Organet e drejtësisë të gjitha unison kundër manovrave të Ramës për të asgjësuar SPAK, komisioni famëkeq refuzohet…

by editor

Organet e reja drejtësisë në Shqipëri, të mbështetura fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kanë formuar një front të fortë kundër përpjekjeve të kryeministrit Edi Ramës për të minuar funksionimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK”, ku në finale synohet asgjësimi i saj. Komisioni Antikorrupsion i ngritur nga Partia Socialiste edhe i drejtuar nga Fatmir Xhaf, i cili ndryshe quhet si komisioni famkeq dhe ka ngjallur shumë polemika, është refuzuar nga të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë, përfshirë Prokurorinë e Posaçme, Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Ky unison mes institucioneve tregon një angazhim të qartë për të mbrojtur pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për të siguruar që drejtësia të funksionojë pa ndonjë ndikim politik. Ndërsa tensionet rriten, ky bashkëpunim ndërkombëtar dhe vendës synon të forcojë mekanizmat ligjorë dhe të sigurojë ndëshkimin e abuzimeve të pushtetit.

Advertisements

Detajet

Advertisements

Konkretisht institucionet e pavarura të drejtësisë refuzojnë të jenë pjesë e Komisionit Antikorrupsion të ngritur nga mazhoranca, që njihet dhe si komisioni “Xhafaj”. Pas refuzimit të dërguar dy ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese, edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) deklaruan se nuk do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Pas tyre ishte edhe Gjykata e Lartë, që u bë institucioni i katërt zyrtar që refuzon të jetë pjesë e Komisionit Antikorrupsion. Në letrën drejtuar Fatmir Xhafajt, firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumentohet se “nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme me misionin e gjyqtarit, nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm”, por se nga ana tjetër “janë gati nëpërmjet 3 këshilltarëve të institucionit të marrin pjesë në rolin e vëzhguesit, e të japin mendime dhe sugjerime pas një analize”. Po ashtu burimet bëjnë me dije se edhe ILD ka refuzuar pjesëmarrjen duke i kthyer një përgjigje negative kuvendit. Edhe Prokuroria e Përgjithshme pritet të ketë të njëjtin qëndrim, edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ky institucion.

Reagimi i SPAK

Advertisements

“Në përgjigje të interesimit tuaj, ju bëjmë me dije se kërkesa e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit, dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” (Komisioni), u analizua me shumë kujdes nga ana jonë duke u trajtuar në Mbledhjen e Prokurorëve të Posaçëm të datës 03.09.2024. Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, deklaroi dje SPAK për një media.

Reagon Gjykata e Lartë

Ndërkohë në letrën drejtuar Fatmir Xhafajt, firmosur nga kryetari i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi argumentohet se nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm, por se janë gati të japin opinionin. Gazeta “SOT” ka siguruar përgjigjen e dërguar në datën 9 shtator. “Duke mbajtur parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa Juaj për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, që duhet të kryejnë detyrat e caktuara sipas vendimmarrjes së Komisionit, nuk përshtatet me funksionin dhe misionin e gjyqtarit. Si e tillë, nga ana jonë nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm.

Sigurisht, Gjykata e Lartë mirëpret mundësinë për të dhënë opinione për projektligjet që lidhen drejtpërdrejtë me funksionin e saj. Me kënaqësi konstatojmë se praktika e viteve të fundit ka treguar se propozimet për disa ndryshime në ligjet procedurale civile, penale dhe administrative, me qëllim rritjen e eficencës së gjykimit dhe parandalimin e krijimit të stokut të ri, të miratuara nga Kuvendi me kontributin edhe të gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të Gjykatës së Lartë (në mënyrë të pavarur dhe pa qenë pjesë e komisioneve apo nënkomisioneve të ngritura për këtë qëllim pranë Kuvendit), ka ndikuar pozitivisht në drejtim të shpejtësisë dhe cilësisë së gjykimit të rekurseve. Së treti, duke mbajtur parasysh sa më sipër, si dhe duke vlerësuar nismën e Kuvendit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, të ndërgjegjshëm se shteti i së drejtës është çështje që kërkon ndihmesën e të gjithë institucioneve publike, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, jemi të gatshëm të ofrojmë kontributin tonë në këtë proces. Modalitetet e këtij angazhimi duhet të jenë të tilla që të pajtohen me pavarësinë dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor, si themeli i shtetit të së drejtës.

Si e tillë konsiderohet dhënia e mendimeve dhe sugjerimeve lidhur me gjetjet që do të arrijë Komisioni i Posaçëm Parlamentar sa i takon nevojës për ndërhyrje institucionale dhe ligjore në sistemin e drejtësisë. Ky kontribut mund të jetë efektiv, duke i vënë në dispozicion Gjykatës së Lartë analizën e përgatitur nga ekspertët pranë Komisionit të Posaçëm, si dhe propozimet konkrete për ndërhyrje ligjore. Vetëm pas kësaj faze mund të përgatitet nga grupi i gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë pranë Gjykatës së Lartë një material i konsoliduar me sugjerime dhe propozime, të cilat mund të jenë me interes për Komisionin, me qëllim kthimin e tyre në akte ligjore. Megjithatë, për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm që ndikon në forcimin e shtetit të së drejtës dhe ndihmon në nxjerrjen e një produkti sa më cilësor nga ana e Komisionit të Posaçëm Gjykata e Lartë, e përgjegjshme për misionin që i është caktuar, ka ngritur një grup pune të përbërë nga gjyqtarë dhe këshilltarë ligjorë, të cilët do të përgatisin materialin përkatës mbi problematikat e veprimtarisë së këtij institucioni dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi, shoqëruar me propozime konkrete lidhur me masat ligjore dhe institucionale që duhen ndërmarrë.

Nga ana tjetër, për të qenë sa më të informuar mbi veprimtarinë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar me qëllim marrjen dhe përcjelljen në kohë sa më të shpejtë të informacionit mbi problematikat që lidhen me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi dhe të Gjykatës së Lartë në veçanti, tre punonjës nga stafi i lartë teknik i këtij institucioni, konkretisht znj. Arta Vorpsi, Drejtore e Kabinetit të Kryetarit, z. Miran Kopani dhe znj. Bjorka Duka, këshilltarë ligjorë mund të marrin pjesë me cilësinë e vëzhguesit pranë Komisionit të Posaçëm”, thuhet në letrën e Gjykatës së Lartë.

You may also like