Gazeta greke “Kathimerini”: Pse Kancelari Scholz mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe është kundër vetos së Greqisë?

by editor

Kundërshtimi i Gjermanisë ndaj bllokadës që Greqia i ka bërë Shqipërisë për hapjen e kapitujve me BE-në, mesa duket nuk ka kapërdihet lehtë në Athinë.

Prestigjiozja greke “Kathimerini” ka bërë një artikull të titulluar “Berlini, Edi Rama dhe prapaskenat”, duke analizuar faktin përse Kancelari gjerman Olaf Scholz mbështet anëtarësimin e Shqipërisë dhe është kundër vetos që ka vendosur Greqia.

“Mbështetja e Kancelarit Olaf Scholz për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërkohë që ai ishte në dijeni të vetos greke që lidhet me betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, nuk ishte një rrufe në Athinë. Javët e fundit kanë mbërritur mesazhe nga Berlini dhe Uashingtoni që Athina duhet të tregojë se po negocion me Ramën. Përgjigjia nga Athina ishte e njëjta, që Fredi Beleri të betohet, të ketë një gjykim të drejtë dhe të respektohet prezumimi i tij i pafajësisë”, shkruan “Kathimerini”.

Sipas analizës së të përditshmes greke, ekzistojnë 2 arsye përse Kancelari gjerman shprehu hapur kundërshtimin e tij ndaj Greqisë.

“E para ka të bëjë me investimin e vetë Shqipërisë në reformimin e drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në vend. SPAK-u, që nuk lejoi Fredi Belerin të betohet, është një organ i formuar me frymë anglo-saksone dhe financim e mbështetje gjermane. Prokurorët janë trajnuar në akademinë e FBI-së në Quantico në Virxhinia të SHBA-së, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar në Londër. Si për amerikanët, ashtu dhe për gjermanët, SPAK është shembulli më i suksesshëm i reformës në drejtësi në Ballkanin Perëndimor”, vijon Kathimerini, që shkon më tej duke shkruar se “as nuk e kuptojnë që (SPAK) mund të bëhet mjet shfrytëzimi politik dhe që nxjerr në pah kryesisht naivitetin e Perëndimit për situatën në Shqipëri”.

Advertisements

Sa i përket arsyes së dytë të kundërshtisë gjermane, sipas Kathimerini, është më së shumti politik dhe më pak teknik.

“Gjermania e kishte shprehur pakënaqësinë që në Gusht kur Kryeministri grek Mitsotakis organizoi samitin e Ballkanit Perëndimor në Athinë, me pjesëmarrjen edhe të Presidentit ukrainas, por nuk ftoi Kryeministrin Edi Rama. Disa javë më vonë në Tiranë u mbajt samiti i Procesit të Berlinit. Një arsye kryesore, që tregon gjithashtu përpjekjen shpesh të nxituar gjermane, është situata në Ballkanin Perëndimor pas Shkurtit të vitit 2022 të pushtimit rus në Ukrainë. Gjermania, e cila deri atëherë kishte hezituar, u kthye fuqishëm në anën e atyre shteteve që dëshirojnë integrim të shpejtë dhe të menjëhershëm (dhe pa shumë kushte) në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan ndër të tjera “Kathimerini”.

Advertisements

E përditshmja greke e mbyll artikullin duke thënë se në kampin shqiptar, qeveria mban tone të ulëta. “Një ditë më parë në një konferencë për shtyp, Kryeministri Rama e cilësoi Mitsotakisin mik dhe theksoi se sipas tij çështja Beleri mund të zgjidhet mes dy shteteve dhe jo përmes BE-së”, thekson Kathimerini.

Në samitin e mbajtur në Bruksel mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dy ditë më parë, Greqia u bë pengesë për Shqipërinë duke mos firmosur hapjen e kapitujve, edhe pse shumë shtete europiane vlerësuan progresin e vendit tonë.

You may also like