Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është ulur të shkruajë rregullat që mundësojnë realizimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet e pranverës, Qeveria ka hapur “thesin” e parave duke i akorduar fondin që i duhen për t’u regjistruar online. Për ngritjen e sistemit elektronik në aktin normativ të buxhetit të shtetit, i cili është dërguar për miratim në Kuvend, parashikohet një mbështetje financiare prej 250 milion lekësh për ngritjen e platformës. Akti Normativ i Buxhetit të Shtetit: “Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera, konsistojnë në financimin shtesë, në masën 250 milionë lekë për vitin 2024, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 dhe garantimin e implementimit në kohë të sistemit”.
Advertisements
Grupi i punës i ngritur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka gati 20 aktet nënligjore, të cilat pritet t’i dërgohen për miratim shume shpejt Komisionit Rregullator. 10 shtatori, përcaktohet si afati i fundit për miratimin e rregullave për regjistrimin e emigrantëve dhe përgatitjen e listës së zgjedhësve nga jashtë. Deri në mes të nëntorit duhet të jetë marrë konsensusi për administrimin e numërimit dhe vlerësimit të votave që sipas parashikimeve në Kodin Elektoral pritet të bëhet në KQZ, ndërsa 1 Marsi i 2025-sës është limiti i afatit për miratimin e fletës së votimit e cila pritet tu shkojë përmes shërbimit postar emigrantëve të cilët kane shprehur dëshirën për të marrë pjesë në zgjedhjet e pranverës. Regjistrimi i tyre do të hapet 4 muaj para datës së zgjedhjeve të dekretuar në Shqipëri dhe u lihet 60 dite kohë për ta përmbyllur këtë proces.
Advertisements