Edlira e Alba, çifti i së njëjtës gjini kurorëzojnë dashurinë! Kërkojnë të martohen në gjendje civile! Sot ceremoni në tarracën e bashkisë

by editor

Në betejën për tu martuar ligjërisht, Edlira dhe Alba, të cilat bashkëjetojnë prej 14 vitesh, do të festojnë dashurinë e tyre në një ceremoni në tarracën e bashkisë së Tiranës sot, bekuar nga 2 pastorë anglezë. Për Report Tv ato thonë se ky është një hap simbolik drejt lejimit të martesave brenda së njëjtës gjini.

Advertisements

Të premten, 2 partneret Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj dorëzuan në gjendje civile kërkesën për t’u celebruar në martesë, pas 14 vitesh të dashuruara.

Për hapin që kanë hedhur i referohen nenit 53 të Kushtetutës se “kushdo ka të drejtë të martohet”, edhe pse Kodi i Familjes në Shqipëri nuk e njeh martesës brenda së njëjtës gjini, por vetëm mes çifteve heteroseksualë.

Simbolikën e parë drejt betejës së tyre ligjore do ta konkretizojnë sot duke u veshur të dyja nuse.

Advertisements

“Dasma jonë do bëhet në tarracën e bashkisë sepse është publike dhe mund të përdoret nga të gjitha taksapagues të rregullt, siç jemi dhe unë dhe Eda. Nuk ka asnjë detyrim ligjor për këtë vend. Dasma në vetvete është mesazh se jemi çifte si gjithë të tjerët. Mund të hasim vështirësi, kush nuk has vështirësi fundja? Dashuria është dashuri dhe nuk ka pse të mohohet nga askush”, thotë Alba.

“Emocionet janë shumë të mëdhaja. Provuam të dyja fustanet. Zgjodhëm fustanin e parë. Ishte dashuri me shikim të parë. Jemi të emocionuara, ngarkuara, siç ndjehet çdo çift.”, u shpreh Eda.

Në tarracën e bashkisë ku shpesh janë kurorëzuar në ceremoni simbolike çifte nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në festën e tyre, Edlira dhe Alba thonë se nuk do të ketë përfaqësues nga bashkia, por kanë marrë dy pastorë nga Anglia.

“Nga Anglia sepse në Shqipëri nuk kemi gjetur askënd që të jetë i hapur për të transmetuar fjalën e zotit ashtu siç është. Jemi të detyruara ta gjejmë mirëkuptimin jashtë Shqipërisë”, tha Alba.

Të pranishmet më të veçanta në dasmën e tyre, e para e këtij lloji në vendin tonë, do të jenë patjetër vajzat e tyre 3-vjeçare, binjaket që erdhën në jetë me metodën invitro.

“Na u desh të regjistronim vajzat vetëm në emër të Edës për shkak të procedurave”, tregoi Alba.

Me 25 maj në Tiranë do të ketë edhe një paradë, e cila është bërë e përvitshme me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve se çdo individ ka të drejtë të meritojë të jetojë i lirë dhe pa frikë

“Është momenti që politikanët të flasin hapur dhe t’i shohin të drejtat e komunitetit LGPT me përparësi”, tha Alba.

You may also like