Pas dhënies së lamtumirës së katër viktimave që u nxorën nga ujërat e Bunës, kanë dalë edhe pamjet e fundit të gruas me tre fëmijët e saj, teksa ndahej nga kunata pasi kanë pirë kafenë.
Advertisements
Alma Arrazi shihet teksa ecën me djalin përdore, ndërkohë që vajza e madhe ka një qese në dorë. Ata vijojnë rrugën, po askush nuk e përcakton qartë se për ku! Vetëm fundi i tyre është përcaktuar nga ana e grupit hetimor, që është lumi Bunë.
Advertisements
Po dje, Prokuroria e Shkodrës, ka nxjerrë të dhëna përforcuese për tradhtinë bashkëshortore, të dhëna që kanë dalë nga këqyrje e telefonit të Erdgys Arrazit, i cili gjendet në pranga nën akuzën e shtyrjes në vetëvrasje të bashkëshortes së tij.
Fakti që prokuroria ka bërë publik dje, është ajo që është thënë edhe nga motra e viktimës e ka të bëjë me foto dhe video të një vajze të re, që madje kishte foto edhe me djalin e çiftit Arrazi. Po dje, prokuroria ka ndryshuar pistën nga ku pretendohet se nisën hetimet për kryerjen e aktit të rëndë të mbytjes dhe vetëmbytjes së Almës me tre fëmijët e saj.
Gjithnjë pretendohet se një kukull e gjendur në bregun e Bunës, që dyshohet se i përkiste vajzës së dytë, ka bërë që të ndryshohet edhe kërkimi për vendin ku është kryer akti i tmerrshëm. Por prokuroria ende nuk ka bërë me dije nëse është marrë një dëshmi nga Erdgysi për itinerarin e ditës së ngjarjes; se çfarë bisede kanë konsumuar dy kunatat para se sa të ndaheshin përfundimisht; se me kë ka folur kunata sapo është ndarë nga Alma dhe fëmijët; kur kanë ndërruar jetë; a kanë pasur shenja dhune dhe personat që kanë hyrë në urë pas zhdukjes nga pamjet filmike të gruas me fëmijët e saj! Policia dhe prokuroria ende nuk kanë siguruar dëshmitë e të gjithë protagonistëve, shumë prej të cilëve kanë folur edhe publikisht, përfshirë edhe familjarët e Alma Arrazit, të cilët i kanë qëndruar versionit të tradhtisë bashkëshortore dhe dhunës së Erdgysit si shkaqet që kanë çuar Almën në aktin e zhdukjes që më pas u gjend bashkë me fëmijët në ujërat e Bunës.
PAMJET E FUNDIT
“Panorama Online” ka siguruar pamjet e momentit kur Alma Arrazi, del nga kafeneja bashkë me tre fëmijët e saj, dhe kunatën, e cila ishte e fundit që e pa, pak para ndërmarrjes së aktit të rëndë të vetëflijimit, duke u mbytur në lumin Buna së bashku me tre fëmijët e saj. Nëna 39-vjeçare shihet dorë për dore më fëmijët e saj duke ecur në trotuar, përmes errësirës, dhe pas këtyre pamjeve, nuk dihet saktësisht sesi ndodhi tragjedia e rëndë ku Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj, 9, 8 dhe 3 vjeç, u gjetën të pajetë në ujërat e lumit Buna. Pikërisht gjetja e kukullës bëri që palombarët e RENEA-s të përqendronin kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit të Bunës.
Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8 vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4 vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit. Pista se Alma Arrazi mund të jetë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për momentin për policinë dhe prokurorinë ka rënë poshtë. Dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi pasi ka konsumuar kafen me kunatën e saj ka kaluar në këmbë në urën e vjetër të Bunës dhe më pas ka vijuar në drejtim të urës së re. Ajo ka zbritur së bashku me fëmijët në bregun e lumit ku edhe dyshohet se kreu aktin e rëndë duke u mbytur bashkë me 3 të mitur, ngjarje e cila mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të 2 Majit.
Deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që ka parë 39- vjeçaren dhe fëmijët duke ecur në urë apo edhe duke u ulur poshtë urës së re të Bunës apo edhe momentin kur Alma Arrazi i dha fund jetës së saj si edhe të fëmijëve. Po ashtu të paktën deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që mund ta ketë parë Alma Arrazin duke u hedhur në ujë bashkë me vogëlushët, apo të ketë dëgjuar zhurma dhe të bërtitura fëmijësh. Tashmë pritet që ekspertiza të kthejë përgjigjen e AND-së nëse kukulla i përket njërit prej fëmijëve të Alma Arrazit.
Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje për të cilën është i ndaluar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39- vjeçares për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” si rrjedhojë e dhunës në familje, akuza të cilat vetë ai dhe i vëllai i tij i kanë mohuar ndryshe nga motra e Almës, e cila e ka akuzuar për dhunë në familje dhe tradhti.