Prokuroria e Posaçme arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. Ndaj Pirro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv.
Advertisements
Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Por në dosjen që ka “qepur” SPAK me aferat e Metës dhe Kryemadhit përmenden edhe emra politikanësh, oligarkësh, biznesmenësh dhe zyrtarësh të lartë. Mbetet për t’u parë nëse Altin Dumani do të marrë ndonjë tjetër të pandehur në vijim.
Advertisements
Agron Çela në dosjen e Metës
E nisim me deputetin Agron Çela, dikur përfaqësues i LSI dhe i afërt me Ilir Metën. Ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës mblidhte borxhet e CEZ. “Ndërsa në lidhje me shoqërinë BTT, me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë, hetimi ka provuar se kjo shumë ka patur si përfitues fundor shoqërinë “Xhenis” sh.p.k., me ortak shtetasin Agron Çela, i cili në vitin 2013 zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si përfaqësues i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. Hetimi ka provuar gjithashtu se përftimi i këtyre parave, është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo edhe BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm për shoqërinë DIA“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Advertisements
Anëtarët e bordit të ERE
Po ashtu në dosje janë të përfshirë dhe anëtarët e bordit të ERE në atë kohë. Në SPAK ka shkuar një intervistë e Elvis Matajt, e zhvilluar nga gazetari Artan Hoxha. Mataj dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Ai tregon se Ismailaj premtoi 500 mijë euro për anëtarët e ERE, teksa i besuari i Metës aty, Petrit Ahmeti do merrte 150 mln lekë të vjetra. Petrit Ahmeti, në atë kohë ishte zyrtar i lartë në këtë ent publik, ndërsa më 13 tetor 2013, Ilir Meta e emëroi kryetar të ERE. “Ndër të tjera, Elvis Mataj jep të dhëna se Kastrioti i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të Bordit të ERE shumën prej 500 mijë Euro, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që CEZ blinte nga KESH. Në vijim të dëshmisë, Elvis Mataj deklaron para gazetarit se Kastriot Ismailaj i premtoi Petrit Ahmetit se do t’i paguante 15 milionë lekë, shumë e cila iu pagua pjesërisht (faqe 9 e vijim e të PV. datë 23 Shtator 2021)”, theksohet në dosje.
Samir Mane
Në dosje del në shumë episode oligarku Samir Mane, i cili është përfshirë në afera me çiftin Meta-Kryemadhi. “Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien,” thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”
Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror. Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era.
Analisti Baton Haxhiu
Në dosjen e SPAK shfaqet dhe Baton Haxhiu. Atë e implikon në këtë rast Samir Mane, i cili në vitin 2007, bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
Biznesmeni Gentian Sula
Përveç Samir Manes, del edhe emri i Gentian Sulës, i cili është përfshirë në një skandal financiar që lidhet me nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhin. Sipas dosjes së SPAK, Sula akuzohet për ofrimin e një shume cash prej 246,000 USD për të ndihmuar në shlyerjen e një kredie prej 335,000 euro. Analiza financiare e Fatime Kryemadhit tregon se në vitin 2010 ajo kishte një balancë negative prej 846,000 eurosh, e cila ngre dyshime se shumat e përdorura për shlyerjen e kredive dhe blerjen e pasurive të paluajtshme mund të kenë burime korruptive. Sula, si një nga individët e përfshirë në këtë skemë, dyshohet se ka ndihmuar në krijimin e një rrjeti financiar që mundësoi fshehjen e këtyre fondeve në sistemin bankar. Në deklaratat e saj, Fatime Kryemadhi pretendon se ka marrë të ardhura nga qiraja e apartamenteve dhe burime të tjera, megjithatë, mungesa e dokumentacionit të duhur për këto transaksione e vështirëson vërtetimin e këtyre pretendimeve.
Edmond Haxhinasto dhe Ermal Topalli
Po ashtu në aferën e fibrave optike, dalin emra zyrtarësh të lartë, si Edmond Haxhinasto, apo edhe Ermal Tpalli. Nga dosja e SPAK rezulton se prej muajit nëntor 2013 e në vijim, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë angazhuar ne favor te kompanisë UNIFI Communication INC dhe UNIFI Holdings INC, dega Shqipëri, me president shtetasin Adrian Shatkun, me qëllim që kjo kompani te marre leje, për te shtruar ne akset rrugore të vendit, rrjetin e fibrave optike të internetit. SPAK thotë se Meta-Kryemadhi bashkëpunuan me Shatkun dhe vendosën në funksion të tij administratën shtetërore në funksion të interesave të kompanive të tij. Ata kanë përdorur pozicionet dhe influencën tyre në nivelet e larta të pushtetit. Për të vërtetuar korrupsionin e Meta-Kryemadhit me kompaninë e Shatkut SPAK bazohet në zbardhjen e të gjitha bisedave nga zbërthimi i telefonit të Monika Kryemadhit.
Monika Kryemadhi prej muajit nëntor 2013 e në vijim bisedon për çdo hap me Adrian Shatkun, madje në disa raste i referohet edhe si ‘kusho’, ndërsa për interesat e tij vë në lëvizje institucione dhe ministra të ndryshëm të asaj periudhe. Prokuroria e Posaçme thotë se Shatku ishte edhe kushëri i Ema Çokut, një tjetër e akuzuar për pastrimin e parave të çiftit Meta-Kryemadhi. Qëllimi sipas SPAK vërtetohet nga të gjitha komunikimet që Adrian Shatku ka bërë me Monika Kryemadhin, Emond Haxhinaston, Ema Çokun, Piro Xhixhon, Ermal Topallin (ish drejtor në Ministrinë e Transporteve) dhe Rudolf Papën, ish shef kabineti në AKEP.
Vangjel Tavo
Në kallëzimin e bërë, por dhe në një pasazh shumë të vogël të vendimit të gjykatës, shihet se një pagesë për kompaninë e lobimit McKeon Group është bërë edhe nga Vangjel Tavo, ish deputet i LSI dhe sot kryetar i bashkisë Himarë i Partisë Socialiste. A do të ketë ndonjë hetim më të thelluar për Tavon?
Petrit Vasili
Në dosje del edhe Petrit Vasili. “Adrian Shatku ka përfituar transferta të parave edhe në vitin 2016 dhe vitin 2017 të cilat janë depozituar fillimisht cash nga Florian Shatku dhe Florinda Shatko dhe konkretisht: Në datën 06 Maj 2016, Florinda Shatku i ka transferuar 20,000 USD; Në datën 10 Gusht 2016, Florian Shatku i ka transferuar 29,000 USD Në datën 11 Tetor 2016, Florian Shatku i ka transferuar 50,000 USD; Në datën 25 Gusht 2017, Florian Sharku i ka transferuar 25,000 USD. Për të gjitha transaksionet në shumat 100,000 USD, të ardhurat janë deklaruar se kanë patur burim punën në emigracion dhe te ardhura nga biznesi, por nga verifikimi i llogarive hankare nuk rezulton që llogaritë e Lirije dhe Florian Shatkut të jenë kredituar nga llogari jashtë vendit, ndërsa Florinda dhe Enkelejda Shatku nuk kanë pasur biznes por kanë qenë të punësuara në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
I pyetur nga SPAK për kontratat e firmosura, Petrit Vasili i cili në cilësinë e Nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në datën 03 Shkurt 2016, kishte nënshkruar marrëveshjen e konsulencës me kompaninë Global Security, and Innovative Strategies (në vijim GSIS), tha se nuk e mbante mend nëse ishte bërë negocim paraprak me kompaninë. Po ashtu, shtoi se nuk e mbante mend nëse nënshkrimin e kishte bërë në Shqipërri apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe rrethanat se si u lidh marrëveshja”, thotë dosja e SPAK.
Elona Guri
Në dosjen e SPAK përmendet edhe emri i Elona Gurit. Aty dalin disa nga udhëtimet e shpeshta drejt Anglisë të Elona Gurit, ish-kandidate për deputete e LSI-së, por edhe mesazhet e saj për mbyllje pazaresh me Kryemadhin.