Mediat italiane raportojnë se ka përfunduar puna për qendrat e emigrantëve në Shqipëri që ashtu siç është parashikuar dhe në marrëveshjen mes dy qeverive do të jenë nën juridiksionin italian . Kampi e Gjadrit, zona e parë i pritjes në portin e Shëngjinit, ishte gati dhe është dorëzuar të mërkurën për testim. Në të është ndërtuar një qendër për qëndrimin e azilkërkuesve me 880 vende, një qendër spitalore me 144 vende dhe një burg 20 vende. Brenda një jave ambientet do të hapen për të akomoduar personat e parë që do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare. Dy qendrat në Shqipëri kanë kushtuar 670 milionë euro dhe do të drejtohen nga Italia.
Advertisements
Reagojnë mediat e huaja
Advertisements
Por kjo çështje, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare të cilat e shohin këtë marrëveshje si një “thikë me dy presa”. Prestigjiozja britanike, “The Guardian” i ka kushtuar një artikull hapjes së kampeve në Lezhë me titullin: “Qendrat italiane të emigrantëve në Shqipëri hapen pavarësisht marrëveshjes së dyshimtë”. Edhe gjigandi amerikan “ABC News”, i ka kushtuar një artikull hapjes së kampeve të emigrantëve në Lezhë. “Italia hap në Shqipëri kampet që do të përpunojnë emigrantët meshkuj”. Media Greke “Kathimerini” gjithashtu ka shkruar për kampet në Lezhë në një shkrim të titulluar: “Dy qendra pritëse në Shqipëri gati për të trajtuar emigrantët e dërguar nga Italia”. “Washington Post” gjithashtu i ka kushtuar një shkrim hapjes së kampeve në Lezhë të titulluar; “Italia hap zyrtarisht qendra në Shqipëri për të përpunuar emigrantët meshkuj të kapur në ujërat ndërkombëtare”.
Që në fillimet e saj, ideja për të shmangur proceduarat e stërzgjatura të azilit në një vend të BE-së si Italia, duke i dërguar emigrantët në një vend jo anëtarë të BE-së si Shqipëria u pa me shumë skepticizëm. Për disa kjo lëvizje shkel të drejtat dhe lirit themelore të njeriut, e për disa të tjerë është një veprim i zgjuar nga i cili mund të përfitojë e gjithë Europa. Marrëveshja e diskutueshme për të transferuar strehimin e azilkërkuesve në një vend jo anëtar të BE-së është përshëndetur nga disa vende që, si Italia, po vuajnë një barrë të rëndë refugjatësh. Marrëveshja u miratua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si një shembull i “të menduarit jashtë kutisë” në trajtimin e çështjes së migrimit në Bashkimin Evropian, por është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm. Thënë kjo, marrëveshja Itali-Shqipëri është prova e zjarrit, e cila ose mund të ndriçojë një rrugë të re zgjidhjeje për emigrimin e parregullt, ose mund të shkrumbojë dy vendet të cilat mund të përballen me akuza për shkelje të të drejtave të njeriut.
Advertisements
Rreziku
Por një vendim i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian rrezikon të prishë planin e Italisë, e cila synon të dërgojë në Shqipëri emigrantët që përcillen në Mesdhe për t’i nënshtruar në të ashtuquajturat procedura të përshpejtuara në kufi për shqyrtimin e kërkesave për azil. Në bazë të ligjit me të cilin Parlamenti ratifikoi marrëveshjen e nënshkruar me Tiranën, në qendrat shqiptare nën juridiksionin italian do të dërgohen vetëm shtetasit e vendeve të origjinës të përcaktuara si të sigurta. Për qëllime të shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, legjislacioni europian parashikon që shtetet anëtare mund të hartojnë një listë të këtyre vendeve, të cilën Italia e përditësoi 7 majin e kaluar me një dekret ndërministror. Dhe këtu qëndron problemi. Sepse shumica e vendeve që qeveria italiane i konsideron ‘të sigurta’ shohin përjashtimin e disa zonave apo kategorive të njerëzve për të cilët Ministria e Punëve të Jashtme e vendos e bardhë mbi të zezë, por ato vende nuk janë të sigurta.
Dje Gjykata e BE-së është shprehur se kjo gjë nuk mund të bëhet, se një vend ose është i sigurt për të gjithë ose nuk është i sigurt për askënd. Duke sqaruar mënyrën sesi duhet interpretuar neni 37 i Direktivës Europiane 2013/32 që rregullon çështjen dhe censuron mundësinë e ndalimit, për qëllime të procedurave të përshpejtuara, të emigrantëve që vijnë nga vende pjesërisht të sigurta, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Pas një sërë vonesash që shtynë hapjen e dy qendrave në Shqipëri, të planifikuar fillimisht për majin e kaluar, qeveria ka siguruar se inaugurimi do të bëhet brenda tetorit. Qendra Gjadrit, e cila fillimisht do të mund të strehojë rreth 800 persona, do t’i kushtohet të ashtuquajturës procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e kërkesave për azil. Pritja e emigrantëve në qendër, thotë ligji, duhet të vleftësohet brenda 48 orëve nga një gjyqtar, siç ndodh tashmë në Itali me shumë polemika për shkak të mungesës së vlefshmërisë nga magjistratët e Katanias. Vetëm meshkujt e rritur nga vendet ‘të sigurta’ do të kenë mundësi të aksesojnë procedurat, të cilat krahasuar me ato të zakonshmet kërkojnë kohë më të shkurtra dhe kanë më pak garanci për aplikantin.
Përveç Shqipërisë, Algjerisë, Bosnje-Hercegovinës, Cape Verde, Bregut të Fildishtë, Gambisë, Gjeorgjisë, Gana, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Marokut, Malit të Zi, Nigerisë, Senegalit, Serbisë dhe Tunizisë, qeveria Meloni ka përfshirë këtu edhe Bangladeshin, Sri Lanka, Kamerunin dhe Egjiptin, nga të cilët vijnë shumë emigrantë që kalojnë Mesdheun, por edhe nga Kolumbia dhe Peruja. Sipas Direktivës Evropiane 32/2013, ‘një vend konsiderohet vend i sigurt i origjinës nëse, në bazë të statusit të tij ligjor, zbatimit të ligjit brenda një sistemi demokratik dhe situatës së përgjithshme politike, mund të tregohet se ka nuk ka persekutim të përgjithshëm dhe të vazhdueshëm, as torturë ose forma të tjera dënimi ose trajtimi çnjerëzor ose poshtërues, as rrezik për shkak të dhunës pa dallim në situata të konfliktit të armatosur të brendshëm ose ndërkombëtar’.
Si do të funksionojnë procesi i azilit në kampet e ngritura në Lezhë?
Shqipëria do të përpunojë vetëm aplikimet e njerëzve nga vendet e përcaktuara si të sigurta nga Italia, një listë që së fundmi është zgjeruar nga 15 vende në 21. Lista e përditësuar përfshin Bangladeshin, Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe Tunizinë ndër të tjera. Një vit më parë, 56.588 persona nga këto vende morën rrugën për në Itali. Emigrantët që konsiderohen më të rrezikuarit – si gratë dhe fëmijët – do të dërgohen në Itali , ndërsa pjesa tjetër do të dërgohet në qendër në portin verior shqiptar të Shëngjinit. Pasi të regjistrohen në Shëngjin, ata do të dërgohen në një qendër tjetër në një ish-bazë ushtarake aty pranë në Gjadër, ndërsa presin për shqyrtimin e kërkesave të tyre.
Rreth 10 gjyqtarë italianë do të mbikëqyrin seancat dëgjimore me azilkërkuesit në Shqipëri, raportojnë mediat italiane. Shumica dërrmuese e kërkesave pritet të refuzohen, sepse vendet nga vijnë aplikantët konsiderohen të sigurta, gjë që kufizon automatikisht hapësirën për dhënien e azilit. Ata, kërkesat e të cilëve refuzohen, do të ndalohen përpara riatdhesimit të tyre eventual. Meloni ka thënë se zyrtarët do të përpiqen të përpunojnë kërkesat për azil brenda 28 ditëve, shumë më shpejt se koha që duhet aktualisht në Itali. Qendra Gjader ka kapacitet për 3000 shtretër. Zyrtarët presin që ai kurrë nuk do të jetë në përdorim të plotë, por kjo varet nga fluksi i emigrantëve të sjellë këtu. Tani gjithçka mbetet për tu parë, nëse kjo marrëveshje do të ketë sukses e gjithë Europa do të kërkojë “Shqipërinë” e saj larg Shqipërisë, për shkak se kryeministri Rama e ka bërë të qartë se kjo marrëveshje është ekskluzive vetëm për Italinë, gjithmonë nëse gjërat nuk ndryshojnë më vonë.