Dhuna ndaj avokatit, Sokol Mëngjesi tre ditë në intubim, asnjë gjurmë nga 3 autorët në kërkim, verifikohet sistemi TIMS, del para gjykatës organizatori i sulmit dhe dhëndri i tij dhunues

by editor

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, i cili u dhunua për shkak të detyrës, vijon të jetë e njëjtë. Ai ndodhet ende në intubim në spitalin e Traumës, por mjekët janë optimistë pasi edema (ënjtje) që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar. Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Nga ana tjetër policia ka vijuar kontrollet edhe gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës, por ende nuk ka gjurmë të 3 të shpallurve në kërkim. Kontrollet kanë vijuar pa u ndërprerë por pa rezultat. Sipas sistemit TIMS ata rezultojnë brenda vendit. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të jenë larguar jashtë vendit në mënyrë ilegale. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në mesin e 3 personave në kërkim, njëri prej tyre jep para me fajde. Personi i dyshuar që jep para me fajde është Elton Kasaj. Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës. Avokati u vizitua në spitalin e Traumës nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv.drejtori Alket Shatro. Ndërkohë sot pritet të dalë para gjykatës Dritan Nano, i arrestuar si organizator i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi të mërkurën, ende në koma në spital. Bashkë me të, për masë del dhe dhëndri i tij Dorian Alia, një nga dhunuesit, ndërsa 3 të tjerë janë ende në kërkim.

Çfarë ka ndodhur?

Mëngjesi u dhunua më 29 maj, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë vetëm pak minuta pasi kishte lënë djalin e vogël në kopsht. Një prej autorëve të vetëdorëzuar Dorian Alia, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor. E gjithë historia nxori blof ish Kryeministrin Sali Berisha, i cili sapo doli lajmi i dhunimit, akuzoi se ishte hakmarrje primitive e Edi Ramës.

Advertisements

Autorët e dyshuar të sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi

– Dritan Nano, 58 vjeç nga Tirana – Organizatori – I ndaluar

-Dorian Alia, 32 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – U vetëdorëzua pasditen e 29 majit

-Elton Kasaj, 33 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – Në kërkim

-Drivald Alia, 21 vjeç nga Tirana – Dhunuesi – Në kërkim

-Romario Tabaku, 33 vjeç nga Tirana – largoi një nga autorët me makinë – Në kërkim

Dhunuesit, pala që fitoi gjyqin për pronën ku u ndërtuan kulla tek liqeni, s’donte ta paguante

Të katër të rinjtë ishin organizuar dhe porositur për të dhunuar avokatin nga Dritan Nano, 58 vjeç, i cili ishte klient i studios Ligjore “ALTERUM SHPK” të Sokol Mëngjesit. Nano ishte një prej 8 trashëgimtarëve të pronës në digën e Liqenit ku janë ndërtuar kullat nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Ai së bashku me trashëgimtarët e tjerë ka fituar gjyqin deri në apel, të asistuar nga avokat Mëngjesi, por më pas ai i vetëm ka refuzuar të paguajë detyrimet sipas kontratës. Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijojë shitja. Një muaj më parë të dyja palët kanë pasur një takim por s’kanë gjetur dakordësi. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore, ndërsa në fund ka zgjedhur dhunën.

You may also like