Irena Beqiraj: Heshtja e Ramës për akuzat e Ahmetajt, zgjatje e agonisë dhe e ndarjes më të padenjë nga pushteti

by editor

Ish-zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj ka komentuar përmes një editorial të gjatë intervistën e dhënë javën që shkoi nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Ja analiza e plotë e zonjës Beqiraj. “Intervista e ish numrit dy të qeverisë, i cili nga vetë Kryeministri është konsideruar bashkëpunëtori më i ngushtë i tij në këto 10 vite qeverisjeje, është parë e vlerësuar në mënyra të ndryshme.

Advertisements

Nga disa u konsiderua hakmarrje, nga shumë mbrojtje, nga të tjerë një lëvizje taktike për t’u mos u ekstraduar. Për disa ai tha shumë, për të tjerë asgjë. Ndërsa në këndvështrimin e një njeriu si unë që për disa kohë u përpoq të navigonte edhe “të mbijetonte” profesionalisht afër tyre, ajo intervistë mund të përkufizohet si: “Alter egoja” ose “Vetja tjetër” e Udhëheqësit kundër Udhëheqësit! Napoleoni dikur thoshte “A Leader is a Dealer in Hope” ose “Udhëheqësi është ai që shet shpresë”. Fjalët ‘udhëheqësi’ dhe ‘tregtari’ që në anglisht janë “Leader edhe Dealer” përmbajnë të njëjtat shkronja, por në qeverisje edhe politikë ato mund të jenë imazhe që shumë lehtësisht zëvendësojnë njëri-tjetrin , edhe mund të konsiderohen si ‘alter ego’ të njëra tjetrës ose ndryshe “Vetja tjetër “.

Advertisements

Që një udhëheqës të drejtojë të tjerët duke e shndërruar shpresën në “ngjitëse” ose duke e kthyer atë në një fenomen masiv, ai duhet pikë së pari të negociojë drejtësisht me aftësitë e veta, kufizimet, sakrificat pasiguritë, edhe ambiciet e tij. Kur nuk arrin të negociojë edhe të pranojë veten , udhëheqësi për pushtet negocion me gjithçka tjetër rreth tij, edhe kështu ” vetja tjetër” e tij bëhet “Tregtari pa skrupuj”.

Për “tregtarin pa skrupuj” gjithçka është një mall duke filluar nga njerëzit, qëndrimet, marrëdhëniet, premtimet, ëndrrat, aspiratat, e deri tek Atdheu. Ai shet premtime të zbrazta për t’i siguruar vetes një angazhim; shet frikë për t’i siguruar vetë siguri; shet ëndrra të rreme për të siguruar atë që ai aspiron ose dëshiron . Ai shet çdo njeri të aftë për të blerë “skllevër të bindur”; shet favore për të siguruar besnikëri; shet interesa publike tek pronarët e mediave, duke blerë emisione televizive poshtëruese për të “pabindurit ndaj tij” ai shet lehtësisht pa asnjë procedurë detin, tokën, ajrin tek lobistë , investitorë vendas e ndërkombëtarë apo tek kushdo tjetër që i siguron mbrojtje për interesat e tij.

Që imazhi i udhëheqësit të paraqitet i pacenuar në publik, vetja tjetër e udhëheqësit pra “tregtari” projektohet tek një grup i vogël njerëzish të rrethit të tij të ngushtë. Sot që arrij të gjykoj qetësisht, pa emocion e larg çdo marrëdhënie subjektive personale, njerëzit në rrethin më të ngushtë të kryeministrit nuk janë e nuk kanë qenë gjë tjetër veçse alterego të njëri tjetrit , edhe me pak vëmendje e kupton që në çdo qëndrim, veprim a fjalë rrezatonin edhe rrezatojnë, cilësitë e qendrës së atij rrethi, kryeministrit! E pra, të enjten e kaluar nuk foli thjesht “një bashkëpunëtor do si do” por i zgjedhuri i kryeministrit ku ai pa të projektuar në 10 vite alteregon e tij. Nuk ishte Ahmetaj kundër Ramës, por vetja tjetër e Ramës , e cila akuzoi Ramën publikisht! Në përpjekje “për të larë duart” apo për t’u distancuar nga “Vetja tjetër” me shpresën se heshtja do t’i shërbejë relativizimit të akuzave të saj kryeministri po zgjat agoninë e kapitullit të tij, edhe ndarjes më të padenjë nga pushteti”, shkruan Beqiraj.

You may also like