Elseid Hysaj i është bashkuar Kombëtares shqiptare në grumbullimin e shtatorit për ndeshjet e Ligës së Kombeve si një futbollist i Lacios. Por në fakt, Hysaj është vetëm në “letër” i tillë, pasi efektivisht, klubi nuk do ta aktivizojë në Serinë A.
Advertisements
Mediat italiane kanë bërë të ditur se, ndonëse ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Lacion, Hysaj nuk është përfshirë në listën e skuadrës bardhekaltër që klubi i ka dorëzuar Ligës së Serisë A.
Advertisements
Për çështje të merkatos dhe numrit të futbollistëve që u rezervohen italianëve apo atyre të rritur në klub, bardhekaltrit janë detyruar të bëjnë sakrifica dhe kësisoj kanë zgjedhur të lënë jashtë Hysajn dhe të mbajnë Pedron.
Kështu, Hysaj mbetet përsëri pjesë e Lacios, por nuk mund të aktivizohet në këtë sezon me bardhekaltrit, përveçse në rast emergjence.
Klubi ka të drejtë të bëjë dy ndryshime në listë gjatë sezonit për çështje emergjencash që kanë të bëjnë me dëmtimet afatgjata të lojtarëve. Vetëm në atë rast, Hysaj mund të përfshihet në listë nga klubi bardhekaltër.
Për lojtarin kësisoj mund të jetë më e leverdishme që në javët e ardhshme të kërkojë një sistemim të ri në kampionatet ku merkatoja është e hapur, në mënyrë që të ketë minuta në fushën e lojës gjatë këtij sezoni.
Por për momentin kjo duket e vështirë duke llogaritur rrogën e lartë prej 2,8 milionë eurosh që përfiton ai në vitin e tij të fundit të kontratës me Lacion, që është e vështirë të përballohet nga klube të tjera jashtë kampionateve kryesore.