Shpërthimet në gurore dëmtojnë banesat në fshatin Pashalli, e pëson keq administratori i biznesit

by editor

Shpërthimet në guroret në fshatin Pashalli në Bashkinë Dimal kanë dëmtuar disa banesa në këtë fshat, ndërsa policia ka nisur hetimet dhe po ndjek penalisht administratorin e biznesit, Adrian Çaushaj, 51-vjeç.

Advertisements

Raportohet se banorët e fshatit Pashalli shprehen të shqetësuar jo vetëm për dëmet që i janë shkaktuar në banesa, por edhe për faktin se shpërthimet janë aq të forta sa krijojnë lëkundje të tokës dhe traumatizojnë çdo banor.

Advertisements

“Jemi të rrezikuar çdo ditë, sa herë ka shpërthime edhe toka lëviz nga vendi”, shprehet një nga banorët.

Guroret janë një nga bizneset që ushtrohet me shumicë në qarkun e Beratit. Këto gurore janë kthyer në shqetësim për banorët e zonave përreth, si për ndotjen e ajrit ashtu dhe për ndotjen akustike.

Advertisements

Dhe denoncimi i fundit vjen nga banorët e fshatit Pashalli.

Firma që operon në guroren e këtij fshati ka përdorur me lëndë plasëse për nxjerrjen e gurëve, duke shkaktuar një shpërthim shumë të fortë, që sipas banorëve, nuk ka ndodhur më parë.

Banorët shprehen se shpërthimi i fortë, që ndodhi rreth orës 13:30, shkaktoi një tronditje po aq të fortë sa një tërmet, duke shkaktuar panik në çdo familje të fshatit Pashalli.

Të tmerruar nga kjo situatë, banorët kanë dalë në rrugë nga frika se mos i zinin shtëpitë poshtë. Në disa banesa shpërthimi ka lëvizur themelet dhe ka shkaktuar të çara në brendësi dhe jashtë banesave.

Banorët shprehen se ndihen të terrorizuar duke jetuar aty pasi jetesa në shtëpitë e tyre është bërë e rrezikshme. Ata i kërkojnë drejtuesve të bashkisë Dimal dhe organeve ligjzbatuese të marin masa, pasi deri më tani çdo ankesë e tyre ka rënë në vesh të shurdhër.

Pas shpërthimeve të kryera nga guroret ditën e djeshme, DVP Berat ka dalë sot me një njoftim për mediat, ku thuhet se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Adrian Çaushaj, 51-vjeç, banues në Fier, i cili rezulton të jetë administratori i një subjekti për nxjerrjen dhe përpunimin e inerteve (gurore), në fshatin Pashalli. Sipas asaj që thuhet në komunikatën e policisë, ky shtetas po proçedohet penalisht pasi dyshohet se më datë 22.09.2024, në subjektin e tij (gurore), janë kryer shpërthime me lëndë plasëse dhe si pasojë janë dëmtuar disa banesa në këtë fshat.

You may also like