagën, por si “tollona”, duke i detyruar të blinin ushqime në supermarketet që kishin nënshkruar kontratë me institucionin që drejtohej nga Taulant Balla. Ky i fundit, në një intervistë në 30 Maj deklaroi që efektivët do t’i merrnin shumë shpejt paratë e tyre, duke iu kaluar fillimisht 6 muaj menjëherë, dhe më pas çdo muaj me radhë. Por, duket se Taulant Balla u largua nga detyra e Ministrit të Brendshëm së bashku me premtimin se do të kalonte në llogaritë e efektivëve të Policisë lekët e ushqimeve për 6 muajt e parë të vitit 2024. Deri më sot, asnjë prej efektivëve të Policisë nuk ka marrë asgjë të premtuar, por mbajnë në xhepa dhe në portofola kartën bosh të bankës, në pritje çdo ditë se ndoshta paratë do të kalojnë dhe ata do të shkojnë me detyrim në supermarketet që u ka caktuar Ministria. Nuk dihet nëse ministri i ri, Ervin Hoxha do t’i japë zgjidhje kësaj situate.