Afër mesnatës së të mërkurës, një plumb, që nuk dihet nga ka ardhur, i ka marrë jetën një biznesmeni të njohur në Tiranë.
Advertisements
Policia që shkoi në vendin e ngjarjes, pas ngjarjes, por edhe ditën e djeshme, nuk ka mundur të hedhë në letër as drejtimin nga ku ishte qëlluar Eduart Reçi, 52 vjeç nga Dibra. Biznesmeni, i cili u qëllua në derën e shtëpisë, nga një distancë e largët, qëndroi në jetë për pak orë, por pa mundur t’i mbijetonte plagës fatale. Policia dhe grupi hetimor kërkuan të gërmojnë në të shkuarën e biznesmenit, hapën “letrat” e punëve të tij, por asnjë e dhënë e duhur për hetimin nuk u përftua.
Advertisements
U tha se kishte pasur detyra të larta në Shërbimet Informative dhe në Gardë, por herët dhe më pas i kishte hyrë biznesit të ndërtimit. Sipas të dhënave, ndonëse nuk janë bërë zyrtare nga policia e Tiranës, viktima e atentatit mafioz që ndodhi në Tiranë pak kohë më parë ka bërë një kallëzim për përplasje me rivalë në biznes, por policia nuk ka shoqëruar asnjë të dyshuar përgjatë gjithë ditës së djeshme. Janë marrë në pyetje disa persona, njohje të biznesmenit, por askush nuk di të thotë nëse Reçi ka pasur një problem me persona konkret.
Ngjarja e së mërkurës vjen menjëherë pas asaj të Shkodrës, ndonëse misteri që mbuloi ekzekutimin e Reçit ishte i befasishëm, pasi policia nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjen e qitësit, që dyshohet që ka përdorur një armë snajper për të kryer krimin. Aktualisht, bëhet me dije, se në fokus të dyshimeve dhe hetimeve është konkurrenca në biznes.
Advertisements
NGJARJA
Policia e Tiranës bëri me dije se biznesmeni Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, poshtë pallatit ku jetonte, të cilin e ka ndërtuar vetë, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të HistoriFilologjisë. 52-vjeçari, me origjinë nga Dibra, mori një tek plumb në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 4 të mëngjesit. Grupi hetimor ka sekuestruar kamera sigurie të bizneseve pranë, kryesisht bar kafe, por për shkak të errësirës nuk janë kapur pamje të autorit, autorëve apo ndonjë të dyshuari.
Nga mungesa e pamjeve filmike të autorëve, hetuesit po ngrenë dyshime se plumbi mund të jetë lëshuar nga lartësia, nga ndonjë objekt rreth pallateve, thonë burime nga policia. Plumbi i gjetur në vendngjarje nuk i çon drejt dyshimeve që arma të ketë qenë snajper. Në vendngjarje nuk është gjetur gëzhojë.
Grupi hetimor po punon për të hapur kamera në distancë me shpresë se mund ta identifikojë autorin/ët e dyshuar. Por pamjet kanë fiksuar Eduard Reçin teksa ecën dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë. Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje apo konflikte të Eduard Reçit me persona të tjerë. Vite më parë, burimet thonë se Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH në vitin 1996, por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur.
Pas vitit 2000, ai ishte marrë me biznes. Burime policore bënë me dije se Eduart Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë. Madje, u tha se para disa kohëve viktima kishte bërë kallëzim për shkak të një konflikti pronësie në zonë për vetëgjyqësi, por çështja nuk ishte filluar për mungesë elementësh.