Balluku e ka përuruar mbi dhjetëra herë, rruga e Arbrit nuk mbaron asnjëherë, ja si është kthyer në një “makth” për qytetarët

by editor

Rruga e Arbrit që është përuruar mbi dhjetëra herë nga ministrja Belinda Balluku, është kthyer në një ‘makth’ për shqiptarët. Mbi të gjithë ata që penalizohen akoma më rëndë janë banorët e zonës të cilët çdo ditë përballen me trafik të rënduar për shkak të bllokimit të rrugës (pa njoftim) sipas tekave të kompanisë që kryejnë punimet duke “ia nxirë jetën” shoferëve. Edhe ditën e djeshme situata e qarkullimit të automjeteve në këtë rrugë ishte shumë problematike. Gjatë gjithë javës qytetarët që lëvizin në drejtim të Qarkut Dibër apo Maqedonisë së Veriut si dhe anasjelltas përballen në befasi me bllokim të qarkullimit në afërsi të tunelit të Shkallës së Tujanit.

Për shkak të punimeve që po bëhen për rivitalizimin e skarpatave rruga bllokohet si pasojë e dherave por edhe gurëve që dalin nga punimet. Në rrugë mbeten të bllokuara të gjitha llojet e automjeteve, ndërsa rruga hapet për qarkullim vetëm nëse rëndohet situata apo vargu i makinave shkon në disa kilometra. Ndërkohë rënie të gurëve ka pasur gjatë pasdites, pas largimit të makinerive, për shkak të kantierit të hapur në shpatin e malit, ndërsa rrezikohen udhëtarët. Nëse ndonjëherë Rruga e Arbrit do të përfundojë, ajo do të quhet me plot meritë “Rruga që ka thyer çdo rekord”, pasi deri më tani ka arritur të krijojë një precedent në historinë e projekteve infrastrukturore të vendit. Por deri atëherë, mbetet për t’u parë se sa rekorde të tjera do të thyejë kjo rrugë e lënë rrugëve, i cili vazhdon të mbetet një projekt i papërfunduar, pavarësisht se ka nisur para shumë vitesh dhe është përuruar plot 10 herë deri më tani.

Advertisements

You may also like