“Integrimi kalon nga Greqia”, Mitsotakis kërcënon sërish Tiranën: Vendimi për Belerin ishte politik, kur do iki nga politika

by editor

“Shqipëria duhet ta ketë të qartë, se prosperiteti dhe integrimi i tyre varen shumë nga bashkëpunimi me Greqinë”. Kështu shprehet kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në një intervistë të gjatë për gazetën greke “Kathimerini”.

Sipas shefit të qeverisë greke, Shqipëria ka probleme me shtetin ligjor, ku shembulli konkret sipas tij, është arrestimi i Fredi Belerit.

“Shqipëria po përballet me probleme të shtetit ligjor dhe demokracinë duke mbajtur në burg kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Udhëheqja e re e Maqedonisë së Veriut, nga ana e saj, është duke shkelur një marrëveshje ndërkombëtare, siç thashë më herët. Prandaj, të dy vendet duhet të respektojnë standardet e komunitetit”.

Por, a do të thotë kjo një veto ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij Mitsotakis nënkupton surpriza në momentin e votimit.

“Mendoj se mund ta kuptoni se mënyra se si ne zgjedhim të lëvizim diplomatikisht nuk është diçka që mund të jetë temë e një diskutimi të parakohshëm publik, ndaj do të tregoj vetëm qëndrimet që kam shprehur tashmë në lidhje me të ardhmen e tyre evropiane. Si dhe besimi se fqinjët tanë do ta kuptojnë së shpejti se prosperiteti i tyre varet nga bashkëpunimi i tyre me Greqinë”.

Advertisements

Përsa i përket kandidimit të Fredi Belerit për zgjedhjet e Parlamentit Europian, Mitsotakis e cilësoi një vendim krejtësisht politik dhe një akt mirënjohje për minoritetin grek në Shqipëri.

“Ishte një vendim thellësisht politik, një akt i njohjes së rëndësisë që i kushtoj minoritetit etnik grek duke emëruar një njeri që është trajtuar shumë padrejtësisht nga shteti shqiptar. Kemi dy grekë etnikë, në fakt; kemi edhe Pirro Dhimën”.

Mitsotakis paralajmëroi largimin e tij nga politika në përfundimit të këtij mandati.

“Nuk kam asnjë interes të qëndroj në skenën politike pas mbylljes së ciklit të mandatit”, Mitsotakis, duke hedhur poshtë zërat se largimi i tij nga politika lidhet me kandidaturën për kreun e Komisionit Europian.

You may also like