“Pa Ramën s’do isha sot Eurodeputet”, rrëfehet Fredi Beleri: Në burg zura miqësi me Kokën, Gjicin…

by editor

Ish-kryebashkiaku i dënuar i Himarës, Fredi Beleri, i liruar me kusht për pjesën e mbetur më 2 Shtator, ka rrëfyer 16 muajt e tij në paraburgim, teksa GJKKO në dy shkallë e gjeti fajtor për korrupsion zgjedhor duke e arrestuar më 12 Maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale.

Advertisements

Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, Fredi Beleri, aktualisht eurodeputet i Greqisë për partinë “Demokracia e Re”, tregon se si zuri miqësi të reja gjatë qëndrimit në izolim, edhe pse mes tyre kishte nga ata në parim kundërshtarë politikë, apo ish-bashkëpunëtorë të kryeministrit Edi Rama.

Advertisements

“Në sektorin ku isha, edhe në Durrës, edhe në Fier, ndodheshin të ndaluar, subjekte të SPAK, persona politikë dhe publikë, që, në fillim u është bërë gjyqi në media dhe në publik, pastaj del SPAK dhe e certifikon gjykata. Kam qenë në burg me zotin Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, drejtorët e bashkisë Tiranë, kryebashkiakun e Bulqizës, të Fushë Arrëzit”, tregon ai.

Teksa më tej shton se më parë nuk kishte pasur njohje me ta dhe se zuri miqësi të reja.

Advertisements

“Nuk njihja askënd nga këta më parë, por u miqësuam, pasi ndanim të njëjtin ambient. Kam një falenderim për të gjithë, pasi më kanë respektuar dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë”, thotë Beleri.

Madje ai tregoi edhe për debatet politike që bëheshin në burg mes tij dhe socialistëve të arrestuar.

“Kishim shpesh edhe debate politike. Secili mbronte idetë e veta. Kishte nga ata që e mbronin PS, kishte nga ata që nuk e mbronin, por ata nuk fajësonin PS pse ishin arrestuar. Problemi i tyre ishte padrejtësia që vinte nga mungesa e procedurave ligjore, nga mosrespektimi i shtetit ligjor që e ka burimin nga SPAK-u”, u shpreh Beleri, i cili përgënjeshtroi edhe një lajm të përhapur disa javë më parë, se ai i kishte shpëtuar jetën një ish- kryebashkiaku në burg.

Teksa pyetet edhe për zgjedhjen si eurodeputet i Greqisë, ai nënvizon se ka falënderim edhe për kryeministrin Edi Rama, që gjatë procesit e akuzoi si autorin e arrestimit dhe dënimit të tij.

“Po të mos ishte Edi Rama, nuk do të isha bërë kurrë deputet në Parlamentin Europian. Po të mos kishte urdhëruar arrestimin tim, po të mos kishte urdhëruar drejtësinë të shkelë ligjin me të dyja këmbët, unë do te isha një kryetar bashkie me probleme shumë të mëdha. Unë s’kisha shkopin magjik, do të konsumohesha për dy vjet dhe gjysmën e atyre që më duartrokasin sot, do të ishin të pakënaqur.

Megjithatë, do të preferoja të isha kryetar i Bashkisë Himarë dhe e kam synim prapë, nëse zgjidh në kohë çështjen në Gjykatën e Strasburgut”, tha Fredi Beleri.

Ish-kryebashkiaku i Himarës u dënua me 2 vite burgim, nga të cilat i kishin mbetur më pak se dy muaj dhe që Gjykata e Fierit ia konvertoi me kusht, duke e liruar para kohe. Beleri tha se do e vijojë betejën e tij për drejtësi deri në Strasburg dhe se do përfshihet në politikën shqiptare.

You may also like