U vra nga nipi i Valter Gorës, del VIDEO e momenteve të fundit të jetës së Egli Progës

by editor

Janë publikuar momentet e fundit të jetës së 42-vjeçarit Egli Proga, babai i dy fëmijëve, i cili dy ditë më parë u dhunua brutalisht për vdekje nga 29-vjeçari Denis Mece.

Advertisements

Në videon e mëposhtme të kapura nga një kamer sigurie e një dyqani fruta-perimesh, janë momentet e Egli Progës pak para se të dhunohej për vdekje.

Advertisements

Në video dallohet në fillim 42-vjeçari që del nga një ambient biznesi, që duket se e zotëronte vetë, teksa përpiqet ta mbyllë me çelës dhe me shumë vështirësi.

Pas shumë përpjekjesh, ai arrin ta mbyllë derën dhe nis të ecë i lëkundur në trotuarin e rrugës, ku nuk mban dot ekuilibrin, pasi dyshohet nga gjendja e dehur. Në dorë mban edhe një çantë të vogël, teksa kalon dyqanin dhe aty kamera mbaron vëzhgimin vizual.

Advertisements

Vetëm pak momente më vonë, ai është sulmuar barbarisht nga Denis Mece, duke u goditur me sende të forta, të cilat i shkaktuan plagë të rënda dhe fraktura në kokë. Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, pasi iu dha ndihma e parë në rrugë nga qytetarët, Proga fatkeqësisht ndërroi jetë.

Dyshohet se sherri mes Denis Meces dhe Egli Progës, ka nisur në lokalin e babait të këtij të fundit, ku 42-vjeçari ka qenë duke konsumuar alkool me disa persona të tjerë.

Ngjarja e rëndë fillimisht u tentua të fshihej, ku u raportua se babai i dy fëmijë Egli Proga kishte humbur jetën për shkak të konsumimit të tepërt të alkoolit.

Pas publikimit të detajeve në media, reagoi edhe Policia e Pogradecit, duke arrestuar autorin Denis Mece, nga fshati Buçimas, si dhe tre të tjerë për moskallëzim të krimit dhe veprime që pengonin zbulimin e të vërtetës.

Denis Mece është nipi i Valter Gorës, një ish-drejtor në poste të rëndësishme në Juglindje, i arrestuar për korrupsion dhe i përfshirë në shumë afera.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar hetim për Policinë e Korçës dhe komisariatin e Pogradecit, nëse ka patur apo jo tentativë për të fshehur ngjarjen.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron inspektim në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, lidhur me ngjarjen në qytetin e Pogradecit.

Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, urdhëroi Drejtorinë e Standardeve Profesionale për kryerjen e vlerësimit të zbatimit të detyrave të strukturave në Drejtorinë Vendore të Policisë, Korçë, dhe në Komisariatin e Pogradecit, lidhur me ngjarjen ku, pas një konflikti, humbi jetën një 42-vjeçar.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të vlerësojë të gjithë tërësinë e veprimeve dhe reagimit të punonjësve të policisë, prej momentit të parë të marrjes së njoftimit mbi ngjarjen, duke synuar nxjerrjen e përgjegjësisë dhe personave përgjegjës, nëse rezultojnë të tillë.

Drejtoria e Përgjithshme të Policisë së Shtetit shpreh edhe një herë angazhimin maksimal për zbatimin e ligjit dhe punën profesionale dhe me integritet të strukturave të policisë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

You may also like