Analiza e VOA-s: SPAK-u sekuestron mbi 200 mijë dollarë në llogaritë bankare të ish ministrit Ilir Beqaj dhe…

by editor

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sekuestro preventive mbi disa llogari bankare dhe shuma mbi 200 mijë dollarë, që u përkasin ish ministrit Ilir Beqaj dhe pesë bashkëpunëtorëve të tij, të cilat cilësohen si “produkte të veprës penale” në çështjen e abuzimeve në Agjencinë SASPAC me fondet e BE-së.

Advertisements

Krahas shumave të sekuestruara në llogaritë rrjedhëse, depozita me afat dhe monedha cash të personave nën hetim Ilir Beqaj, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Ermal Kurtullaj, Bledar Leka dhe Bjona Zijaj, po me këtë vendim u sekuestruan edhe mbi 19 për qind të aksioneve të shoqërinë tregtare “Albanian Food and Hospitality Services” sh.p.k., si dhe tre automjete në pronësinë e Kurtulajt dhe Marinit.

Advertisements

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po vazhdon hetimet për persona apo fakte të tjera penale për procedimin penal nr. 190 të vitit 2023, ku gjashtë personat e përfshirë deri tani dyshohen për korrupsion aktiv e pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, mosdeklarim dhe fshehje e pasurive, mashtrim dhe për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera e ankande publike”.

Ish ministri i Shëndetësisë Iir Beqaj është në arrest me burg, ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit hodhi poshtë në fillim të këtij muaji kërkesën e tij për një masë më të lehtë sigurie në këmbim të garancive pasurore.
Ai drejtonte, nga viti 2021 deri nëntorin e kaluar kur dha dorëheqjen, Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj (SASPAC), kohë kur SPAK-u dyshon se ai u përfshi në një skemë korrupsioni për përfitime nga fodnet e kësaj agjencie.

Advertisements

Zoti Beqaj u arrestua në korrik krahas dy bashkëpunëtorëve të afërt Ermal Kurtulla dhe Afred Nikolla, ndërsa për katër bashkëpunëtorë të tjerë u dhanë masa më të lehta sigurie.
Prokuroria e Posaçme dyshon se gjatë viteve 2022-23 drejtuesi i atëhershëm i SASPAC-ut Ilir Beqaj ka kryer në bashkëpunim me Kurtullajn “procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregulloret”, ndërsa rendit së paku tetë shërbime të prokuruara “me procedura jo të rregullta dhe me fitues të paracaktuara”.

Zoti Beqaj dyshohet se ka fshehur interesat e tij në restorantin “Gzona” në qendër të kryeqytetit, ku transferoheshin, sipas hetimeve, në formë pagesash për shërbime, paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga organizimi i veprimtarive.
Nga hetimet dyshohet se restoranti përdohej edhe si një vend ku mbaheshin veprimtari, të cilat nuk deklaroheshin, duke përdorur më pas emra personash fizikë apo shoqërish, të cilat lëshonin fatura fiktive mbi shpenzimet e kryera ne këtë restorant.

Kjo është çështja e dytë për të cilën ish ministri Beqaj hetohet nga SPAK-u. Çështja tjetër, ku ai akuzohet për “shpërdorim detyre”, ka të bëjë me koncensionin 10 vjeçar të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, për të cilën janë arrestuar ish zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, i cili ishte ortak me 40 përqind të aksioneve të kompanisë fituese të koncensionit prej afro 100 milionë euro.

You may also like