A i shpëtojnë bosët dhe politikanët nga përgjimet në SkyECC?

by editor

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen “Metamorfoza” dhe ka dërguar për gjykim 7 të akuzuarit. Të arrestuarit për këtë hetim janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, Behar Bajri, Astmer Bilali, Edmond Preka, Ardrit Hasanbegaj, Olti Bistri ish-shef i Operacionales dhe ish-prokurori Xhevahir Lita. Ndaj tyre rëndojnë disa akuza të rënda. Por tashmë është rihapur debati për komunikimet në SkyECC dhe Encrochat, mbi të cilat nisi procedimi për dosjen “Metamorfoza”. Avokati Gurali Brahimllari në një intervistë për “5Pyetjet.al” shpjegoi se çfarë tregon vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë (Dhoma e Madhe) për SkyECC kur nuk quhen provë përgjimet.

Zoti Brahimllari, çfarë tregon vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë për SkyECC?

Shqipëria nuk është ende pjese e BE-së, ne aspirojmë që të shkojmë atje dhe legjislacioni që vepron në BE nuk është i zbatueshëm në autoritetet shqiptare. Autoritetet tona janë të detyruar të zbatojnë Kushtetutën tonë dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut që interpretohet nga Strasburgu. Po ju sjell në vëmendje vendimin e kësaj gjykate për rastin e dënimit të disa turqve që kanë përdorur aplikacionin dhe gjykata e Straburgut që ne e zbatojmë i ka rrëzuar vendimet e gjykatave të Turqisë për paraburgimin.

Zoti avokat, ndalemi tek dosja “Metamorfoza”, SPAK-u mbylli hetimet…

Përsëri për të gjithë profesionistet e së drejtës, gjyqtarët dhe prokurorët, vendimet e Strasburgut janë një burim i rëndësishëm i doktrinës dhe çështjes së të drejtës dhe jo drejtpërdrejt zbatimi, por nuk mundet që të neglizhojmë një praktike gjyqësore të gjykatës Europiane ku aspirojmë të shkojmë nesër. Unë dua të sqaroj vendet e BE lidhur me ndihmën e ndërsjellë në fushën penale, kanë gurë themeli besimin respektiv të vendeve të BE-së. Një vendim i një gjyqtari francez është drejtpërdrejt i zbatueshëm nga një gjyqtar italian. Por ka edhe disa kushte ku përcaktohet që nuk merren në konsideratë nëse shkelen parimet e të drejtave të njeriut.

Kjo qëndron në faktin ku unë e kam sqaruar në nëntor të vitit të kaluar në një shkrim, në të cilin përcaktohet sesi është bërë e mundur nga autoritetet gjyqësore në Francë që të ndërhyhet në platformën Encro Chat dhe Sky dhe kjo ndërhyrje është bërë për shkak se autoritetet franceze në presionin e terrorizmit islamik në 2013-18 kanë ndërhyrë në ligjin procedural duke lejuar autoritetet e inteligjencës që të vihen në shërbim të autoriteteve gjyqësore dhe të krijojnë një pajisje teknike e aftë që të ndërhyjë në cdo platformë komunikimi.

Mund të vendoset edhe tek Vodafone, apo të tjerat që është aq e fuqishme, aq specifike saqë përgjon njëherësh, ruan dhe transferon të gjithë trafikun e bisedave dhe komunikimeve dhe i kalon në një dabaze tjetër. Autoriteti francez sqaroi se të dhënat e kësaj pajisje, personi apo shoqërinë përbëjnë sekret dhe nuk i bëhen të ditura edhe gjyqtarit dhe nuk i vihen asgjë në dispozicion, as mbrojtëse francezë dhe nuk mendohet t’u vihen në dispozicion italianëve apo shqiptarëve, etj…

Në proceset tona në Shqipëri nuk e kemi vendosur këtë gjë, sepse do të ishte luks kjo dhe tani edhe ne do ta pretendojmë. Por ne jemi privuar nga vendimi i gjyqtarit francez që ka lejuar përgjimet dhe zgjatjen e afateve, procesverbalet që janë mbajtur për transkriptimet, deshifrimet e rezultateve të transkiptit.

Ne nuk jemi njohur me asgjë. Unë jam njohur me fashikullin gjyqësor vetëm në 4 dhjetor 2023 në mjediset e gjykatës së Lartë, pasi shkalla e parë dhe apeli nuk na dhanë të drejtën mbi dosjen. Kur jam njohur me dosjen. Jam befasuar. Dhe kam ngritur këtë problematikë dhe në pikën e fundit të vendimit thuhet se nëse këto të dhëna nuk vihen në dispozicion si janë marrë, atëherë gjyqtari kombëtar, gjerman dje apo shqiptar sot, duhet t’i përjashtojë fare nga fashikulli.

A do të ketë ndikim vendimi i Gjykatës Europiane në Shqipëri?

Padiskutim do të ketë influencë. Pasi klineti që unë mbroj, i pandehuri Pëllumb Gjoka, nuk ka asnjë indicie apo provë përveç transkipteve që kanë ardhur nga Franca për përfshirjen e tij në një vepër penale dhe gjithçka bazohet vetëm tek transkriptimet që janë të paligjshme dhe të pavlefshme në Shqipëri, pasi nuk parashikohet në vendin tonë kjo aparatura e përgjimit që u vendos në Francë dhe nuk lejohet që të bëhet as nga organet e inteligjencës.

Kam qenë për 20 vite pjesë e proceseve penale në Shqipëri, por nuk them se krimi është gjithmonë përpara…nëse nuk ndryshohet ligji procedural, krimi mund të gjejë edhe forma të tjera më të avancuara. Prandaj duhet të ndërhyrjet në legjislacion sikur e ka bërë Franca dhe tani po e bën Italia. Është një gjë e domosdoshme për të bërë përafrimin e legjislacionit për luftën kundër krimit dhe terrorizmit.

A rrezikon që precedenti që mund të vendoset me dosjen “Metamorfoza” lidhur me komunikimet në këto dy aplikacione të shpëtojë edhe politikanë të niveleve të larta që është aluduar se janë në dosje të tjera?

Në Itali në 29 shkurt u dha një vendim nga Kasacioni që është tërësisht në harmoni me atë që kemi shtjelluar. Në Itali u unifikua praktika që është në harmoni me vendimin e djeshëm të BE-së për të gjitha problematikat. Vendimi është edhe më i thelluar. Precedenti bëhet vetëm nëse vendos gjykata e Lartë ose Kushtetuese.

Ne këto ditë, çështja do të shkojë në Strasburg, ne do të bëjmë ankimin kushtueses lidhur me vendimet që janë dhënë në 23 dhe 29 korrik 2023 dhe caktimin 31 gusht nga apeli dhe 22 dhjetor kolegji penal i Gjykatës së Lartë për masat e sigurisë (për dosjen Metamorfoza). Gjykata Kushtetuese është më e kualifikuar dhe ne do të parashtrojmë problematikat e parashtruara nga gjykata e Kasacionit në Itali dhe gjykata në Strasburg. Ato vendosnin precedentin. Shpresoj që SPAK do të gjejë pozicionin e duhur që të mbrojë interesin publik.

You may also like